30 mijë euro për lirimin e të dënuarit, ç’u vendos për paratë që iu gjetën në shtëpi ish-gjyqtarit Miri

Sep 18, 2018 | 7:56
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ditën e djeshme 4 vjet burg për ish-gjyqtarin e Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, i cili akuzohet për korrupsion. Po kështu, Prokuroria kërkoi edhe 2 vjet e 6 muaj burgim për Kujtim Mirin, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë skemë korrupsioni.

shkelqim-miri1

Organi i akuzës lexoi ditën e djeshme pretencën, ku krahas dënimit me burg, kërkoi konfiskimin e 30 mijë eurove që dyshohet se janë paguar nga një i dënuar që të përfitojë lirinë, si edhe ndalimin për të kryer funksione publike për gjyqtarin për 3 vjetët pas kryerjes së dënimit.

Megjithatë, Shkëlqim Miri do të bëjë vetëm dy vjet e 8 muaj burgim nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë, pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Ajo që vlen të theksohet është se Prokuroria nuk kërkon konfiskim për 33 milionë lekët e rinj të gjetura në banesën e Mirit.

Seanca e djeshme nisi me leximin e pretencës nga ana e prokurorit Klodian Braho. Kujtojmë se për dy të pandehurit e tjerë, Gentian Dodën dhe Alban Bucin, çështja është pushuar, pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tyre dhe vënia në dijeni për procedimin penal. Sipas ligjit në fuqi, gjykimi në mungesë nuk mund të vazhdojë.

Në materialin e Prokurorisë, nuk shpjegohet qartë se ku është marrë informacioni për rastin, por thuhet se kanë ekzistuar të dhëna dhe informacione se funksionarë të drejtësisë kanë favorizuar shtetasin Gentian Doda, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve materiale të padrejta. Pas këtyre informacioneve kanë nisur verifikimet e para dhe pas kësaj janë vënë në përgjim një sërë numrash telefoni, nga bisedat e përgjuara janë siguruar materiale të dobishme për hetimet.

PËRGJIMET

Nën përgjim janë vënë disa numra, ndër ta edhe Gentian Doda, i cili edhe pse ishte në burg përdorte telefon personal. Më tej, në përgjim është vënë vjehrri i Dodës dhe kushëriri i tij Alban Buci, i cili ka bërë edhe dorëzimin e sasisë së parave te Kujtim Miri. Në një nga bisedat e përgjuara të Gentian Dodës, ai është duke folur me vjehrrin e tij, ku i shpjegon se ku duhet të marrë shumën prej 15 mijë eurosh për të plotësuar 30 mijë euro për t’ia dhënë Kujtim Mirit në lokalin në pronësi të ish-gjyqtarit. Pas marrjes së eurove, vjehrri i Dodës, së bashku me Alban Bucin, shkojnë në lokalin në pronësi të ish-gjyqtarit Miri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura