Fqinjët e studentit të masakruar: E tmerrshme kjo që dëgjuam për djalin e Bujarit

Jun 20, 2015 | 18:54
SHPËRNDAJE

Familjarët e Xhuliano Brahimllarit, 22-vjeçarit nga Dukasi i Patosit, trupi i të cilit u gjet i masakruar në Belgjikë më 9 qershor, e kanë të vështirë të flasin për atë që ka ndodhur.

Viktima Xhuliano Brahimllari

Teksa kërkojnë të lihen të qetë, një prej xhaxhallarëve të Xhulianos shprehet se trupi i të ndjerit pritet të vijë të shtunën ose të dielën në vendlindje. Më tej, asnjë prej familjarëve të Xhulianos nuk arrin dot të nxjerrë një fjalë rreth asaj që i ka ndodhur në Belgjikë 22- vjeçarit Brahimllari.

Ndërkohë, banorët e fshatit Dukas shprehen se janë shokuar me atë që kanë dëgjuar se i ka ndodhur djalit të Bujar Brahimllarit.

Një banor, i cili nuk pranon të identifikohet, ka pohuar se e kanë mësuar një javë më parë lajmin se trupi i gjetur pa kokë e pa gjymtyrë në Belgjikë mund t’i përkiste djalit të Bujar Brahimllarit.

“Dëgjuam se edhe pse policia dyshonte se mund të ishte Xhuliano, nuk i kanë lënë familjarët që ta shikonin trupin pasi ajo që kishte ndodhur ishte e tmerrshme dhe ka qenë e papërballueshme për ta. Me sa kemi dëgjuar, ka qenë një prej xhaxhallarëve të të ndjerit që e ka identifikuar. Nuk e dimë pse ka ndodhur një vrasje e tillë, por mënyra se si është kryer, është makabre”, është shprehur ai.

Më tej, tregon se Bujar Brahimllari ka ikur në Belgjikë së bashku me familjen e tij që prej vitit 1992. Ndërsa e pyesim për shkaqet që mund të kenë çuar në vrasjen e Xhulianos, ai shprehet se nuk di asgjë, pasi 22-vjeçari ishte rritur në Belgjikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura