Ish-Spitali Ushtarak, mes Qendrës së Traumës e QSUT

Aug 3, 2015 | 11:32
SHPËRNDAJE

Ndodh edhe kështu. Në të njëjtin kat spitali të bashkëjetojnë shërbime që varen nga dy njësi të ndryshme. Bëhet fjalë për atë që njihet si Spitali Ushtarak, sot i ndarë mes Qendrës Kombëtare të Traumës dhe asaj Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kjo ka sjellë çorganizim për personelin mjekësor e më shumë për pacientët, të cilët nuk dinë në cilën zyrë të drejtohen.

Familjarë të pacientëve në pritje
Familjarë të pacientëve në pritje
Artan Distafa, nëndrejtor i Qendrës Kombëtare të Traumës, tregon për gazetën bashkëjetesën mes dy klinikave dhe situatën e krijuar në spital. “Deri në këtë dhomë i kemi nën kujdesin tonë, kurse të tjerat janë në varësinë e QSUT-së”, thotë Distafa, duke treguar me gisht dhomën 7, atë që bënte ndarjen midis dy njësive të një spitali, por që, në thelb, të dyja kujdesen për të njëjtët të sëmurë. Edhe kur hartohet grafiku me rojet e natës, zakonisht dy ortopedë, dy kirurgë dhe dy reanimatorë, dy ditë e kryejnë mjekët e QSUT-së dhe një ditë ata të Traumës. “Momentalisht jemi dy klinika. Kati i parë dhe gjysma e katit të dytë varen nga ‘Nënë Tereza’ QSUT, kurse ne varemi nga Spitali i Traumës”.

FONDET
Ndarja e një kati mes dy klinikave të ndryshme nuk është problemi më i madh. Përbëjnë shqetësim pasojat që sjell për qytetarët. Janë mjetet e dhënies së ndihmës së parë që herë ndodhen e herë jo në klinikën e QSUT-së. Në të tilla raste, ata detyrohen t’i marrin në pjesën tjetër të katit të dytë, në mënyrë që të realizojnë mjekimin. “Kur vijnë të sëmurët e traumatizuar në urgjencë, ndihma e parë jepet nga mjekët e QSUT-së, të cilët punojnë me materialet tona, si allçi, jod, fashë e të tjera”, bën me dije Distafa.

Familjare ne dhomen e nje pacienti
Familjare ne dhomen e nje pacienti
Rrallëherë, por ndodh që këtë gjë ta bëjnë edhe mjekët e Spitalit të Traumës, të cilët marrin mjekime në klinikën ngjitur. Si rregull, QSUT-ja duhet të ketë një fond të posaçëm për mjekime, por pyetja lind ku shkojnë ato. “Urgjenca është e spitalit tonë, ata bëjnë vetëm roje, duke përdorur materialet tona. Kur llogaritet fondi, në fillim të vitit i paguajmë ne, jo ‘Nënë Tereza’. Është ky lloj organizimi që nuk të lejon dot të bësh as përdorimin, as kontrollin e fondeve”.

Amullia më e madhe krijohet kur asnjëri prej spitaleve nuk i disponon, ndërsa pacientët “kërkojnë llogari” në dyert e drejtorisë së Traumës, pa ditur se shërbimi përkatës varet nga QSUTja. Kjo e fundit duhet të ketë parashikuar fonde. E njëjta situatë krijohet edhe në rastet kur një pensionist, invalid apo i sëmurë duhet të marrë një fletë kempi. “Marrin vërtetimin dhe vijnë në zyrën tonë, kur në fakt duhet të shkojnë te ‘Nënë Tereza'”, sqaron nëndrejtori i Traumës. Por dhënia e sqarimeve është kthyer tashmë në pjesë të përditshmërisë së mjekëve, pavarësisht mbilodhjes nga operacionet që në këtë periudhë janë shtuar ndjeshëm. 

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura