BSH: U ulën me 5.4 % pagat, u rrit papunësia. Familjet ulën konsumin për të paguar energjinë

May 14, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Fushata për pagesën e detyrimeve të prapambetura të energjisë ka detyruar ulje të konsumit për familjet shqiptare, të paktën për ato debitore.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Këtë vlerësim bën Banka e Shqipërisë në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Në bazë të këtij gjykimi janë vrojtimet e kryera me konsumatorët dhe biznesin.

KONSUMI DHE DRITAT

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit thekson se në tremujorin e fundit të vitit 2014, pati një ngadalësim të konsumit privat. Treguesi i tregtisë me pakicë ngadalësoi ritmin e rritjes në 4.1% në tremujorin e katërt, krahasuar me 9 mujorin që ka kishte rritje mesatare 5.4 për qind. E në këtë mes një ndikim e ka pasur edhe fushata për detyrimet e prapambetura të energjisë e nisur nga qeveria. “Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike dhe rënia e besimit theksuan sjelljen hezituese të konsumatorëve për të kryer shpenzime në këtë periudhë. Kjo u reflektua në masë më të madhe në uljen e konsumit të shërbimeve dhe të blerjeve të mëdha”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë gjykon se sjellja në tremujorin e fundit të 2014, si për bizneset dhe konsumatorët është trashëguar edhe në muajt e parë të këtij viti. “Treguesit e besimit sinjalizojnë për konsum të ulët edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2015. Treguesi i besimit në bizneset e degës së tregtisë u ul me 4 pikë përqindje, ndërsa treguesi i besimit konsumator ra nën mesataren afatgjatë në këtë periudhë”, vlerëson BSH në raport. Konsumi i brendshëm përmes investimeve edhe pse i ulët ka ndikuar në rritjen ekonomike, ndërsa kërkesa e huaj ka dhënë kontribut negativ.

PAGAT

Banka e Shqipërisë vlerëson se paga mesatare në ekonomi ka ardhur në rënie, të paktën referuar tremujorit të fundit të 2014. “Treguesi përafrues i pagës mesatare regjistroi rënie vjetore në tremujorin e katërt të vitit 2014. Në terma nominalë dhe realë, kjo rënie shënoi përkatësisht vlerat 4.6% dhe 5.8%”, thuhet në raport. Por tendenca rënëse në paga të paktën nga zhvillime që shihen në ekonomi pritet që të ndalet në tremujorin e parë të këtij viti. Banka qendrore e bazon këtë pritshmëri te vrojtimet e besimit që sinjalizojnë zhvillime më pozitive të ecurisë së pagave për janar- mars.

Sakaq në raport BSH analizon se papunësia mbetet një problem kyç me një nivel prej 18 për qind në fund të vitit 2014. “Presionet inflacioniste nga sektori real i ekonomisë kanë mbetur të dobëta, duke mbajtur inflacionin nën objektivin e Bankës së Shqipërisë edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2015. Rënia e treguesit të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe norma ende e lartë e papunësisë, tregojnë për burimeve të pashfrytëzuara të kapitalit dhe të punës në ekonomi, duke përçuar presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura