Lin Delija, nga vendi i shqiponjave drejt lirisë

Aug 7, 2015 | 13:10
SHPËRNDAJE

Tashmë puna e tij nuk është pjesë vetëm e koleksioneve private apo galerive. Me të tashmë mund të njihet kushdo, duke zbuluar një botë të panjohur e mistike që gjallon në tablotë e tij. “Lin Delija piktor i nëntëqindës: Nga vendi i shqiponjave, në fluturim drejt lirisë”, (“Lin Delija pittore del novecento: Dal Paese delle aquile in volo verso la libertà”), kështu titullohet katalogu që prezantohet sot në Antrodoko, vendin ku jetoi për një kohë të gjatë dhe mbylli sytë piktori shqiptar.

Piktori Lin Delija
Piktori Lin Delija

Ky aktivitet i organizuar nga Shoqata Kulturore “Lin Delija”, nuk është i pari në llojin e vet, që synon njohjen më të thellë të artistit, i cili u nda nga jeta në prill të vitit 1994. Katalogu që prezantohet sot nuk është thjesht një qasje divulgative me publikun, as një përmbledhje e një pjese të veprave të tij, por një dokumentim i evolucionit të tij stilistik dhe të variacionit tematik në krijimtarinë e piktorit, lidhur ngushtësisht me kaq shumë gjëra të vogla, ngjarje, që i kanë rrënjët në jetën e përditshme.

Prezantimi i katalogut në Kishën e Santa Chiara-s do të bëhet nga prof. Vittorio Sgarbi, i cili prej kohësh ka shprehur një interes të veçantë për veprën e artistit. Është ai që ka shkruar edhe parathënien e katalogut, të mundë- suar në bashkëpunim me komunën e Antrodokos. 

***
VITTORIO SGARBI

Është një ngjarje, artistike dhe humane, domethëniet e së cilës kapërcejnë kontekstin e vetëm lokal të Lin Delisë, artistit shqiptar, tashmë të ndarë nga jeta më shumë se 20 vjet më parë, i lidhur prej një momenti të caktuar të jetës së tij, e më tej, me Antrodokon, qendrën e qendrës së Italisë, një vend që historia e artit e përmendte si vendi i lindjes së Carlo Cesit, piktorit që në Romë ishte një referencë e rëndësishme për artistët e tjerë të Rietit, si për shembull, Antonio Gherardi.

Kritiku Vittorio Sgarbi
Kritiku Vittorio Sgarbi

Në Itali, që me vendin e tij të origjinës gëzonte raporte kulturore të veçanta, shënjuar nga komunitete të shumta shqiptare që gjatë shekujve u ngulën përgjatë vijës lindore të Çizmes, por që me fashizmin, kishte fshirë brutalisht pavarësinë e saj, Delija mbërrin nga ekzili katolik, duke u nisur nga Jugosllavia, në arrati nga një regjim i ri, kësaj here komunist, që atje vetëm në pak kohë, për të dhënë një ide të nivelit të tij të qytetarisë, kishte dënuar me dhjetë vjet burg Sherif Merdanin, sepse imitonte rock and rollin e Adriano Çelentanos.

Delija kishte tashmë një formim artistik, i cili ishte thelluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb dhe që vendos ta çojë më tej në një institucion analog në Romë, gjatë viteve të ethshme që shoqëronin Rindërtimin tonë, duke marrë mësime nga mjeshtër ndër më të dëgjuarit, si Mafai e Bartoli.

E paevitueshme, me këto supozime, zhvillimi nga ana e Delisë i një vokacioni ekspresionist në përputhje me rizbulimin e Francës moderne që përfshin shumë nga arti italian mes viteve ’40-’50, për t’iu kundërvënë nacionalizmit dominant të epokës fashiste; ushtrohet, në veçanti, në gjetjen e figurës së vet piktorike në terrene që mund të ishin kufizuar mes dy ekstremeve të mëdha, nga njëra anë mësimet e Cezanne-s, i parë si paraardhës i kubizmit, në të cilin vërehet shpërbërja e ngjyrës afruar dhe funksionale ndaj një ideje specifike të formës, shpirtit gjeometrik (l’esprit de geometrie); nga ana tjetër ai i Matisse-s, e ndoshta edhe më shumë të emulgatorit dhe rivalit Van Dongen, edhe për preferencën e tij për subjektin femëror, kaq të dashur për Delinë, ku në të vërtetë është forca e pastër e elementit “fauve”, e ndezur, plot jetë, e realizuar me elemente semantike e kromatike primare, të cilat mbahen të gjitha në sipërfaqe, duke u bërë zotëruese.

Vendoset një e mesme e lëvdueshme mes këtyre botëve të ngjashme e të kundërta, e Delija e individualizon- për shembull, me sa duket i ndikuar nga Bartoli, thellë-thellë asnjëherë nuk i harroi vlerat e vizatimit, edhe pse një mbështetës i bindur i drejtimit koloristik i ndërmarrë nga arti italian- në përqendrimin grafik, me synimin për të mbledhur rreth pak tablosh, të ngjeshura, strukturalisht të formuara, distanca mes intuitës piktorike dhe krijimit të përmbushur, në mënyrë për të ruajtur në maksimum fluksin emotiv që artisti impenjohet t’i transmetojë atij që vëzhgon veprën e tij.

Është një grafizëm sintezash, i vetëdijshëm për rëndësinë e veçantë të vijëzimit dhe të hijes, që e ndeshim më së shumti në pikturat me karakter të fortë bocetistik e narrativ, më të arriturat e Delisë, duke zbuluar në bërthamë aftësi të mëdha të një grafisti profesionist që ndoshta kishin merituar një studim më të madh, përderisa herë pas here kapen shenja kulturash artistike të ndryshme nga ato të evokuara deri më atëherë, duke dëshmuar interesat e shumëfishta ekspresive të shqiptarit. Mendoj, për shembull, ndjeshmërinë e veçantë që Delija rezervon për subjektin fetar, tregues i një besimi të sinqertë dhe një aderimi të plotë në misionin ungjillor, në të mirë të më të thjeshtëve, e përkthyer në tone të forta e të ndjera, edhe të dhimbshme, të ngarkuara gjithsesi nga një frymëzim shpirtëror i ngjeshur, ndarë mes Daumier e Roault apo në orfizmin grotesk a lá Ensor, edhe më tepër a lá Dongen, që buron nga disa prezantime të kostumeve moderne, e shënjuar nga një sensualitet rinor i përbashkët, që më në fund çlirohet, në një mënyrë që përgjithësisht duket të nënkuptojë një gjykim pozitiv, por jo pa fshehur ndonjë pështjellim nga natyra pagane e manifestimit të tyre.

Mendoj gjithashtu, duke ndryshuar tërë- sisht objektin e vlerësimit, për shijen sllave të një lloj simbolizmi të vonë të perceptueshëm, për shembull, në kompozicionin e zgjatur të “Adultera”, figurativisht e përkryer, i qaset me vetëdije modernitetit kinematografik të një inkuadrimi a lá Sergio Leone.

Në vitet e tij të fundit, që sipas të njohurve, të shënjuara nga një lloj zhgënjimi (Shqipëria e çliruar nga diktatura, në të cilën nuk arrin të gjejë veten, për shqiptarët e pritur në mënyrë të padenjë nga italianët, për raportin jo gjithnjë të thjeshtë “leopardin” me vetë Antrodokon), Delija e adreson gjithë eksperiencën e tij artistike dhe jetësore në mësimdhënie, në një akademi lokale, në vetminë e bekuar të Mentuçias, që i dedikohet kujtimit të Carlo Cesi-t. Është bukur t’i gjesh së bashku Delinë dhe Cesin, në Pinakotekën e Antrodokos, secili duke folur, në atë rrip të botës, në kohën e tyre të shkuar, të dy, ende në gjendje të komunikojnë me të tashmen tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura