30-vjetori i Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut/ Ruçi letër homologut Xhaferi: Partnerë të ngushtë në NATO, shpresoj që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt

Sep 8, 2021 | 13:15
SHPËRNDAJE

Kryetari në detyrë i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar ditën e sotme homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë së shtetit fqinj.

1547242682_ruci643x450

Përmes një letre urimi, Ruçi shpreh gjithashtu dëshirën për avancimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë dhe integrimit europian.

“Me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, Ju dërgoj urimet më të përzemërta.

Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj që Republika e Maqedonisë së Veriut të avancojë në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, rritjes së mirëqënies së qytetarëve dhe integrimit europian”, shkruhet në letrën e kryekuvendarit Ruçi.

Në vijim të letrës së tij, teksa vlerëson kontributin e shqiptarëve në progresin e vendit fqinj në rrugëtimin europian, Ruçi thekson se ka bindjen e plotë se mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndodhë sa më shpejt.

“Një urim të veçantë kam për vëllezërit shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kontributin e tyre të pazëvëndësueshëm në zhvillimin, progresin dhe rrugëtimin europian të vendit Tuaj, si edhe shërbimin si një urë miqësie midis dy vendeve e dy popujve tanë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë të ngushtë në NATO dhe në pritje të mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian dhe unë kam bindjen që kjo do të ndodhë sa më shpejt.

Ne kemi të drejtë të jemi krenarë për rolin dhe kontributin që Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin në forcimin e miqësisë dhe rrugëtimin europian të vendeve tona”, përfundon letra e urimit të Ruçit ndaj homologut Xhaferi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura