“35 mijë vende të reja pune në 2020-n”, ministrja ‘zbardh’ buxhetin: Do ndërtohen këto rrugë

Nov 9, 2019 | 11:59
SHPËRNDAJE

Anila-Denaj

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, prezantoi dje në Konferencën e Kryetarëve, projektbuxhetin për vitin 2020. Në fjalën e saj, Denaj theksoi se projektbuxheti i vitit të ardhshëm bazohet në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. 

Sipas ministres, projektbuxheti i vitit 2020 do të mbështesë reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat promovojnë rritjen ekonomike, punësimin dhe procesin e integrimit.

Denaj tha se rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2020 do të jetë 4.1% dhe pritet të përkthehet në më shumë punësim. Në këtë pikë, ajo shtoi se synohet që gjatë vitit të ardhshëm, të krijohen rreth 35 mijë vende të reja pune, që pritet të çojnë në uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.

“Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% gjatë viteve 2021-2022. Premisat më kryesore, mbi të cilat mbështetet ky parashikim, janë themelet kryesore ekonomike, të cilat kanë vijuar të përmirësohen, si: përmirësimi i vijueshëm i tregut të punës, perceptimi pozitiv i aktorëve ekonomikë për të ardhmen e ekonomisë, konsolidimi fiskal dhe qëndrueshmëria e financave publike, stabiliteti financiar dhe rritja e kreditimit të sektorit privat, si dhe qëndrueshmëria e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Sigurimi i një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, do të jetë mbështetës për rritjen ekonomike dhe punësimin.

Të ardhurat totale për vitin 2020 parashikohen 502.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.2% mbi të ardhurat e pritshme të vitit 2019, ose rreth 29.2 miliardë më shumë.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e PBB-së. Ato rriten me rreth 5.1%, krahasuar me pritshmërinë e vitit 2019.

Sektorët që do të kenë edhe mbështetjen më të madhe janë arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë.

Në infrastrukturën rrugore, për periudhën 2020-2022, synohet: Kompletimi i akseve rrugore nacionale si Rruga e Arbrit; Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me Financim të Brendshëm brenda vitit 2022, si: Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By-Pass Shkodër, By-Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës; kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si: By-Pass i Fierit, By-Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë”, tha ndër të tjera ministrja Denaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura