29 Nëntori, Dita pa Makina dhe Nata e Bardhë. Axhenda e aktiviteteve

Nov 26, 2015 | 13:58
SHPËRNDAJE

Në Ditën e Pavarësisë së Tiranës, kryeqyteti mori si dhuratë restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, i cili tre muaj më parë u mor në përkujdesje nga bashkia për shkak të vandalizimeve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me familjarët e firmëtarëve të Deklaratës së shpalljes të Pavarësisë të kryeqytetit, vizitoi sot monumentin restauruar, si dhe i uroi Pavarësinë të gjithë qytetarët e Tiranës.

Perurimi i monumentit te Pavaresise (2)

“Nuk mundet që, në një qytet ku financat nuk i ka me tepri, të shpenzojmë për rikonstruksione çdo vit të gjërave që kushtojnë”, deklaroi Veliaj. Ai tha se qyteti ka kaluar një situatë të vështirë, por me rregullat e reja, të gjithë qytetarët duhet të ndihmojnë që këto vepra të mos vandalizohen më.

Njëkohësisht, Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e të gjitha monumenteve dhe lapidarëve në kuadër të festave të 28-29 nëntorit.

“Kemi nisur një proces, jo vetëm për Monumentin e Pavarësisë, por edhe për të riparuar Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, si dhe të të gjitha institucioneve që kujtojnë festën e Pavarësisë dhe Çlirimit. Një qytet i mirë është një qytet me kujtesë dhe sot ne po sillemi si qyteti i mirë që i kujton të parët e vet, themeluesit e Tiranës, ata që shpallën Pavarësinë, si dhe ata që luftuan për çlirimin e vendit”, deklaroi Veliaj.

Krahas rehabilitimit të monumenteve dhe lapidarëve në të gjithë qytetin, Bashkia e Tiranës do të organizojë disa aktivitete në kuadër të festave kombëtare të nëntorit.

“Në datën 28 do të kemi ceremoninë e ngritjes së flamurit në sheshin ‘Skënderbej’. Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë pjesë e ceremonisë simbolike të ngritjes së flamurit në Tiranë, në të njëjtin moment që do të ndodhë në gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku sqaroi se pas ngritjes së flamurit aktivitetet do të vijojnë në parkun e Dajtit me aktivitete sportive.

“Në datën 29 Nëntor do të kemi sërish një ditë pa makina, jo sepse i kemi inat makinat, porse siç atëherë u çliruam pushtuesit, sot duhet të çlirohemi nga një pushtues tjetër që është smogu dhe ndotja në Tiranë. Edhe me kërkesë të shumë qytetarëve, që një herë në muaj ne të kemi një ditë pa makina, kemi zgjedhur që kjo të jetë data 29”, tha Veliaj.

Sipas tij, i gjithë bulevardi, Unaza e Vogël, do të jetë e mbushur me aktivitete, ndërkohë që në darkë do të vijohet me Natën e Bardhë.

“Rikthejmë traditën e Natës së Bardhë në Tiranë, ku do të kemi një koncert të madh në sheshin “Skënderbej” me këngëtarin John Newman, të cilin të rinjtë e qytetit e kanë shumë për zemër”, deklaroi Veliaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura