30 qershori, bilanci i një anomalie njëvjeçare

Jul 1, 2020 | 9:57
SHPËRNDAJE

Namir LapardhajaNamir Lapardhaja

Zgjedhjet lokale për nga impakti që kanë drejtpërdrejt në jetën e përditshme, marrin një rëndësi të madhe. Realizimi i tyre pa praninë e opozitës, është një goditje e rëndë për demokracinë tonë të brishtë. Ka vetëm një rrugë për t’u korrigjuar: ngritja sa më shpejt e Gjykatës Kushtetuese dhe përsëritja e tyre.

Shqiptarëve nuk iu dha mundësia e zgjedhjes, por e votimit. Në demokraci, në dallim nga diktatura, rezultati merret vesh pas përfundimit të procesit zgjedhor. Një vit më parë, fituesit ishin paracaktuar. Pushteti i përdori të gjitha mënyrat për t’i nxjerr njerëzit, por bojktoi masiv dhe reagimi i një pjese të madhe nëpërmjet nxjerrjes së pavlefshme të fletës apo mesazheve të ndryshme në to, tregoi se ka shpresë.

Bilanci i një viti qeverisje njëpartiake, është një faqe e zezë për vendin. Edhe nëse nuk do të kishte të drejtë Presidenti me dekretin e tij, kaq do të mjaftonte që ato votime të përsëriteshin. Në tridhjetë vite pluralizëm, janë shënuar hapa të rëndësishëm përsa i përket qeverisjes, autonomisë dhe decentralizimit të pushtetit vendor. Kandidatët njëpartiak, e zbehën më shumë imazhin e demokracisë.

Mungesa e garës, dëmtoi edhe radhët e mazhorancës përsa i përket përzgjedhjes së kandidaturave. Ndonëse i kishte të gjitha mundësitë për të pasur njerëz normal, Edi Rama nxori sërish nga thesi vetëm problematik.

Njëanshmëria dhe arbitrariteti prodhoi një pushtet lokal të gjymtuar përsa i përket

programit dhe premtimeve. Fushata elektorale nuk prodhoi asnjë figurë publike të qeverisjes vendore. Ajo u shndërrua në një fushatë politike, ku kryeministri i vendit shëtiti në të 61 bashkitë  mbi trenin e propagandës. Në vend shqetësimeve qytetare, u dëgjua retorikë politike. Të emëruarit e tij nuk dinë se çfarë është autonomia dhe ende nuk e kanë kuptuar se, pas marrjes së detyrës, nuk kanë asnjë marrëdhënie varësie me ekzekutivin.

Në mungesë të rivalëve, programit apo premtimeve, të zgjedhurit e Partisë Socialiste në kompleksitetin e tyre nuk paraqesin asnjë “detyrim” ndaj votuesve. Ata nuk njohin ligjin për vetëqeverisjen vendore, ndaj për ta nuk ekziston demokracia lokale dhe pjesëmarrja e grupeve të interesit në propozimin, hartimin dhe miratimin e politikave vendore. 30 qershori 2019 në këtë drejtim prodhoi drejtues më arrogant, më të papërgjegjshëm dhe më shtypës ndaj njerëzve. Nuk mund të kuptohet ndryshe se në të gjithë vendin gjatë kësaj periudhe ka pasur me shumë rritje taksash dhe tarifash për konsumatorët dhe biznesin, ndërkohë që këto nuk u “përkthyen” në më shumë investime. Është e qartë se pse Raporti i Financave Vendore për vitin 2019, i hartuar nga Coplan dhe Ministria e Financave nxori në pah se shumica e fondeve që kanë në dispozicion bashkitë e vendit përdoren për paga dhe shpenzime operative dhe shumë pak prej tyre (21%) shkojnë për investime.

Bashkitë pas 30 qershorit janë shndërruar në Komitetet Ekzekutive të dikurshme, ku marrin shërbim vetëm njerëzit e partisë, ndërsa të tjerëve u duhet të depersonalizohen për të zgjidhur punë. Nëse pas daljes së opozitës nga Parlamenti, ajo sërish ka kanalet e duhura për të prodhuar alternativ dhe politikë, me mungesën e saj në pushtetin vendor qytetarët e kanë të pamundur të informohen se çfarë bëhet me taksat dhe tarifat e tyre, çfarë bëhet me interesin dhe fatin e tyre të përditshëm.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, veç të tjerave, është një domosdoshmëri për rikthimin në shinat e ligjshmërisë dhe të normalitetit të pushtetit lokal në Shqipëri. Një vend pa demokraci dhe autonomi vendore, pa praninë e opozitës dhe pa mundësinë e alternativës, është i ekspozuar ndaj diktaturës së madhe dhe autokratëve të vegjël.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura