Flet deputeti i PR, Agron Duka: Në Durrës blerje masive votash, as unë s’do ta përballoja

Jun 24, 2015 | 9:17
SHPËRNDAJE

Deputeti republikan i qarkut të Durrësit, Agron Duka, e lexon si blerje votash rezultatin e thellë në Bashkinë e Durrësit me 13 mijë vota diferencë të kandidatit të majtë Vangjush Dako, përballë kandidates së djathtë Grida Duma.

Agron Duka

Ai shprehet se në Durrës u përdorën të gjitha mënyrat e mundshme për të tjetërsuar vullnetin e votuesve, ndërsa e shikon një mision të pamundur përballimin e kësaj fushate edhe nëse do të kishte qenë ai vetë përballë Dakos. Duka shprehet se nuk gjen më njerëz idealistë që të punojnë për drejtimin politik ku besojnë, ndërsa përballë kanë njerëz me para që duan të blejnë dhe kontrollojnë gjithçka.

Si e vlerësoni rezultatin për Bashkinë e Durrësit?
Për mua procesi zgjedhor në Durrës është totalisht i cenuar. Kemi një blerje masive votash.

Mendoni se nëse do të kishit kandiduar ju, do të kishim një rezultat tjetër?
Përballë kësaj blerjeje masive të votave, edhe unë nuk kisha se çfarë t’i bëja Vangjush Dakos. Në Bashkinë e Durrësit janë përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për të tjetërsuar vullnetin e votuesit; janë blerë njerëz që votonin tradicionalisht djathtas, me blerje votash direkte te njerëzit, me presione për vendin e punës, me premtime për një punë, për një tender, me regjistrime dhe lëvizje fiktive të njerëzve etj., etj. Ka qenë një proces i mirorganizuar që ka disa muaj që ka filluar dhe i dha rezultatin “spektakolar” sipas Vangjushit, por është një rezultat për të ardhur keq për qytetarët dhe zgjedhjet në përgjithësi. Me këtë proces që ka ndodhur në Durrës, dëshmohet fakti se nuk ka më zgjedhje.

Mos kishte defekte fushata e Partisë Demokratike në Durrës?
Jo absolutisht, Partia Demokratike dhe kandidatja e saj Grida Duma bëri një fushatë të qetë, qytetare, të argumentuar më mirë se kushdo tjetër, me program, me takime me njerëzit të cilët e përkrahnin sepse u prekte hallin që kanë duke u ndjerë pranë tyre dhe në fund, asgjë nga këto nuk ka vlerë, sepse në fund paraja dhe interesi devijon çdo gjë. Por të fitojë Vangjush Dako që kërkon mandatin e tretë me 11 mijë vota, me gjithë ato dëme që i ka shkaktuar Durrësit, kjo është çudia më e madhe që ndodh vetëm në Shqipëri.

Do të kishit sjellë ju një rezultat tjetër përballë Dakos në Bashkinë e Durrësit?
Nuk do të kishte asnjë efekt përballë kësaj blerjeje masive në çdo krah as kandidimi im. Edhe po të isha unë, s’do kishte ndonjë përmbysje të këtij rezultati. Unë mendoj se, veçanërisht këto zgjedhje, treguan se ka ikur koha e idealistëve, njerëzit janë bërë pragmatistë, varfëria i detyron njerëzit të tjetërsohen dhe të shikojnë nga interesi i ditës. Nuk gjen më njerëz që të jenë të qëndrueshëm, që të mbrojnë votën në komisione apo në procesin zgjedhor, shikohet vetëm interesi material. Duhet të kesh pare të madhe dhe një ushtri të tërë njerëzish që të përballosh zgjedhje të tilla. Mbështetja financiare e PD-së ishte e dobët përballë 12 milionë eurove të Dakos. Kushdo që të jetë nuk e përballonte dot. Me se ti motivonte Grida njerëzit, kur tjetri përballë blinte gjithçka. ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura