Liri Lubonja: Kadare prishi miqësinë me ne, do të “pastrojë” biografinë

Jun 19, 2015 | 16:12
SHPËRNDAJE

Nga të gjitha përplasjet që i shkaktoi jeta, therjet, zhgënjimet, një ndër ato që e ka vështirë ta përcjellë është prishja e miqësisë me Kadaretë. Në librin e saj me kujtime, “Kohë të reja, kujtime të vjetra” (botimet “Barleti”), Liri Lubonja i ka kushtuar një kapitull më vete miqësisë së saj dhe bashkëshortit Todi Lubonja me çiftin Kadare, Ismailin dhe Elenën.

ÇIFTI KADARE DHE ÇIFTI LUBONJA NE AMBASADEN E SHQIPERISE NE VJENE 1992

Duke iu referuar mënyrës se si shkrimtari e ka paraqitur marrëdhënien me Todi Lubonjën, kryesisht te libri i tij më i fundit “Mëngjeset në kafe Rostand”, autorja përshkruan lidhjet me ta, vajtje-ardhjet te njëri-tjetri, gjithë librat me dedikime të dhuruara nga Kadare, mbrojtjen që Todi i ka bërë gjatë viteve të diktaturës, por edhe këshillën që të mos bëhet anëtar partie. Liri Lubonja rendit arsyet pse Kadare është distancuar prej tyre, teksa thotë se Kadare kërkon të “pastrojë biografinë”, duke u larguar nga çdo gjë që e lidh me sistemin e kaluar. Sipas saj, asgjë nuk ka më shumë rëndësi se miqësitë dhe e vërteta.

“Ndonjë mik më ka thënë se këtë e bën për të paraqitur një Kadare tjetër përpara të huajve, nga të cilët kërkon çmime. Po a janë çmimet gjëja më e rëndësishme për një shkrimtar? A vlejnë çmimet më shumë se miqësitë dhe e vërteta? Megjithatë, nuk pretendoj të hyj këtu në një analizë të veprës së Kadaresë. Ua lë këtë më të rinjve që besoj se, për të nxjerrë të vërtetën, do të merren edhe me ballafaqimin e atyre që ka shkruar Kadareja në kohë të ndryshme. Shpresoj se në analizën e tyre do t’i ndihmojnë sadopak edhe këto kujtime të mia”, shkruan Lubonja.

TAKIMI ME KADARETË
I papritur, i habitshëm ishte takimi në rrugë diku në qendër të Vjenës me dy miq të vjetër, Elena dhe Ismail Kadarenë, thuajse pas tridhjetë vitesh. Në shtator të vitit 1991, kishim marrë nga Kadareja librin e tij “Nën peshën e Kryqit”, botuar në Paris nga shtëpia botuese “Fayard”, pas largimit të tyre nga Shqipëria me dedikimin: “Todit dhe Lirisë me dashuri nga autori-Ismail Kadare, Paris 31.8.1991”.

Kishim lexuar atje vlerësimet për Todin si “Gorbaçovi i parakohshëm shqiptar”, “Buharini shqiptar”, si dhe një pasazh të librit ku, pasi rikujton fillimin e kapitullit të shtatë të romanit “Pallati i ëndrrave” dhe gjendjen tejet të rëndë që përjetohej pas kritikave të Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të në RTSH, shkruan: “Ishte shi ajo kohë kur Todi Lubonja, i cili e kapi i pari përmasën e së keqes, më tha frazën e paharrueshme: “Në atë romanin me koka të prera që më ke thënë se po shkruan, a ke ndonjë vend për kokën time?”.

Një “e folur” e tillë, e Todit, ishte karakteristikë e tij, e bisedave tona me ata që i konsideronim miq. Ismaili dhe Elena kishin bërë pjesë ndër këta; të paktën nga ana jonë thënia pa doreza e gjërave me miqtë ndryshonte shumë nga marrëdhëniet që krijoheshin rëndom mes njerëzve në atë pushtet të mbrapshtë e sidomos mes intelektualëve, që përshkoheshin nga mosbesimi, frika, mungesa e sinqeritetit, hipokrizia e gjithçka tjetër që mendohej se e ruante njeriun nga të këqijat që mund t’i vinin. Me këto ndjenja miqësie të vjetër u takuam me Kadaretë në Vjenë. Ismaili ishte ftuar për promovimin e librit të tij “Koncerti”. Biseda filloi sikur të mos ishte ndërprerë ndonjëherë.

Drekuam së bashku. Pati edhe humor kur Todi i sugjeroi zgjedhjen e tij President të Shqipërisë. U ndamë për t’u takuar përsëri aty në Vjenë. Këtë herë u mblodhëm në Ambasadën e Shqipërisë. Ismaili dhe Elena, të arratisur nga Shqipëria, nuk duhej të hynin në ambasadë, e cila njihej si territor i shtetit shqiptar, porse deshën të kishin edhe një takim tjetër me ne, meqenëse të nesërmen do të largoheshin nga Vjena (Elena madje erdhi me nga një dhuratë për Todin dhe për mua). Ambasadori Zef Mazi dhe punonjësit e ambasadës i pritën me ngrohtësi. Edhe Christine fon Kohl qëndroi dhe bisedoi një copë herë me Ismailin. Një mbrëmje e ngrohtë ajo që kaluam atje. Përveç Christine fon Kohl, ishin dhe Mariona Feik, Fatosi, djali ynë, i cili qe ftuar në Vjenë në një konferencë dhe disa miq të tjerë shqiptarë. Të nesërmen, ambasador Zefi, na bëri mua dhe Todit një shëtitje të gjatë në Vjenën e bukur.

* * *
Sot që shkruaj këto radhë, megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar në raport me miqësinë që kemi pasur me Kadaretë në atë kohë, që më kanë bërë të reflektoj jo pak. Kjo lidhet me ndryshimin e Kadaresë gjatë viteve ndaj të vërtetës dhe miqësive të tij të asaj kohe për shkak të punës tashmë të njohur nga ana e tij për ta “pastruar” biografinë deri sa ta paraqisë veten si kundërshtar të atij sistemi dhe atij regjimi që kur ka filluar të shkruajë. Për mua është e pakuptueshme kjo përpjekje pasi i duhet të shpjegojë se pse ishte lidhur aq ngushtë me njerëz të pushtetit në atë kohë dhe pse ka shkruar tërë atë letërsi që është botuar atëherë, kur paska qenë aq i qartë.

Liri dhe Todi Lubonja në Lezhë-1973

Nuk dua të zgjatem në kujtimet me Kadaretë, po disa gjëra, ashtu siç i kujtoj unë, më duhet t’i them në emër të asaj të vërtete, por edhe në emër të kujtimit të Todit. Në një libër të fundit të Kadaresë: “Mëngjeset në kafe Rostand”, në disa faqe ku shkruan për tregimin e tij “Ditë Kafenesh”, Todin e gjeta të përshkruar nga Ismaili si një “njeri i zyrave të ftohta”, tek i cili ai nuk kishte besim aq sa t’i hapej për veprat që i mbante në sirtar në fillimvitet ’60, sepse qe kundër pushtetit. (Duke harruar edhe se ç’ka shkruar për Todin në vitet ’90 te “Pesha e kryqit”.) E vërteta është se Todi ishte atëherë anëtar i Komitetit Qendror, mik i Ramiz Alisë, që qe personi më i lartë në Parti që mbulonte letërsinë dhe artet. Afrimi i Ismailit me ne, deri në krijimin e një miqësie familjare, është ndikuar pa dyshim edhe nga kjo – se Todin e shihte si një mbrojtje dhe mbështetje në karrierën e tij letrare, duke pasur parasysh edhe rivalitetin dhe ambiciet e disa të tjerëve në atë fushë.

Por miqësia, nga ana jonë, u lidh edhe për shkak se ne e çmonim sinqerisht talentin e tij. Po të shohësh dedikimet e librave të Ismailit shkruar dhe botuar gjatë diktaturës e që i kemi në bibliotekën e familjes (madje është edhe një vëllim me format të vogël me poezi në gjuhën ruse, blerë në Librin Sovjetik) aty do të gjesh se raporti i tij me Todin ka qenë mjaft i afërt, edhe pse nuk mund të mos të të bjerë në sy sot se asnjëherë nuk mungon fjala “shoku” përpara emrit të Todit. Madje, në botimin e parë të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, dedikimi është edhe për mua: “Sh. Todi dhe Sh. Liri, me dashuri dhe respekt. I. Kadare, Tiranë, 2 shkurt 1964”. Më pas dedikimet i drejtohen vetëm Todit me një stil ku duket një konfidencë në rritje me kalimin e viteve. Në vitin 1972, një vit përpara goditjes së Todit, janë dy dedikime që flasin shumë.

Në botimin e dytë të Gjeneralit… i shkruan: “Sh. Todi, me dashuri nga autori këtë libër që nga motivi i vdekjes ka nxjerrë pavdekësinë e vet. 27 prill 1972, I. Kadare” dhe më poshtë ka shënimin: “Në një ditë të gëzuar telefonate”. Po atë vit, disa muaj më vonë në botimin frëngjisht të “Kështjellës” i shkruan: “Sh. Todi, nga autori, këtë libër të përgjakshëm ku sulmet pa shpresë kundër kështjellës më janë aq të ngjashme me sulmet e kritikëve dhe mediokërve të cilët kam vite që i vështroj me përbuzje nga lartësia e pirgjeve. Ismail Kadare, Tiranë, 28 qershor 1972”. Nuk mungojnë dedikime as në vitin e goditjes së Todit, 1973. Botimin anglisht të Gjeneralit… ia ka dhuruar me rastin e ditëlindjes, 13 shkurt, “Sh. Todi në 50-vjetorin e lindjes me dashuri, autori I. Kadare”.

Nuk mungon edhe dedikimi për librin e fundit që Todi e kishte lexuar që në dorëshkrim ,”Dimri i vetmisë së madhe”: “Sh. Todi me dashuri nga autori I. Kadare, 5 prill 1973”. Por më shumë se këto dedikime, për miqësinë tonë flet edhe mbështetja që i ka dhënë Todi në vite të cilën, së fundi, ai sot jo vetëm nuk e kujton me mirënjohje, por edhe e përçudnon. Ndryshe nga ç’mendonim për shumicën e të tjerëve, Kadarenë ne e fusnim në radhën e shkrimtarëve modernë, librat e të cilëve kishim mundësi t’i merrnim nga biblioteka e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe ajo e Universitetit Shtetëror – megjithëse qenë të vulosur me germën “R” – apo edhe t’i blinim, veçanërisht në kohën kur Drago Siliqi u bë drejtor i Shtëpisë Botuese që merrej edhe me tregtimin e librit. Kishte edhe shkrimtarë keqdashës ndaj Ismailit, që e kritikonin Todin sepse, sipas tyre, ai lexonte dhe njihte vetëm Ismailin si shkrimtar të letërsisë së re shqipe. Dikush tjetër e kishte emërtuar si mecenë të tij.

E vërteta është se që kur ishte Sekretar i Parë i KQ të Rinisë, Todi e kishte përkrahur Ismailin (ashtu sikurse edhe Fadil Paçrami) – çka ka ndikuar edhe në përkrahjen që i bëri vetë Enver Hoxha kur në Lidhjen e Shkrimtarëve, Ismaili së bashku me Dritëroin dhe Fatos Arapin u sulmuan nga ata që u quajtën “konservatorët”, për përdorimin e vargut të lirë. Dhe kjo përkrahje bashkë me miqësinë vazhdoi duke u rritur deri sa ne u goditëm. Kur ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, Todi botoi në gazetë në një faqe të tërë, të tretën, poemën e Ismailit “Përse mendohen këto male” që ishte në varg të lirë. Më kujtohet se e pritëm jo pa shqetësim se si do të reagonte Enver Hoxha sepse qe thyer një traditë: asnjëherë “Zëri i Popullit” nuk kishte botuar poezi. Aq më tepër kur e dinim se dy-tre vjet më parë Enver Hoxha e kishte thirrur Todin në zyrën e tij dhe i kishte dhënë një dush të ftohtë sepse kishte ndryshuar faqosjen e gazetës.

Por jo, këtë herë “Zeusi” nuk lëshoi asnjë rrufe, përkundrazi, ishte kënaqur shumë dhe kishte marrë në telefon në Lidhjen e Shkrimtarëve vetë Ismail Kadarenë për ta përgëzuar. Por të mos harrojmë se “Përse mendohen këto male” nuk ishte kundër Partisë, përkundrazi, i thurte himn asaj, por me një stil letrar të ndryshëm nga i rëndomti i shumicës së shkrimtarëve që ishin propagandistë të Partisë. Dhe këtu lind pyetja: çfarë kanë përfaqësuar Todi dhe Ismaili në atë sistem?

Si paska pasur në sirtar Ismaili dy romane (për të cilët, nga ish-miq të tij si Nasho Jorgaqi është akuzuar se i ka shkruar tani vonë) dhe shkruante edhe “Pse mendohen këto male”. (Çfarë moral shkrimtari është ky?!) Todi ishte një njeri i udhëheqjes që e ndjente gjithnjë e më shumë injorancën e atij pushteti dhe përpiqej të bënte diçka ndryshe, ashtu sikurse dhe Kadaresë i rrinte gjithnjë e më ngushtë reduktimi i letërsisë në propaganduese të thjeshtë të kësaj injorance.

Dhe kjo i kishte bërë bashkë, kundër asaj pjese që më vonë u quajtën “konservatorët”. Po më mirë le ta shpjegoj këtë me historinë që ka sajuar Ismaili në librin e tij ku flet për “Ditë Kafenesh”. Brenda kontekstit dhe kufizimeve të asaj kohe – “Zëri i Rinisë”, në kohën që Todi ishte Sekretar i Parë i KQ të Rinisë, kishte fituar simpatinë, respektin e shumë amatorëve të letërsisë me botimin në faqet e saj të poezive, tregimeve, kritikave letrare që patën jehonë. Gazeta shfaqte më shumë kurajë se shtypi tjetër në fushën e krijimtarisë. Ishte si të thuash më liberale – siç u përdor ky term për ta dënuar këtë frymë në vitet ’70 – edhe pse bënte edhe propagandën e Partisë.

Kjo provohej nga fakti se pati shkrimtarë militantë dogmatikë, sektarë, të pakulturuar, që flisnin keq për gazetën “Zëri e Rinisë” dhe që jo vetëm nuk na mbështesnin, por edhe na kritikonin. Me këtë konflikt lidhen edhe kritikat që u bënë për tregimin “Ditë kafenesh” pasi u botua. Ne e botuam atë, me sa kujtoj, pikërisht me sugjerimin e Todit. Dhe as që bëhet fjalë për ndonjë ndalim të botimit që sipas Kadaresë, qe pjesë e një romani që ai e kishte shkruar në Moskë që më 1959 dhe për të cilin “njerëz të zyrave të ftohta” si Todi dhe “ndihmësi” i tij, s’duhet ta merrnin vesh kurrë. Unë isha zëvendëse e kryeredaktorit. Kritikat erdhën nga njerëz të letrave e kritikë letrarë që i quajta më sipër “dogmatikë”, “konservatorë”, me argumentet se kishim botuar një letërsi që, sipas tyre, denigronte rininë shqiptare, e paraqiste atë se ulesh nëpër trotuare e gjëra të tilla.

Këto qenë kritika që erdhën pasi tregimi ishte botuar dhe jo ashtu si i paraqet Ismaili sikur ishte bërë nami lart, përmbi Todin, dhe ky nxinte e ishte aq shumë i frikësuar dhe i shqetësuar, saqë edhe të nesërmen sapo ishte zgjuar kishte thënë me vete “Ditë kafenesh” e kishte menduar se çfarë autokritike të fortë do të bënte. Kjo është e gjitha një sajesë e turpshme. Siç e thashë, Todi e mbështeti botimin dhe Kadareja vazhdoi të botojë në “Zërin e Rinisë” dhe shtypin tjetër, duke pasur gjithnjë mbështetje të fortë nga Todi, udhëheqës të tjerë deri të vetë Enver Hoxhës. Kjo ka vazhduar deri sa Todi u godit në vitin 1973 si liberal, kurse Ismaili shpëtoi për arsyen që do ta them më pas.

Fërkimet, rivalitetet apo ambiciet midis atyre që për thjeshtësi i quajta “liberalë” dhe “konservatorë” në letërsi dhe art, që kërkonin të ndikonin deri te udhëheqja e lartë, vazhduan gjatë viteve ’60 dhe e vërteta është se qoftë Todi, qoftë Ismaili bënin aq sa mundnin. Këto përpjekje kishin të bënin edhe me një kërkesë për hapje më të madhe ndaj Perëndimit edhe me shpresën se Enver Hoxha do t’i mbështeste – siç u duk se ai bëri në fillimvitet ’70. Dhe e them me bindje – dhe ka ende njerëz që mund ta vërtetojnë – se në kritikat ndaj atij sistemi dhe asaj mënyre të bërjes politikë, dhe kërkesës për një hapje, Todi ishte shumë më i avancuar se Ismaili. Aq e vërtetë është kjo, sa që kur Ismaili i tha se kishte vendosur të hynte në Partinë e Punës, Todi, i cili kishte kohë që jetën në atë Parti e kishte një peshë nga e cila vetë nuk çlirohej dot, por që s’mund t’ua këshillonte njerëzve që i donte, i tha: “Ç’të duhet ty hyrja në Parti?”, Ismaili iu përgjigj se këtë hap po e bënte meqë donte të dinte se çfarë thoshin në organizatën bazë të Lidhjes për të.

Ne, si të vjetër e të regjur nëpër organizatat bazë të Partisë – edhe me Agim Meron patëm biseduar me humor për këtë “tekë” të Ismailit – kujtonim sesi “ruheshin sekretet” e diskutimeve që bëheshin nëpër organizatat bazë. Organizata e Lidhjes e pranoi kërkesën e Ismailit dhe, sipas rregullit, ai filloi stazhin e “punës fizike” te xha Pilua (Peristeri), në Uzinën e Traktorëve. Megjithatë, asnjeri nuk e mendonte në atë kohë se ai sistem do të binte. Një shpresë që kishin “liberalët”, veçanërisht në kohën e liberalizmit, ishte se Enve Hoxha do t’i përkrahte këta dhe jo ata që u quajtën konservatorë. Në këtë periudhë, kujtoj se kemi kaluar disa ditë të bukura me Elenën dhe Ismailin edhe në Korçë, ku Todi qe gjatë viteve 1969 – 1972 sekretar i dytë. Ata erdhën në shtëpinë tonë për disa ditë të ftuar nga ne. Bëmë së bashku edhe një udhëtim në Ersekë për në shtëpinë e poetit të talentuar, të mirënjohur, Dhori Qirjazi.

Dinim denigrimin që i bëhej nga udhëheqja e pushtetit në Ersekë për shkak të biografisë, ndoshta qe edhe kjo që na shtyu të shkonim t’i uronim martesën. Ishte koha e liberalizmit, pra, edhe Todi, që kishte një dobësi të veçantë për ata që i konsideronte të talentuar, i shkoi për mbështetje. (Një mbështetje të tillë i ka dhënë edhe Bilal Xhaferrit.) U mirëpritëm prej Dhorit dhe së shoqes. Nuk e merrnim me mend atë kohë se kjo vizitë do t’ia pasuronte të gjorit Dhori biografinë me një të keqe tjetër. (Ma tregoi vetë kur u kthyem nga internimi në Tiranë dhe u takuam pas kaq shumë vitesh në Bibliotekën Kombëtare). Kur filloi fushata kundër liberalizmit, Dhorit nuk kishte si të mos i përmendej fakti se kishte pritur në shtëpi një armik të popullit dhe të Partisë.

Edhe Todit i dhanë atë që i “takonte”: “Ke shkuar në një familje që ka qenë kundër LANÇ-it”. Kjo ishte me pak fjalë koha kur ne kemi pasur marrëdhënie me Kadaretë. Po pse nuk u godit edhe Kadareja në atë kohë, siç edhe u fol? Ishte koha kur sapo kishte botuar “Dimrin e madh” dhe një pjesë njerëzish kërkuan ta fusnin edhe këtë libër në veprat liberale, por më kujtohet se Todi tha që në fillim se atij nuk do t’i ndodhte gjë pasi e mbronin 80 faqet që kishte shkruar për Enver Hoxhën në atë libër dhe se libri kishte kaluar nëpërmjet Ramizit në duart e Enver Hoxhës që përpara botimit. Diktatorit i leverdiste më shumë imazhi që Kadareja i kishte bërë për ta paraqitur në Perëndim, sesa goditja e tij.

* * *
Todi nuk i mbajti mëri pasi u lirua për kritikat që Kadareja lëshoi kundër tij në fushatën kundër liberalizmit, pasi ato i konsideronim si një gjë e bërë nën shtrëngesë, rutinë e asaj kohe. Kështu, pas viteve ’90, kur Elena me Ismailin filluan të vinin në Shqipëri nga Parisi, bisedat bëheshin si të mos ishin ndërprerë ndonjëherë. Takimet tona qenë kryesisht të rastësishme, zakonisht në lulishten e bar “Piazza”.

Ne na pëlqente humori i Ismailit, megjithëse atë disa e karakterizojnë si njeri që nuk di çfarë është humori. Nuk vazhdoi kështu për shumë kohë. Shkaqet e ftohjes qenë disa. Ne nuk na erdhi mirë që në botimin shqip të librit “Nga një dhjetor në tjetrin”, që kishte botuar në Francë, Ismaili kishte hequr një fotografi me Todin që e kishte në librin frëngjisht. Sipas nesh, shkaku kryesor i ftohjes ishte se Todi në atë kohë shpejt u identifikua si kundërshtar i Sali Berishës dhe i maxhorancës në pushtet, që Ismaili e mbështeste. Një mik i mirë edhe mund të konsultohej – thamë ne.

Menduam në fillim thjesht se zgjedhjen për Sali Berishën ai e kishte bërë ngase mbështetja tek i pari ishte për të tashmë sëmundje e vjetër kronike. Por më vonë u duk qartë se ai kërkonte të largohej sa të ishte e mundur nga e kaluara “komprometuese”. Ai deshi të distancohet nga të gjithë ata që e kishin mbështetur e që identifikoheshin me atë regjim, duke filluar që nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha e duke arritur deri te Todi, i cili u mbeti besnik disa idealeve të majta të rinisë, kurse Ismaili as sot nuk është e qartë nëse është i majtë apo i djathtë.

Ftohja përfundimtare erdhi kur Fatosi në revistën e tij “Përpjekja” botoi një artikull “Nacionalizmi dhe Arti”, ku vepra e Kadaresë kritikohej për frymën nacionaliste dhe në shërbim të regjimit të Hoxhës; pastaj artikullin replikë me Bashkim Shehun, “Edhe vepra e Kadaresë duhet parë nën dritën e së vërtetës”. Pas kësaj, çifti Kadare nuk e ndjeu më nevojën e takimit me ne kur vinte në Shqipëri. Dreqi e mori! – them edhe sot me vete. Vërtet miqësia jonë mori fund nga artikulli i Fatosit, apo ky njeri ka pasur gjithnjë tjetër kuptim nga ne për miqësinë? Megjithatë, kur Todi u nda nga jeta në nëntor të vitit 2005, Elena me Ismailin erdhën në shtëpi. Në ikje, Elena më tha se do të vinte të më takonte, gjë që e mirëprita me dëshirë, sepse e kam dashur gjithnjë dhe do të kisha mundësi të çmallesha me të, por nuk erdhi.

Kadria, motra e Ismailit, të cilën e takova rastësisht në rrugë, më tregoi “arsyen”. Sipas saj do të vinin, porse: “Ai djali yt ka shkruar përsëri një artikull aq të hidhur kundër Ismailit.” Më pas m’u desh të shihja edhe më keq: në një kritikë të Ismailit botuar në njërën nga gazetat e kohës. Ismaili, në vend që të merrej me argumentet e Fatosit, i cili ndryshe nga ne nuk e ka dashur veprën e tij as i ri, që kur filloi, së bashku me Madun, të birin e Petro Markos të shkruajë letërsi sirtarësh, na kishte futur familjarisht në një kazan, duke na quajtur “lubonjëria”. Pastaj më thanë se, Ismaili insinuonte me shkrim e me gojë se ne, pra “shoku Todi”, për të cilin kishte treguar tërë atë dashuri dhe respekt, qenkemi vllehë dhe se kjo origjinë dhe “pabesia vllehe” shpjegonte qëndrimet antinacionaliste të Fatosit që i referoheshin edhe veprës së Ismailit.

Nuk doja ta besoja se Ismaili e kishte thënë këtë, sepse mendoja se, veç të tjerash, ai do të duhej t’i vlerësonte vllehët si një nga komunitetet më të ndritur të vendit dhe jo të ishte shpërndarës i stereotipave raciste që ne komunistët, për hir të së vërtetës, edhe i kishim luftuar, por edhe i kishim stimuluar me ekzaltimin e njeriut të ri shqiptar. Nëse Ismaili nuk njihte figura të tilla të ndritura të së kaluarës, vllehë si Naum Veqilharxhi apo Aleksandër Moisiu, si nuk e dinte se edhe shokë, miq të tij si Jakov Xoxa, Nasi Lera, Aleksandër Banushi, Sandër Prosi e të tjerë ishin vllehë? Po Elena, e shoqja, si ndjehet – mendova – kur dëgjon këto sepse edhe nëna e saj, Vita, ishte bijë e një familjeje të nderuar të vllehëve të Fierit, Bozove?

Që Lubonjët nuk ishin vllehë, unë e kisha mësuar rastësisht dhe e kisha pritur me indiferencë më 1947 kur erdhi te ne nga Korça një e afërt e vjehrrit tim, i cili, duke më folur për të, më tha: “Maqka (Thomaidha) është e vetmja nga fisi jonë që është martuar me një vlleh”. E si do të më bënte përshtypje ky fakt kur ne as i njihnim dhe as i pranonim ndasitë, përçmimin apo nënvleftësimin e këtij apo atij komuniteti? Përndryshe edhe unë vetë, trashëgimtare e një familjeje shehlerësh, ndoshta vështirë se do të zgjidhja si shok të jetës një të krishterë. Paragjykimet për komunitetet e bashkatdhetarëve mbetën gjithnjë të huaja për ne dhe fëmijët tanë. Kur e diskutuam “zhvleftësimin” që na kishte bërë ish-miku ynë, Fatosi ngulmoi në të tijën: “Ju e keni dashur dhe çmuar si shkrimtar, por për mua këto që shkruan vërtetojnë tezat e mia për të, si shkrimtar dhe si njeri”.

Pas asaj që lexova në librin e fundit “Mëngjeset në kafe Rostand”, që më bëri ta rishikoj këtë kapitull, m’u kujtua jo vetëm kjo thënie, por edhe ai argumenti që përdorin disa, se duhet ta ndajmë Ismailin-njeri nga Kadareja-shkrimtar. A qëndron ky argument? Ç’nevojë ka Kadareja-shkrimtar të bëhet njeri i keq me ish-miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij? Më bëri shumë përshtypje që po në këtë libër, kur përshkruhet Ramiz Alia duke informuar për rezultatet e bisedimeve të takimit më 1986 me RFGJ, përmend si me mospërfillje emrin e të dërguarit disa herë “një Sofo”. Është fjala për Sofo Lazrin. Siç e di unë nga Sofua, edhe ky ka qenë një nga miqtë e Kadareve, madje – i ftuar prej tyre edhe për darka në shtëpi – për të mos thënë se ishin edhe bashkëpunëtorë në kohën për të cilën shkruhet, sepse Kadareja në ato vite ishte deputet dhe zv i Nexhmije Hoxhës në Frontin Demokratik.

Ndër këta miq ka qenë edhe Agim Merua, që në pjesën e librit ku flitet për tregimin “Ditë kafenesh”, quhet thjesht “ndihmësi” i Todit, pa iu përmendur as emri e që jepet në një dritë edhe më të keqe se Todi. Duket se Agimi paraqitet kështu sepse Kadare nuk ia fal sinqeritetin që tregoi kur përshkroi vizitën e Nexhmije Hoxhës në shtëpinë e tij, duke dhënë provë më shumë në favor të asaj që pretendonte Nexhmija, se dorëshkrimin e librit “Dimri i madh” ai ia kishte dhuruar dhe jo siç pretendoi Kadareja, se Nexhmija ia kishte marrë me zor. Prandaj nuk di të them se sa qëndron argumenti i njeriut të keq dhe shkrimtarit të mirë – sepse kjo që bën në këtë libër është letërsi memuaristike.

A është letërsi e mirë ajo që falsifikon historinë? A mund të ndërtohet letërsi e mirë mbi gënjeshtrën? Ndonjë mik më ka thënë se këtë e bën për të paraqitur një Kadare tjetër përpara të huajve nga të cilët kërkon çmime. Po a janë çmimet gjëja më e rëndësishme për një shkrimtar? A vlejnë çmimet më shumë se miqësitë dhe e vërteta? Megjithatë, nuk pretendoj të hyj këtu në një analizë të veprës së Kadaresë. Ua lë këtë më të rinjve që besoj se, për të nxjerrë të vërtetën, do të merren edhe me ballafaqimin e atyre që ka shkruar Kadareja në kohë të ndryshme. Shpresoj se në analizën e tyre do t’i ndihmojnë sadopak edhe këto kujtime të mia.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura