“30 mln dollarë shtesë për rindërtimin”/ zv.kryeministri Ahmetaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave: Puna do të përfundojë vitin e ardhshëm

Sep 22, 2021 | 16:36
SHPËRNDAJE

arbenahmetaj

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 30 milionë dollarësh për rindërtimin pas tërmetit. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar për mediat se punimet në këtë aspekt do të përfundojnë deri në muajin shtator të vitit 2022.

Një tjetër vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave, është miratimi i një fondi prej 25.8 mln eurosh në formën e borxheve dhe granteve për rikonstruktimin e godinave të universiteteve. Kjo vjen si pasojë e një marrëveshje të nënshkruar me qeverinë gjermane.

“Sot i kaluam fondit të zhvillimit rreth 30 mln dollarë për të vazhduar punën në terren. Të mbarojmë punën në shtatorin e 2022. Në lagjen 4 dhe 8 në Tiranë , u hapet rruga punimeve me shpejtësi, pas shpronësimit me këmbim. Një vendim tjetër në kuadër të rindërtimit, në zonën 5 Maji ku i hapet rruga punimeve me shpejtësi, shpronësimet me këmbim. Do vijojë puna me 2-3 turne. Në të njëjtën kohë, dua të ndaj me qytetarët, studentët kaluam tre marrëveshje me qeverinë gjermane, brenda paktit të universitetit, 20 milionë euro hua dhe 5.8 mln euro grante për rikonstruktimin e godinave të universiteteve” – tha Ahmetaj.

Ndërkohë Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se është miratuar një vendim që ka të bëjë me menaxhimin e mbetjeve. Sipas saj, kjo VKM saktëson metodologjinë që do të ndiqet në njësitë e qeverisjes për përllogaritjen e sasive të mbetjeve në këto territore.

“Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Ministrave, miratuam një vendim që ka të bëj me faktin se si menaxhohen mbetjet. VKM që ne miratuam sot, saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes duhet të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre. Do të jetë një metodologji e unifikuar për të gjitha bashkitë në Shqipëri. Bashkitë do të jenë të detyruara të bëjnë publike statistikat e mbetjeve në territor. Më këtë do mundësojmë një menaxhim më të mirë të mbetjeve. Kjo do të shoqërohet me një paketë trajnimesh të gjitha njësive vendore për ta ndjekur çdo ditë situatën në terren” – tha Kumbaro.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje me programin e zhvillimit të OKB-së ku fokusi është decentralizimi i pushtetit vendor.

“Sot miratuam në mbledhjen e radhës një marrëveshje mes programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare, instrument me sukses prej vitit 2013 kur ne filluam ta dizenjojmë dhe më pas ta implementojmë reformën territoriale dhe të gjithë reformën e decentralizimin drejt pushtetit vendor dhe ky program është i tretë “Start 3” është një instrument që bashkon disa donatorë që janë të përfshirë në reformën e decentralizimit dhe modernizimin, kanë krijuar një fond të përbashkët. Donatorët janë BE, Suedia dhe Zvicra, së bashku me qeverinë dhe PNUD-in. Kryesisht ky program do të shkojë për të përsosur më tej shërbimet në nivel lokal, atë revolucionin që ne bënë me digjitalizimin e shërbimeve, ne duam ta çojmë në qeverisjen vendore” – tha Çuçi.

© Panorama.al

Te lidhura