27 femrat që nuk mundën të festonin Vitin e Ri

Dec 30, 2012 | 11:15
SHPËRNDAJE

Në këtë prag ndërrim vitesh, një homazh për të gjitha ato femra të vrara gjatë 2012-ës. Për arsye banale, plot 28 vajza, gra, nëna u vranë nga prindërit, bashkëshortët, të dashurit. Psikologët shpjegojnë se cilat janë shkaqet që e çojnë një burrë të ngrejë dorën ndaj një gruaje. Flasin psikologët Edmond Dragoti, Anila Sulstarova dhe deputetja dhe aktivistja për të drejtat e gruas, Eglantina Gjermeni.

Femrat e vrara gjatë vitit 2012

Një pëllëmbë nuk është veç një pëllëmbë, është kambanë alarmi… “Të vrasësh gratë është në modë”. Kështu e ka quajtur gazeta italiane “L’Espresso” një shkrim të përpara disa kohëve, ku fliste për fenomenin në rritje të grave të vrara prej burrave. “Ky i yni është mbi të gjitha një problem kulturor”, – përfundon shkrimi. Po ky i yni çfarë është? A mos pretendojmë shumë nëse dalim edhe ne në të tilla konkluzione? Sidoqoftë, për arsyet që i shtyjnë partnerët e tyre në veprimin e fundit nuk do më t’ia dijë asnjëra prej 27 grave që janë vrarë këtë vit në Shqipëri. Mund të ngjajë i trishtë trajtimi i kësaj teme në vigjilje të ndërrimit të viteve, ama edhe ato kishin të drejtën për të gëzuar, për të festuar në atë botën e vogël ku mundeshin. Edhe pse, me gjasë, shumica prej tyre mund të mos e ketë përdorur ndonjëherë fjalën “festë”. Sepse vdekja nuk ishte e keqja e parë dhe e fundit që u ra për pjesë. Varfëria, dhuna fizike e psikologjike, i shoqërojnë këto raste vazhdimisht. Raste që ende edhe sot vazhdojnë të jenë të heshtura. Të pyesësh në Gjykatën e Tiranës dhe jo vetëm, do të mësosh se ka gra të cilat nuk mund të divorcohen dot nga burrat sepse nuk kanë para të paguajnë tarifën e divorcit. 12.000 lekët që duhen dorëzuar bashkë me padinë mund të mos kenë qenë kurrë në xhepin e asnjërës. Sot, në rrugët e Tiranës të ndalin në rrugë policë të dehur që, përveçse s’u shohin sytë kur të kërkojnë dokumentet, sillen keq. Po më larg, në zona jo kaq të “kulturuara” sa e jona, çfarë presim të ndodhë?!
“Gëzimi e ka kryer këtë krim në kushte të rënda depresioni”;
“Xhemal Abazi e ka vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri për motive të dobëta”; “Vergjinushe Hasani, 43-vjeçarja u vra nga bashkëshorti i saj Agron Hasa për motive xhelozie”.
Çfarë do të thotë një vrasje për “motive të dobëta”? A mos i mbështesim ne, pavetëdijshëm, këta të ashtuquajtur burra duke thënë se në sytë e tij pamë lot, se ishte penduar… se ajo kishte një tjetër dhe ai këtë nuk e duronte. Po depresionit? Po varfërisë? Cilët burra, cili politikan, cili ligj e cili psikolog mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje?!
Raste të tjera kurrë mos pastë, por do të ketë, për sa kohë do të ketë edhe gra që duan të jenë të lira, të pavarura, pse jo, të vetme. Burrat i kanë vrarë sepse duan të jenë ata poseduesit. Xhelozia e tyre ka marrë një konotacion negativ. Sepse tek e fundit, të jesh xheloz/e për partnerin, nuk duhet të kthehet në gjë të shëmtuar.
Xhelozia, ajo e mira, as ka të bëjë me duart e zeza. Po nëse është e vërtetë që ka xhelozë patologjikë, është po aq e vërtetë që është e pamundur më pas të vuajnë apo të jenë penduar. E pamundur! Ata që vrasin (por edhe ata që rrahin, fyejnë, dhunojnë) janë të trembur nga mundësia se mund të humbin objektin mbi të cilin kanë fuqi. Sepse të gjitha kronikat e vrasjeve nisin kështu: “Pas sherrit në familje… mbeti e vrarë”. Kush vret dikë sepse nuk bëri atë që i urdhëroi të bënte, është i çmendur. Ne për këtë mund vetëm të flasim, duke shpresuar që njëfarësoj, edhe mund të ndihmojmë. Por ato gra kanë nevojë për ndihmë konkrete, që fundvitin tjetër të mos themi më “Pse është shtuar dhuna ndaj grave?”. Lidhur me këtë kemi marrë mendimet e dy psikologëve, Anila Sulstarovës dhe Edmond Dragotit, si dhe deputetes së Partisë Socialiste, aktiviste për të drejtat e grave, Eglantina Gjermeni.

Femrat e vrara gjatë vitit 2012
Më 2 shkurt
Eleni Basho laborante u qëllua me tre plumba dhe mbeti e vdekur. Sulmi ndaj viktimës ndodhi 30 metra larg banesës së saj. Ajo humbi jetën rrugës për në spital. Eleni Basho ishte nënë e dy fëmijëve. Një nga pistat kryesore të hetimit të çonte tek i shoqi, Ilia, i cili mendohet ta ketë vrarë të shoqen për shkak të pasurisë, që ishte në emrin e Elenit. Ndërkaq u zbulua se Ilia kishte edhe një marrëdhënie jashtëmartesore. Çështja mbetet e pazgjidhur…

Më 2 shkurt
Po atë datë, Tirana do të tronditej nga një tjetër vrasje. Në rrugën “Komuna e Parisit” u vra Megi Jokiçi, 25 vjeç. Policia pohoi se Megi, dentistja e re, u vra aksidentalisht, teksa ishte duke parkuar makinën e saj, në kohën kur persona të paidentifikuar hapën zjarr nga një makinë në drejtim të Aleksandër Goçajt dhe Genti Marës. Atë natë Megi do të pinte një kafe të vonë me të fejuarin dhe kushërirën e saj. Kafja e saj u pi për mort…

Më 3 mars
Në fshatin Luzhë të Tropojës vritet Naime Abazi, 41 vjeçe, nëna e 4 fëmijëve. Ajo u vra në dhomën e gjumit nga bashkëshorti i saj Xhemal Abazi, 50 vjeç. Sipas Policisë, Xhemal Abazi e ka vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri për “motive të dobëta”. Vetë 50-vjeçari ka pranuar se e ka vrarë gruan pasi “ajo e kundërshtonte”.

11 mars
Arze Biba, 47 vjeçe, nënë e 4 fëmijëve, mbeti pa jetë pasi u qëllua me armë zjarri nga i shoqi 50-vjeçar, Irfan Biba. Nuk ka mjaftuar kjo, por vrasësi ka shkëmbyer edhe zjarr me Policinë e Kukësit, pasi për 6 orë refuzoi kërkesën për t’u dorëzuar derisa ka ngelur i plagosur rëndë. Sipas Policisë, autori, me arsim të lartë, vuante nga depresioni, madje kishte marrë dhe mjekime.

22 mars
Tenton të vrasë vëllain për pronat, por plumbi i mori jetën  vajzës 31-vjeçare që u fut t’i ndante. Në fshatin Zhejë të Kurbinit humbi jetën Lule Cara. Viktima u fut të ndante përleshjen mes babait dhe vëllait të saj, Llesh Cara e Aleksandër Cara me xhaxhain e saj, Mark Cara, por mbeti e vdekur. Policia arrestoi autorin në vend, duke zbardhur dhe motivet e ngjarjes.

Më 27 mars
Vritet në vendin e punës Leonora Kaloçi, arkëtarja e “NBG Bank”. Krimi ndodhi gjatë një tentative për të grabitur filialin e bankës, që ndodhet në zonën e Xhamllëkut në Tiranë. Autori është Viktor Gushi, i akuzuar për të tjera vrasje dhe grabitje. Leonora, 43 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, vdiq rrugës për në spital nga plagët e marra.


Më 19 prill

Mbetet e vrarë Lahe Sina, 52 vjeçe. Autori i krimit është bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Çermë të Lushnjës. Shazivar Sina, 60 vjeç, ka qëlluar me çifte të shoqen. Shkak për këtë vrasje dyshohet se ka qenë gjendja e vështirë ekonomike dhe borxhet e shumta që kishin bashkëshortët. Fillimisht burri tentoi të mbronte veten, duke thënë se e shoqja ishte vetëvrarë, por Policia konfirmoi vrasjen, duke arrestuar bashkëshortin.

27 prill
Vëllai vret motrën me çifte, se kishte dëgjuar fjalë për të. Ngjarja ndodhi në fshatin Madhesh të komunës Ulëz. Viktima 27-vjeçare, Shqiponja Miza, u qëllua me çifte nga i vëllai, Mirash Miza, 38 vjeç, i sapokthyer nga emigracioni. Sipas familjarëve, prej ditës së kthimit ai vetëm zihej me të motrën dhe vazhdimisht ndodhej në gjendje të dehur. Autori nuk ka shprehur pendesë që i mori jetën së motrës.

Më 11 maj
E konsideruar si një viktimë “pasioni”, vritet në Toshkëz të Lushnjës Rajmonda Sota. 23-vjeçarja u qëllua në një lokal me armë nga shtetasi Erjon Cjapi. Sipas Policisë, vrasja ka ndodhur për “motive të dobëta”. Cjapi kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me viktimën dhe donte të rikthehej me të. Ai e qëlloi të renë në lokalin në pronësi të familjes së bashkëshortit të saj. Si pasojë e plumbave humbi jetën dhe një i ri. Nga ana tjetër, familja e Sotës denoncoi se autori e kishte kërcënuar shpesh të renë.

31 maj
Burri 72-vjeçar, Ismail Lelaj, qëllon për vdekje të shoqen 55 vjeçe, Thellëza Lelaj. Krimi ndodhi në fshatin Berdenesh të Sarandës. Pasi ekzekutoi gruan, Lelaj vrau dhe veten. Për shkak të diferencës së madhe të moshës u dyshua se krimi ndodhi për shkak të xhelozisë. Fëmijët e çiftit ishin ndarë prej tyre dhe nuk i dinin motivet.

Më 14 qershor
Në Kir të Shkodrës u vra Marie Çuku, 17 vjeçe, bashkë me gjyshin e saj, Kolën, 70 vjeç. Të dy kishin dalë për të punuar në tokat e tyre pranë shtëpisë, kur një breshëri automatiku ua preu jetën në mes. Sipas Policisë së Shkodrës, pista e krimit është ajo e gjakmarrjes. Vrasja e Maries u bë shkak për nisjen e një sërë protestash masive në vend, kundër gjakmarrjes dhe veçanërisht ndaj vrasjes së fëmijëve dhe femrave.

Më 4 korrik
Në Lapardha të Beratit u vra Alma Gjata. 35-vjeçarja u godit me sëpatë nga bashkëshorti i saj, Sokol Gjata, 40 vjeç. Krimi ndodhi ndërsa çifti i bashkëshortëve ishte duke punuar në serrën e tyre, vetëm një km larg shtëpisë. Sipas Policisë, dyshohet se Sokol Gjata e ka vrarë bashkëshorten e tij, nënë e dy fëmijëve për motive xhelozie.

Më 14 korrik
Në Shëngjin, vëllai masakron familjen e motrës dhe më pas vetëvritet. Sandër Prendi ka qëlluar me armën e shërbimit Dane Prendin, 45 vjeçe, të shoqin e saj italian dhe plagosi të birin e saj, 9 vjeç. Më pas, ai ka vënë armën në kokë dhe është vetëvrarë. Pas hetimeve paraprake u dyshua se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Një histori, e cila thuhej se vazhdonte prej 10 vitesh.

Më 28 korrik
Në fshatin Brenog të rrethit Has, Gëzim Muslika vrau gruan Pranvera, 30 vjeçe. Ai e ka qëlluar bashkëshorten e tij me pistoletë. Pranvera ishte nënë e 3 fëmijëve. Sipas Policisë, Gëzimi e ka kryer këtë krim në kushte të rënda depresioni. Muslika i ka bërë rezistencë Policisë, duke mbajtur për disa orë peng të atin dhe fëmijët e tij.

Më 2 gusht
Në Tiranë Arben Koxhaj vrau gruan, Manjola Koxhaj. Ishte mesnatë kur ai e ka goditur bashkëshorten e tij 6 herë me thikë në trup. 32-vjeçarja ishte nënë e 2 djemve të mitur. Sipas të afërmve, Arbeni, i cili vazhdimisht ishte në gjendje të dehur, dhe Manjola kishin zënka të shpeshta midis tyre. Autori u vetëdorëzua në polici.

Më 1 gusht
Në Dukagjin të Shkodrës, Mirash Bregu vrau vajzën 14 vjeçe Marjanën dhe më pas vrau veten. Mirashi, bashkë me vajzën dhe dy djemtë më të vegjël, kishin rreth një muaj që qëndronin në verim në shtëpinë e tyre në mal. Në momentin e krimit ajo ka dalë dhe ka tentuar të ikë nga stani për t’u kthyer në shtëpi. I ati e ka ndjekur, duke e qëlluar me armë gjahu. Më pas ka qëlluar edhe veten. At e bijë u gjetën shumë pranë njëri-tjetrit, afër tyre dhe arma e krimit.

Më 7 gusht
Në Tiranë, në ish-Fushën e Aviacionit, vritet Fatbardha Tafa. 37-vjeçarja u sulmua me thikë nga Aldo Hoxha, ndërsa ky i fundit po tentonte t’i rrëmbente viktimës një varëse floriri nga qafa. Fatbardha Tafa, nënë e dy fëmijëve, kishte ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri dhe të takohej me familjarët e saj. Fatbardha kishte 5 vjet që jetonte në Itali dhe kishte ardhur për të takuar dhe qëndruar tek e motra e saj, Lumturia.

Më 12 shator
Në Qafë-Thanë u gjet e pajetë Fatjona Sula. Nëna e dy fëmijëve u masakrua me gurë në kokë nga Çelnik Maliqi, 27 vjeç, me të cilin kishte pasur lidhje intime. Sipas deklaratës që mësohet të ketë bërë në Polici, vrasja është kryer në kushte të rënda psikologjike. Autori dyshonte se e dashura e tradhtonte. Trupi i pajetë i gruas u gjet nga një bari i zonës.

Më 24 shtator
Në Lezhë vritet Miranda Shtjefni. Po atë ditë u vra edhe bashkëshorti dhe fëmija i tyre. Autori i vrasjes është Kastriot Zhupa, 38 vjeç, fqinj me viktimat. Shkak për këtë ngjarje u bë një makineri që ishte marrë borxh. Zhupa u bë personi i parë që u shkishërua nga kisha për këtë krim.

Më 30 shtator
Për motive xhelozie, në fshatin Podgorie të Korçës vritet Eliverta Çoçka, nga ish-i dashuri i saj, 52-vjeçari Viktor Rozani. Ky i fundit e qëlloi ndërsa Çoçka po kryente marrëdhënie seksuale me një bashkëfshatar të sajin. Pasi i qëlloi të dy, Rozani qëlloi dhe veten, duke shënuar krimin më të rëndë.

Më 6 tetor
Në zonën e Laprakës, në Tiranë, vritet Rolanda Doku. 36-vjeçarja është qëlluar me pesë thika nga bashkëshorti, Edmond Doku, 44-vjeçar. Arsyeja: dyshohet për shkak të urdhrit që kishte lëshuar gjykata që ky i fundit të mos i afrohej Rolandës. Doku nuk ka lejuar që askush t’i afrohej viktimës për t’i dhënë ndihmën e parë, për t’u siguruar që ajo të ndërronte jetë. Dëshmitar në ngjarje ka qenë djali 10-vjeçar i çiftit.

Më 11 tetor
Një vrasje do trondiste Durrësin, ku Shaban Norja, 80 vjeç, vrau Ajshe Vatën, 18 vjeçe. Pasi Ajshe Vata nuk pranoi të abortonte fëmijën që kishte me Shaban Norjen, ky i fundit e ka ekzekutuar, duke i prerë dhe fshehur kokën. Ajshja dhe Shabani kishin një lidhje prej 4 vitesh. Sipas hetimeve, i moshuari rezultoi të ishte personi i vetëm që kishte kryer krimin, duke bërë që të mbyllen përfundimisht hetimet për krimin makabër.

Më 19 tetor
Në Durrës vritet Lime Dedej, ajo u vra nga bashkëshorti i saj, 48-vjeçari Bujar Dedej. Ky i fundit e ka goditur gruan e tij me çekiç në kokë pas një zënke mes tyre. Pas arrestimit, Dedej deklaroi se e kishte qëlluar gruan, pasi ajo kishte kryer veprime imorale, duke takuar njerëz të ndryshëm, ndërkohë që ai ishte në punë.

26 tetor
Në fshatin Belishovë të Ballshit vritet Azbie Myftari, 52 vjeç, bashkë me të shoqin. Çifti u vra dhe më pas u dogj në shtëpinë e tyre nga një bashkëfshatar, i cili tentoi t’i grabiste paratë e kasafortës. Vetë i riu i arrestuar e mohoi se kishte lidhje me paratë, por tha se viktima e kishte prekur në dinjitet.

Më 12 nëntor
Në Elbasan vritet Vergjinushe Hasani; 43-vjeçarja u vra nga bashkëshorti i saj, Agron Hasa, për motive xhelozie. Vetë autori i arrestuar pas krimit deklaroi se e kishte ekzekutuar të shoqen për të shpëtuar të birin, të cilin e kishin rrahur njerëzit e të dashurit të bashkëshortes së tij.

Më 10 dhjetor
Në Vlorë vritet Manushaqe Çeliku. 33-vjeçarja ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e tretë. Ajo u vra me sqepar nga Shpëtim Çeliku, bashkëshorti i saj. Ky i fundit e ekzekutoi gruan dhe më pas detyroi dy vajzat e vogla të flinin me kufomën për 2 net me radhë, derisa një fqinje lajmëroi Policinë. Pas arrestimit, Çeliku tha se gruaja e kishte tradhtuar me një tjetër.

12 dhjetor
Në Fier qëllohet 14 herë me thikë 49-vjeçarja Ahsinja Krytha. Nëna e dy fëmijëve u masakrua ndërsa kthehej në shtëpi. Ende nuk ka autorë për këtë krim. Sipas Policisë, pas rindërtimit të dinamikës së ngjarjes, autorët kanë pasur njohje me gruan dhe për motive që ende nuk dihen e kanë eliminuar atë.

 

 

Eglantina Gjermeni: Nga 2590 gra të intervistuara, 56% janë të dhunuara
Në ditën që në parlament do të ratifikohej Konventa e këshillit te Evropës “Parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ndër të tjera, Eglantina Germenji, deputete e Partisë Socialiste, aktiviste në mbrojtjen e të drejtave të grave, ka thënë:  “Statusi dhe pozicioni i grave në një shoqëri të caktuar varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe social si dhe niveli i demokracisë së saj. Ajo që shikojmë në realitetin tonë rëndom është që gratë dhe vajzat kanë përjetuar edhe përjetojnë varfëri, papunësi, diskriminim gjinor dhe moshor, përfaqësim të ulët në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, akses më të pakët në shërbime shëndetësore edhe sociale, dhunë në familje, etj, probleme të cilat tregojnë se jemi ende larg një shoqërie ku të drejtat e grave zbatohen dhe respektohen si pjesë e të drejtave të njeriut. Në vitin 2009, Instituti i Statistikave së bashku me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët ndërmorën një vrojtim kombëtar mbi dhunën në familje. Ky ishte vrojtimi i parë kombëtar, i cili ofroi shifra të plota e të detajuara mbi dhunën në familje. Ai tregoi se nga 2590 gra të intervistuara, të paktën 56% pohuan se kishin pësuar një nga format e dhunës në familje.  Të gjitha këto pasqyrojnë mos ekzistencën e shtetit, dobësimin e institucioneve të tij, mungesën e efektivitetit në parandalimin, zbulimin e dënimin e krimit. Të gjithë këta shkelës të ligjit dhe marrës të jetës, do të kishin ku e ku më shumë frikë për të vrarë, nëse shteti, qeveria që duhet të drejtonte punët në këtë vend, do të ishin në funksionin e tyre institucional e ligjor. Shteti e ka humbur betejën me krimin, sepse jeta shoqërore ka degraduar e po degradon vijimësisht prej papunësisë dhe mungesës së shërbimeve publike. Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët në qendrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore. Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, varfëria papunësia, mungesa e shpresës, niveli i lartë i stresit, mentaliteti dhe tradita, ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i njerëzve mbi dhunën në familje por edhe agresiviteti i jetës në Shqipëri nisur nga agresivitieti edhe i politikës dhe modeleve që transmetohen prej saj”

Edmond Dragoti: Kriza ekonomike shkakton konflikte
Të flasësh a të pyesësh gjithë psikologët e botës, nuk mund të përjashtojnë në asnjë rast varfërinë, si shkaktare kryesore të dhunës në familje. Kësaj i mëshon edhe psikologu Edmond Dragoti, si njërën nga hallkat kryesore të arsyeve që i bëjnë burrat të vrasin gratë. “Shkaqet janë ekonomiko-kulturore, por kryesisht ekonomike. Krizat financiare i shtojnë konfliktet në familje dhe fakti që jemi pjesë e një krize të tillë, bën që edhe rastet të jenë shtuar. Varfëria, papunësia i shtyn qeniet më të forta të luftojnë ato të dobëtat që, në shoqërinë tonë, duhet thënë se janë gratë dhe fëmijët. Stresi, depresioni, që mund të jetë sërish si pasojë e varfërisë, është një tjetër motiv. Krizat shoqërore e politike që karakterizojnë vendin tonë, nuk e lehtësojnë këtë situatë. Duhet shtuar pastaj që ne jemi vend me traditë patriarkale. Të gjitha këto janë arsyet kryesore që mund të çojnë drejt një akti të dënueshëm, pastaj rrethanat individuale janë specifike”. Në fakt, vërtet njëri rast mund të ndryshojë nga tjetri, por fundi është i ngjashëm për të gjitha.

Anila Sulstarova: Impotenca mashkullore është problemi
Kur flet për impotencën, psikologia Anila Sulstarvova nuk i referohet asaj seksuale. “Rrethana e vetme që mund të çojë një burrë të kryejë një krim ndaj partneres së tij apo ndaj një femre cilado qoftë, është sipas meje, impotenca mashkullore, jo në aspektin seksual, por në tërësi e të qenët mashkull. Pamundësia për të qenë i tillë rrit agresivitetin e tij. Të qenët i ngushtë, i pazoti për të menaxhuar veten, për të marrë përgjegjësitë e tua, të rrisin dëshirën për të asgjësuar tjetrin. “Tjetri” në këtë rast është pasqyra ku ti sheh të reflektuara të gjitha pafuqitë e tua. Pasqyra ku këta meshkuj impotentë shohin dështimet e tyre, është gruaja dhe bëhen të dhunshëm ndaj saj, derisa pasqyra thyhet”.

ANI JAUPAJ & ELIDA DOMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura