Shkrimi i qytetit të përjetshëm dhe erosi në veprën e Kadaresë

Apr 19, 2016 | 19:30
SHPËRNDAJE

Java e bibliotekave ka bërë bashkë Bibliotekën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Sfidat e bibliotekonomisë, por edhe Viti i Kadaresë, ka mbledhur specialistë të fushës e studiues të letërsisë, duke vijuar kështu një rrugë bashkëpunimi, e nënshkruar edhe në protokollet mes dy qeverive.

GJate prezantimit te ekspozites ne Prishtine
GJate prezantimit te ekspozites ne Prishtine

Tematika specifike e kësaj jave, e përzgjedhur nga BKK në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë, ishte një nga sfidat e bukura të bibliotekonomisë bashkëkohore: “Dokumentimi i realitetit historik të Kosovës”.

Duke qenë që tashmë Kadare u përket të gjithëve, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë zhvendosi në Prishtinë ekspozitën “Qytetet e Kadaresë”, aktivitet në kuadër të vitit kulturor kremtues në 80-vjetorin e shkrimtarit.

Në vijim të këtyre aktiviteteve ishte edhe edicioni II i Konferencës së përbashkët shkencore “Kadare-leximi dhe interpretimi”, në të cilën referuan studiues këtej e andej kufirit mes të cilëve prof.dr. Persida Asllani kreu i BKSH.

Më poshtë, fragment eseistik i përshtatur nga kumtesa e prezantuar gjatë Edicionit XIV të Javës së Biblioteka në Prishtinë, nga Persida Asllani.

PERSIDA ASLLANI

Kjo ese synon të trajtojë një nga pamjet më mbresëlënëse të veprës së Kadaresë, rrugëtimin unik në Kujtesën e qytetit të tij të lindjes, zhvilluar kryesisht në linjën romanore të një triptiku: “Kronikë në gur”, “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar”, ku Gjirokastra, qytet-letrar e qytet-personazh, bëhet edhe Qytet universal i Letërsisë.

Kadare dhe Gjirokastra e tij e ftojnë lexuesin të mendojë mbi jetën e një qyteti që i ka ikur hartografisë së shtetit të vet dhe endet, i palëvizshëm, në hartën e pazot të letërsisë botërore. Në zanafillë të këtij shtegtimi nuk qëndron qyteti, as “shkrimi për qytetin”, por “shkrimi i Qytetit”.

Qytetet e Letërsisë bëhen qytete transhendetalë dhe si të tillë ia dalin mrekullisht të strehojnë në brendësinë e tyre, çuditshëm, thuajse krejt njerëzimin. Diçka e ngjashme ndodh simbolikisht që me fjalitë e para të romanit “Kronikë në gur”, ku pikat universale të shiut strehohen brenda sternës emblematike të shtëpisë prej nga nis rrëfimi fëminor i jetës së një qyteti aq të hershëm sa nuk e mban më mend fëmijërinë e vet.

Nga ekspozita “Qytetet e Kadaresë”
Nga ekspozita “Qytetet e Kadaresë”

Prej zbehjes së fëminisë nga kujtesa e qytetit buron me gjasë edhe pohimi se “ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet”! Është pikërisht shkrimtari i tij që do t’ia kthejë fëmijërinë e pambajtshme mend përmes rrëfimit të fëmijërisë së vet dhe ligjërimit të vetë qytetit që do të vërshojë i pandalshëm përmes shqisave dhe gjenialitetit të mendjes fëminore. Kjo është formula magjike e rikthimit të fëmijërisë, asaj universales, që përtej rrethanave, kulturave e gjuhëve, na strehon bujarisht në “sterën” e së përjetshmes.

Duke e ndier qartë këtë mikpritje bujare te fëmijëria, shkrimtari amerikan John Updike shkruante në parathënien e “Kronikës në gur” në 1988 se jo vetëm “këndvështrimi egocentrik dhe metaforik i një fëmije krijon poezi të pashtershme”, por edhe se “qyteti i gurtë (i Kadaresë) paraqitet si një analogji bindëse e fëmijërisë së çdokujt, miqësor deri dhe në misteret e tij, i vyer deri dhe në vuajtjet dhe barbarizmat e rrëfyera”.

Ndër nyjat e këtij rrëfimi të pashtershëm Gjirokastra “qytetfëmijë” shndërrohet në çelës leximi të tekstit. Rreth kësaj nyjemëmë do të gjenerojnë të gjitha të tjerat, nga episodi në episod, nga kapitulli në kapitull, nga varianti në variant, nga libri në libër, nga leximi në lexim. Një nyjëtim i pandalshëm si vetë rrëfimi: qytet-kujtesë, qytet-gjuhë, qytet-gur, qytet-marrëzi, qytet-lexim, qytet-çudi e qytet-pyetësim, pyetjet e të cilit nisin prej kubeve dhe rruginave të tij për t’u shtrirë arketipale nëpër të gjithë botën.

Ndonëse “ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet”, paradoksalisht bëhej e lehtë ta rrëfeje atë, ta shndërroje në një personazh të madh e të çuditshëm, në të cilin thyhen të gjitha ligjet e urbanistikës, ligjësitë e logjikës, ato të historisë e të moralit, deri dhe ligjet e luftës e të botës, sepse Qyteti ka ligjet e veta sikundërse edhe arti i rrëfimit ato të tijat, përtej çdo pretendimi tjetër, qoftë edhe kur ligjësitë e rrëfimit synojnë t’i imponohen prej diktaturës.

Ndonëse shpesh është gjykuar se “kujtimet e nostalgjisë” përbënin “një strehë të sigurt për një shkrimtar nën totalitarizëm” (Updike), sot është qartë se për të rrëfyer një qytetpersonazh nuk mjafton “nostalgjikja” dhe as një kujtesë e mirëstampuar emocionalisht prej saj.

Përkundrazi, lypset më së shumti një rikthim i përhershëm te pikat e errëta të kujtesës, tek ato zona të ngurta, ende të papunuara prej “kuptimësimit” që u jep në kohë kujtesa, rikthim në pikën zero të kuptimit, për t’i kujtuar sërish, të pakuptueshme, në një kontekst të ri, tendosur deri në limitet e të rrëfyeshmes. Shkrimtari Zija Çela, në parathënien e vet para pak vitesh, e përkufizoi shkrimin e romanit “Darka e gabuar” si një kulmim, në të cilin “një shkrimtar nuk ka ku shkon më tej, më tej është gremina dhe më lart është Zoti”.

TEKSTI I SHENJTË I KUJTESËS

Zbulesa e madhe e artit të rrëfimit “gjirokastrit” të Ismail Kadaresë, thelbi i poetikës së tij, qëndron pikërisht e paradoksalisht te një besnikëri thellësisht subjektive ndaj tekstit të shenjtë të Kujtesës: të shohësh, të dëgjosh e të kuptosh pa kuptuar thellësish asgjë, të rrëfesh pa qortuar, pa gjykuar askënd, por t’i lexosh si një tekst të shenjtë, i cili jeton vetëm përmes leximit të patjetërsueshëm të vetvetes.

Rrugëtimi në qytetin e Kadaresë nis me një shkrim të kujtesës e më pas përfton një Qytet-Kujtesë. Por kjo kujtesë nuk është as e pavullnetshme e as arbitrare. Ajo është në thelb një “kujtesë e tekstit” dhe vendos të rrugëtojë përgjatë veprës dhe shkrimeve mes sekuencash tematike e njëkohësisht formale, të cilat studiuesi i njohur francez i Kadaresë, Eric Faye, i cilëson si “sekuenca endacake” në kuadër të një “tektonike të teksteve të autorit”. Roli i këtyre sekuencash lëvizëse është thelbësor për lidhjen organike mes “kujtesës së qytetit” dhe “kujtesës së tekstit”.

prishtinaAto rikthejnë pambarimisht te zanafillorja, te rizbulimi e herëherë edhe te një epifani e botës, apo më saktë të asaj pjese të botës që ka mbetur mrekullisht e parrokshshme deri në fund as prej kuptimit, as prej kujtesës e as prej gjuhës.

Po sjell ndërmend disa prej tyre si: arkitekturalja dhe urbania, magjia, shtëpia publike, leximi i Hamletit, ligjërimorja, kundërajrori i vjetër i qytetit, perpetum mobile i Dino Çiços, cigarja puerile, shtëpi e pronarë, personazhe dhe identitete, për të shkuar në zemër të vetë nebulozës, identitetit të Qytetit, (ndonëse për arsye botimi, në këtë shkrim do të privilegjohen veç dy-tre nga këto pamje).

Duke u zhvendosur thuajse tekanjoze nga një tekst në tjetrin ato vetëm sa vërtetojnë vetveten si thelbe të kujtueshme për të cilat mund të shkruhet pafund, pa nxjerrë asnjë përfundim e kuptim konkret. Ky është fati i tyre bukur!

ARKITEKTURALJA – GJUHA E GURTË E QYTETIT

I mbërthyer faqes së malit, i gurtë e gati prehistorik si prej luspash gjigante, i pjerrët deri në ekstravagancë, duke thyer shpërfillshëm “të gjitha ligjet e arkitekturës dhe urbanistikës”, qyteti flet vetëm gjuhën e vet të gurtë.

Është gjuha e së pangjashmes, e lëndës njëkohësisht formë, është gjuha e ahistorisë së përshkruar intensivisht nga historia, është gjuha e unikes që mbetet e tillë edhe mbasi e përshkojnë të gjitha përgjithësimet apo “lieux commun” të botës. Qyteti është i vetëpërkueshëm veç me gjuhën e vet, asnjë gjuhë e “marrë borxh” nuk e përmbush as nuk e përkufizon.

Dhe teksa asnjë banor i tiji nuk përpiqet ta “përshkruante” atë, (qyteti përshkohet prej tyre sikundërse edhe qyteti i përshkon përjetësisht ata), edhe “çdo udhëtari (lexo të huaji), që e shikonte për herë të parë, qyteti i zgjonte dëshirën për të bërë një krahasim, por menjëherë pasi udhëtari binte në grackë, qyteti e flakte krahasimin, sepse ky ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë”.

Ky “mospërkim” gjuhësor, kjo zhvendosje e përhershme mes asaj çka është dhe asaj që të bën të thuash, mes asaj që kupton e nuk kupton prej tij, i jep qytetit (ende të paemër) statusin paradoksal të një qyteti-mburojë që, teksa lëndon “mishin e butë të jetës”, është njëkohësisht e vetmja mundësi për ta mbrojtur atë, shpesh edhe nga vetvetja.

Paqja e tij me botën është gjithnjë vetëm një “kujtim”, ndërsa ajo me vetveten është thelbësisht e pamundur: “duke ruajtur me vështirësi jetën njerëzore në gjymtyrët dhe nën lëvozhgën e tij të gurtë, qyteti i shkaktonte asaj pa dashur shumë dhembje, gërvishtje dhe plagë, dhe kjo ishte një gjë e natyrshme, përderisa ky ishte një qytet prej guri, dhe çdo prekje e tij ishte e ashpër dhe e ftohtë”.

Parë nga kjo perspektivë, status quo-ja e qytetit është ajo e një “gjendje lufte” të shpallur ose të nënkuptuar. Pak rëndësi ka emërtimi konkret i armikut, i pushtuesit, gjuha, flamurët apo armët që përdor ai, ADN-ja apo ideologjia, strategjitë apo uniformat. Ndaj, në mënyrë të pashmangshme, të tria pamjet e triptikut “Gjirokastrit” janë ato të Luftës në gjendje reale të ndryshme : nga jo-lufta te pushtimet e Luftës II Botërore e deri te Shqipëria staliniste dhe totalitare.

Pavarësisht betejës së heshtur, disfatës dhe “pushtimit të përhershëm”, qyteti i gurtë ia del të ruajë ndonëse të përgjakur “mishin e butë të jetës”. Metodologjia e tij është e pagabueshme: ai është trup, gjuhë dhe kujtesë e gurtë, është një gjendje Monumentale e urbanes, për pasojë i sulmueshëm, por jo i tjetërsueshëm.

(Simbolika e kësaj qëndrese zhvendoset nëpër triptik nga përbuzja ndaj “zhurmës së pushtimit” te Kronika e deri te mospranimi për bashkëpunim, ndonëse nën tortura çnjerëzore i Dr. Gurametos së Darkës). Qeliza-jete të këtij monumentaliteti janë së pari shtëpitë e tij, ngrehina të gurta thuajse të pakoha, strategjike dhe ekstravagante, gjymtyrë të një sintakse të gurtë përmes së cilës artikulohet gjuha e gurtë e qytetit, në interieret e të cilave gjallon po aq unikale njësia e pandashme e jetës, familja dhe teatri i saj polifonik.

“Shtëpi-centaur” i ka cilësuar Kadare në reportazhet e tij ngrehinat thellësisht urbane në zemër të qytetit monumental. Ato ngjanë si botë të mbivendosura, njëfarë zbërthimi arkitektural dantesk i zbritjes apo ngritjes jo më etike-spiritualiste, por të “së gjallës” në vertikalitetin atipik të qytetit.

Nga stera e ujit, bodrumet e kubetë e themeleve të ngulura thellë në shkëmb, deri te katet larta, shtëpitë lëvizin e jetojnë zhvendosjen e vazhdueshme të jetës, nga krahu jugor në atë verior, nga oda në odë, nga kthina në kthinë, përmes një fantazie stinore për të mbërritur “në katin e tretë të qytetit” për të cilin vinin gjithnjë e më shpesh “kohë të vështira”. Dhe jo rastësisht, ai është i vetmi prej druri, një “tinëzi” mendjelehtë dhe e përkohshme ndaj gurit të përjetshëm.

Por pikërisht përkohshmëria e tij e bën atë si prej ëndrre: “Atje në gjysmë errësirë, guri duhej të luftonte me lagështirën dhe me ujërat e nëndheshme, në kohë që druri zbukuronte katin e tretë, gdhendej e pastrohej me kujdes. Kati i tretë ishte i lehtë, gati ireal. Ai ishte ëndrra e qytetit, kapriçua e tij, fluturimi i fantazisë së tij. E megjithatë, kjo fantazi ishte e kufizuar. Duke i dhënë liri katit të tretë, qyteti dukej sikur qe penduar dhe kishte shpejtuar të ndreqte gabimin.

Ai e kishte mbuluar katin e tretë me çatitë e gurta, duke e treguar edhe një herë se këtu ishte mbretëria e gurit”. Ishte kjo “mbretëri e gurit” që ruante jetën e njerëzve të tij, mbretër të brishtë, secili në kështjellën e vet unike, më shumë të varfër se sa të pasur.

Begatia e këtyre mbretërish e mbretëreshash në miniaturë është liria për të mos ndryshuar në funksion të kohës a të botës, por vetëm në funksion të vetvetes, të shtëpisë dhe të qytetit të tyre. Ky mbretërim sfidant ndërkëmben lëndë e kufij veçse me marrëzinë, një çmim krejt i vogël përballë absurdit të pacak të botës.

EROSI I PAZËSHËM VS SHTËPISË PUBLIKE

Qyteti i gurtë nuk ka eros klasik, të artikuluar, të shpallur. Asgjë në arkitekturën e tij nuk e parashikon diçka të tillë. Ca grimca erosi arratisen prej heshtjes vetëm në vargje këngësh vajtimtare, psherëtima të copëzuara të një moskuptimi dhe mospërmbushjeje të përhershme të banorëve të qytetit me erotizmin e tyre të pazëshëm. Shtëpitë e gurta nuk flasin për të.

Vetëm thashethemi qytetës ka qytetarinë brenda tyre, gjithnjë përmes zërash plakash, te të cilat erosi nuk ka më asnjë gjurmë, asnjë kujtesë; në trajtën e një “skandali”, të një “fatkeqësie” të shpagueshme deri edhe nga vetë qyteti. Erosi duhet “vjedhur” tinëzish nga bota e të rriturve, si zbulesë e hatashme, si dalldi, si mise-en-scène, si epifani, por shpesh edhe si fund tragjik.

Vargje të sëmura erotikisht, nuse të papërmbushura seksualisht, bashkëshortë impotentë dhe homoseksualë, por edhe hermafroditë të martuar popullojnë repertorin e jetës së Erosit (asnjëherë të pafajshëm) në këtë qytet. (Këtu i referohem edhe analizës së Arshi Pipës, në parathënien e tij të famshme, shkruar për përkthimin e Kronikës në anglisht, i cili analizon raportin kompleks mes erosit dhe dhunës në këtë roman.

Në këtë roman, fëmija rrëfimtar, i braktisur në moskuptimin e vet, dëgjon përmes fjalëve që ngjiteshin drejt katit të sipërm të shtëpisë si një mjegull se “kishte ndodhur diçka e përbindshme, por në asnjë mënyrë s’ishte e mundur të merrej vesh se çfarë. Nuk ishte as vdekje, as çmendje. Ishte më e keqe. […] Italianët kishin hapur një shtëpi. Kjo shtëpi kishte një emër të thjeshtë. Diçka të ngjashme me bibliotekën publike të qytetit. E megjithatë ato tmerroheshin.

Ato e mallkonin atë. [… ] Një shtëpi prej helmi përderisa kishte fuqi të hidhëronte një qytet të tërë”. Një eros-helm për të cilin do të rrëfehet shumë më tepër te Gjenerali, por që i vlen Kronikës për të ndërtuar skajin tjetër të erosit të qytetit, eros ende të panjohur në jetën e tij të lashtë.

NJË QYTET-PERSONAZH

Ndonëse qyteti është i pranishëm e deri diku zanafillor në kulturën letrare shqipe, qysh prej “Rrethimit të Shkodrës” rrëfyer latinisht prej Barletit, ndonëse vetë ajo, mbasi “shkatërrohej” prej De Radës, Shkodra përherë “e rrethueme” rikthehet letrarisht te Nikaj, estetike te Koliqi, nordike e ekstravagante te Migjeni, ndonëse rilindësi Naim Frashëri i këndonte Krujës hymnin e vet të “qytetit të bekuar” apo Spasse kërkonte dëshpërimisht idealen e paemërt të urbanes, asnjëherë letërsia shqipe nuk kishte njohur më parë një qytet-personazh, i cili i vjen mbresëlënës e emancipues vetëm në shkrimin kadarean të “Kronikë në gur”.

Ai nis jetën letrare si një qytet i paemër, shprehje nistore e ikjes nga realja, qoftë si identifikim i drejtpërdrejtë, qoftë si rebelim estetik. Në shkrimtarinë e Kadaresë përftohet gjithnjë e më fort planimetria e një “Qyteti të përjetshëm”, një “qytet-personazh”, i cili luan në teatrin e tij të gurtë personifikimin e përvojës kolektive, të dinjitetit ekstravagant mbi gurin e vetëdijes, të identitetit të palëvizshëm, po aq arkitektural sa trajta e vet. Vetëm kështu merr kuptim ai përqendrim atipik i zërave, polifonisë së rrëfimit dhe identitetit gjuhësor, i njerëzve, vetjeve, miteve, dëshmive, gurëve, marrëzive, mërive, shtëpive, urbanes, të mbërthyera të gjitha pas faqes së malit. Entitet i mëvetësishëm e vetëmjaftueshëm, ai mbërrin, obsesiv, universalen e Qytetit.

Bëhet thelb transhendental, përtej gurit në frymë, përtej lëndës në Ide. Në botën letrare të Kadaresë, Gjirokastra nuk është qyteti as i lindjes e as i rritjes. Është Ideja e një qyteti. Atij që strehon përjetësisht qenien që lexon. Gjirokastra është qyteti i letërsisë. Ai është një qytet i çuditshëm, një qytet i denjë për ta shkruar gjatë, thellësisht, dashurisht. Një qytet që flet një gjuhë të gurtë, sekretet e së cilës ia dinë deri në fund vetëm plakat e jetës. Një qytet aventuror, teksa i mbërthyer në lartësitë e veta, përjetësisht i palëvizshëm gjykon shpërfillshëm botën dhe skenat e saj të mëdha.

Është një qytet i përkorë, ku çdo gur, çdo njeri e çdo fjalë duhet të zënë doemos vendin e vet. Është një qytet i pakohë, mbi të cilin historia përplaset vrullshëm si dhe rrebeshet e tij. Një qytet i (a)moralshëm, ku erotikja dhe vdekja kanë shijen e njëra-tjetrës.

Një qytet ku mund të ndodhë gjithçka brenda asgjësë; ku marrëzia flirton me lirinë; ku fantazmat u ngjajnë partive; ku mitet shndërrohen në kurthe; ku shtëpitë u ngjajnë kështjellave dhe banorët e tyre mbretërve pa fron. Në një qytet të tillë është e vështirë të jesh fëmijë. Ndaj fëmija e tij i përjetshëm, rrëfimtari i paemër sikundërse dhe qyteti i vet, shkruan pafundësisht për të. Herë-herë, qyteti ngjan si Gjirokastra dhe rrëfimtari që vonon të rritet, si Ismail Kadare.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura