309000 vende pune

Mar 25, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE
Regjisorja Sesilia Plasari
Regjisorja Sesilia Plasari

SESILIA PLASARI

U hapën 300000 vende pune këto 8 vjet, madje thuhet se u shtuan edhe 9000 këto tre muaj, 309000 vende pune dhe çfarë nuk bëri shqiptari: lozi e kuvendoi nën hije bari, ia mbathi në azil e në mërgim, zuri burgjet, u çmend, vrau, u vetëvra, u sëmur, u dorëhoq, vdiq, vetëm e vetëm që të mos punojë.

Jazëk

Vetëm Komitetit Qendror i punon llambadhja, ndezur ditë e natë si motmot edhe sot. E ndenjura pa gjumë për të mos bërë asgjë, as edhe fjetur, do të ishte kulmi i dembellëkut, por edhe shpëtimtare do të qe, kur ai që s’fle është shkatërrimtar. Hasmi, për shembull, kur ti dhe uji fle, nuk fle. Të përgatit gjëmën, të shkatërron.

Po ky Komitet, vetëm ndërton, ditë dhe (sidomos) natë, puna flet vetë! Flet edhe goja (ia pret!): Nuk i doni 300000 vendet e punës ? Dembelhane, unë, Shqipërinë, siç e kam thënë do ta bëj. Doni, s’doni ju, do marr afrikanë dhe do ta bëj hatanë!

S’ka gjë për të sharë, ka thënë: do hap 300000 vende pune, nuk ka thënë që do t’i hapë patjetër në Shqipëri, as patjetër për shqiptarë. Buzëqeshin afrikanët në video, në fotografi – krejt si ne të ikurit nëpër botë. I huaji është mirënjohës, ka politesë- të paktën sa të kalojë një brez. Jo po duro, hundë e buzë, shqiptarin në Shqipëri, që shan edhe mallkon sikur kurbetçiu është ai.

(Ka, ka edhe mirënjohës, ata që janë kaluar në karvan, të shkretët u rropatën, tërhiq e tërhiq zvarrë përpara, ngaqë s’keni këllqe t’i ndiqni, vjetërsirat e dreqit). Përgjithësisht, shqiptari që nuk është në karvan, mirë që s’punon e s’kupton, po nuk edhe gëzon.

Rri numëron paratë që fiton qeveria. Ajo vërtet merr 300000 rroga, por, ama, bën punën e 3 000 000 dembelëve. E kap edhe kohën ajo, me qerre e kap!, s’di për cilin vit po punon, por larg-laaarg po shkon. Jemi shkëputur fare ne, në fakt. Të kishim të vdisnim tani e të rilindnim për ta vazhduar atë copë jetë që na ka mbetur në epokën që kanë kapur ata, sa mirë do qe! Të përfitonim pak edhe ne!

Të bashkoheshim një herë të tërë! (më mbushen sytë me lot…). Po s’ka siguri se bëhet dot… E sigurt është që ne, jemi këtu “ku e lamë e ku na mbeti”, “Tek ura, tek ura vraponi, o burra”.

Thoshte Volteri: “Puna na largon tri të këqija: mërzitjen, vesin dhe nevojën”. Kush thotë se nevoja na i është bërë mullar, është gënjeshtar. Plot gjëra janë bërë mullar, por ajo çne. Ca me asistencat e shtetit, ca me ato të kurbetit ku ai na nxit ta provojmë, nevojës ne po i mbijetojmë.

Por duhet të punojmë që të mos mërzitemi e të mos bëhemi me vese! Duhet ndërtuar edhe vendi se e vjetra- u tha – u shemb (madje, po shembet edhe ajo që s’u tha, ka ngelur fadroma ngrehur, do duhej të sakrifikohej dikush duke u hedhur mbi të, se nuk po e ndalin dot), tani vetëm jeta e re që do lulëzojë gërmadhash ka mbetur të ndërtohet. Dhe pikërisht tani s’dashka njeri të punojë në ndërtim? Hapu dhe! Po kjo është armiqësore!

Qeveria, siç bën ligje për shkatërrime vjetërsirash, për të na i qëruar e zëvendësuar me të reja, duhet të qërojë them unë edhe njeriun e vjetër! Dembelin! Pam, pam, përtokë! Sikur edhe me të riun brenda.

Ta detyrojë me ligj t’i pranojë 300000 vendet e punës. Kushtetuta u bë me zinxhir, s’e futkemi dot edhe këtë? Si fillim të dëbohet. Hapur! Jo kështu, me dorashka.

Po s’deshi të dëbohet, ç’taksirat ka karvani ta tërheqë zvarrë me zor përpara: futi, ore, punën e detyruar! Ose, më keq akoma, siç dënohet një veprimtari armiqësore.

Jo burg, jo, se gjithmonë gati i ke të gjithë për atje, ohoho ka vënë standarde Europa! Burgu prite kur të bëhet me listë pritjeje, në mos është bërë, si fletët e kampit qëmoti…

Kurse jetën vërtet ka plot që ta lanë në derë, por kanë mbetur plot të tjerë që e duan ende. Po s’ua kape, kap çfarë të duash, nuk do gjesh dot derman. Ta shohësh si shkojnë në punë pastaj. Edhe gjimnastikë futi përpara, pastrim territori çdo të diel, punë vullnetare, mbledhje fronti, forma politike, aksione, zbore, dekada, olimpiada, parada. Mjaft me budallallëqe e fejsbukllëqe që qimen na e bënë tra. Do të ta dinë për nder, do thonë: “E kam Kushtetutë”. Nuk gënjen! E bëri po e kishte thënë. Bën më shumë të mira se të këqija, na shpëton me zor se ne aq na e pret”.

Nuk është kurrë vonë për të bërë punë të mira. Jo po të livadhisin shqiptarët në kurriz të afrikanëve! Të punojnë ata, të paguajnë taksa, që të hanë asistencë shqiptarët! Mos duan gjë edhe koloni shqiptarët tani? Dhe as të shkojnë t’i pushtojnë, po t’u vijnë te dera vetë me gjithë ato buzë në gaz.

Siç ka programe për të sjellë afrikanët te ne, ka dhe nga ata që na çojë ne gjetiu. Pse pra nuk ikin ata që kanë mbetur? Se duhet punuar, atje! Hajde-dé që janë ngulur dhe nuk shkulen, po nuk përtojnë të bëjnë as kalamaj.

Përtojnë, në fakt, por i bëjnë me shpresën se këta do punojnë dhe do t’i mbajnë me bukë, harrojnë që pjella e tyre janë edhe këta, shqiptarë hesapi… dembelë… Ka nëna këtu që preferojnë të varin veten ngaqë nuk kanë ç’t’u japin foshnjave për të ngrënë, po punën? Bah! Nuk e pranojnë. Ia lënë afrikanit. Rrezik përtojnë të shkojnë të marrin edhe asistencën.

Ka çifte që preferojnë të vrasin njëri-tjetrin njëherë e mirë nga mjerimi, njëra çlodhet në varr, tjetri ha (në) burg – sesa të shkojnë të punojnë që t’i rrisin fëmijët vetë! Sigurisht që për t’ia rrasur të ziut shtet, për çfarë tjetër! Kaq dembelë janë shqiptarët! Po mbahu nëne, mos ki frikë, se ke djemtë në Afrikë! Të gjorët afrikanë, me rrogat që s’u pëlqejnë shqiptarëve – vetë i katërt apo i tretë – duhet të mbahen vetë i dyzetë.

Shumica e vendeve afrikane janë poligame, lejojnë martesën me shumë gra. Dhe shpesh me secilën grua ata kanë shumë fëmijë. Ligjet e bashkimit familjar të Europës i lejojnë t’i tërheqin edhe ata, po edhe nënën, babanë, vjehrrin e vjehrrën nga çdo grua… bëhen familje të mëdha. Nuk do ta kenë kollaj, sado ndihma të ketë për ta nga kush i sjell. Por ata do ta bëjnë Shqipërinë të rilindë ndonjë gjë, duan s’duan shqiptarët! Mbahu nëne, mos ki frikë. Një bir ke, por e ke për be!

Me ushtri afrikanësh erdh’ të sjellë begatinë, e solla unë, tha, nuk e gjeta në mes tuaj. Një bir, nënë, një të paska lerë. Të tjerët ta lanë në derë. Pyeta një shokun tim afrikan, që është specialist i Afrikës këtu në Francë: “Ore, kaq shumë papunësi ka në Afrikë?”.

Ai qeshi dhe tha: “Absolutisht jo”. “Po si ka mundësi atëherë, – i thashë, që afrikanët të vijnë e të punojnë deri në Shqipëri?”. “Nuk mund të ketë papunësi në Afrikë, – më thotë, – duhet të ketë një herë punësi që të ketë edhe papunësi”. “Aaaa,– i them, s’qenka si te ne, ne kemi goxha punësi, por shumë përtaci. Kërkohen afrikanë dhe specialistë, ti i ke të dyja, mund të shkosh atje po të ngelesh keq.

Thonë se është vend i mrekullueshëm për të huajt”. “Vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta”, më thotë ai. Më çudit! Që tani? Në të ardhmen ndoshta po, do bëhemi një. “Më rekomando diçka të shpejtë për të lexuar, si ‘hyrje’ në temë për Afrikën”, i them. “Të shpejtë fare?”.

Ai hap smartfonin. “Ja, të parën që më vjen në sy, thotë, e njoh atë që e ka shkruar”. Lexoj: “Kemi diktaturë në një vend kur një grup individësh, në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar mirë, kap të gjitha levat e pushtetit shtetëror, mbjell terror pasi ka zhvilluar një sistem korrupsioni të drejtuar metodikisht për të formuar një rrjet vartësish që i shërbejnë si instrumente për t’i katandisur institucionet, komunitetet dhe individët në skllevër.

Diktatorët dobësojnë të gjitha ligjet që u bëhen pengesë dhe bëjnë ligje të reja që i lejojnë të zhdukin liritë, të shkatërrojnë lëvizjet sociale, të pengojnë të rinjtë të organizohen lirisht, të poshtërojnë pareshtur elitën intelektuale, të kapin sistemin gjyqësor, të korruptojnë gjithë shtypin për ta bërë atë një instrument të propagandës politike, të destabilizojnë punëdhënien ekonomike për të pasur nën kontroll të gjithë sektorët në përfitim të diktatorëve dhe të afërmve të tyre.

Në diktaturë, politizohet administrata publike, urrehet kontrolli qytetar dhe social. Mungesa e llogaridhënies, fshehtësia, intimidimi, kapja, konfiskimi i lirive individuale dhe kolektive, krimi financiar janë shndërruar në mënyrë qeverisje.

Njerëz shumë të kompleksuar, diktatorët japin përshtypjen e të qenit të talentuar dhe nuk lënë asnjë rast pa shfrytëzuar për të provuar se të gjithë janë budallenj përveç tyre. Diktatura i detyron opozitarët të heshtin ose i eliminon. Shërbëtorët e saj tepër ‘të zellshëm’ që gabohen, ajo i sakrifikon në mënyrë teatrale për t’u hequr si e ndërgjegjshme.

Diktatura, nëpërmjet korrupsionit, e kthen Parlamentin në një uzinë fabrikimi ligjesh me toksicitet të lartë. Diktatorët kanë një rrjet juristësh aparteidë, që sulmojnë të gjitha mediat sa herë që një projekt anormal duhet të mbrohet ligjërisht. Në diktaturë flitet shumë për reformën dhe luftën kundër korrupsionit, por zakonisht nëpërmjet kësaj xhonglohet për të kryer hakmarrje, pa ndonjë vullnet të madh politik.

Kur një diktaturë dobëson harmoninë sociale, sjell dobësimin e institucioneve dhe kapjen e pronave të përbashkëta, ajo merr pamjen e një Shteti pa drejtësi (État de nondroit).

Vetëm populli mund ta rifitojë sovranitetin e tij për të shtypur diktatorët e organizuar në banda horrash, që skllavërojnë dhe pasurohen në mënyrë të paligjshme. Ky është profili tipik i një diktature dhe Afrika ka shumë të tilla, dy prej të cilave ranë në vitin 2019: në Algjeri dhe në Sudan. Vetëm dalja në rrugë na lejon të kalojmë nga diktatura në demokraci. Mos pranoni që diktatorët t’u mbjellin frikë dhe urrejtje.

REZISTENCË PER RESILIENCEN DHE CLIROHU NGA KAPITULLIMI.

Së bashku për të sfiduar kapitalizmin e egër afrikan. Është një dëm për moralin, etikën dhe shpresën e njerëzve.

Koha e zgjimit patriotik po zien DHE VETEM POPULLI ESHTE SOVRAN. Dorah Aboubacar KOITA, Avokat dhe aktivist i shoqërisë civile të Guinesë”. I mungoka vetëm “Ngrehuni dhe bjeruni!” në fund. Këtij mikut tim afrikan i është bërë ferra Ibrahim, e sheh Afrikën gjithandej. Ku janë këto “shumë gjëra të përbashkëta” me vendin tonë në këtë pocaqi? E përbashkëta e vetme që gjej unë këtu, me ata që qeverisin në Shqipëri, është që “të gjithë janë budallenj përveç tyre”. Dhe, lavdi Zotit, ne budallenjtë shqiptarë jemi edhe dembelë se sot po e kuptoj thënien e famshme të Sacha Guitry: “Dembellëku i budallenjve është një gjë e mirë për gjithë botën”. Pa dalë nga kafeneja, jo vetëm do na lulëzohet vendi ynë, por do mbajmë me bukë edhe Afrikën. Bingo!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura