26 nëntori dhe rënia e shtetit

Dec 9, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

RIGELS LENJA rigels-lenja

Pothuajse një javë më parë, Shqipëria u godit nga një valë tërmetesh, ku kulmi arriti në 26 nëntor, me një tërmet të shkallës 6.3 rihter. Pasojat qenë katastrofale, mbi 50 të vdekur dhe qindra të plagosur. Dëme materiale që arrijnë shifrën e qindra miliona eurove. Askush nuk mund të thotë se tërmetet janë përgjegjësi e qeverisë dhe kjo e fundit as nuk i shmang dhe as nuk i parashikon. Disa orë para tërmetit të 26 nëntorit, qeveria shqiptare demonstronte në sheshin kryesor të Tiranës një flotë makinash policie “Range Rover”, me argumentin se do t’i jepnin goditjen e knock out krimit. Në Shqipëri, mbase rast i veçantë në botë, asnjë bandit nuk arratiset apo fshihet. Ata lëvizin lirshëm, kudo, edhe kur fshihen, e bëjnë këtë jo se kanë frikë shtetin, por se janë në konflikt me ndonjë të ngjashëm rival. Banditët shqiptarë nuk arratisen, ata dalin nga burgu si zotërinj nga dera kryesore. Shteti shqiptar ka buxhet për sheshe, bulevarde, palma, plepa, zyra, makina, hotele, po kurrsesi një buxhet për emergjencat. Buxheti i emergjencave as edhe për sasinë e karburantit të zjarrfikëseve nuk mjafton. Buxhet jo e jo, por edhe një “zagar” duhet ta huazojmë nga komshinjtë e krahut tjetër, të traut të të ashtuquajturit koncesionarit të Kukësit.

Tërmeti e kapi shtetin të papërgatitur. Mjafton të shikoje sa të papajisura ishin forcat e ndihmës së shpejtë dhe ato të emergjencës, për të kuptuar nivelin ku ndodhet shteti. Po një shtet që ka kamera, aparate fotografike e drone me bollëk. Po që në krahun tjetër nuk ka leva, lopata, vinça, kova, barela për ekipet e kërkim-shpëtimit në rast fatkeqësie. Me siguri, po të mos kishte bënë për ndihmën e ekipeve speciale të huaja, sot do ishim akoma duke gërmuar me thonj për të nxjerrë viktimat dhe bilanci do ishte më katastrofik.

Kryeministri e mori situatën në dorë. Në fillim nisi një tur vizitash, pothuajse çdo orë mes të prekurve apo familjeve të viktimave. E çuditshme ishte se pse duhet ta transmetonte të tërë këtë aktivitet live nga “Facebook”-u i tij. Madje, dukej se ishte gati të vishte uniformën e zjarrfikësit, vetëm e vetëm për të treguar se ishte edhe ai duke shpëtuar jetë. Askush nuk pret që drejtuesi më i lartë ekzekutiv i një vendi të japë zgjidhje në terren për çështje që janë teknike. Por, nuk u mjaftua me kaq, filloi një valë sulmesh, goditjesh ndaj medias dhe portaleve, a thua se këta ishin shkaktarët e tërmeteve apo kishin firmosur ndonjë leje ndërtim. Është e njëjta metodë si në rastin e Turqisë, në grushtin e shtetit të vitit 2016. Erdogan akoma pa dalë në skenë si qëndronte e vërteta, urdhëroi një sulm masiv ndaj medias dhe gazetarëve.

Por, historia nuk u mbyll me kaq. Në një dalje, dikujt i drejtohej se ti je mirë, se edhe mund të kishe vdekur. Diku tjetër e përzinte një qytetare se i përmendi ideatorin e betonizimit të Durrësit. Po për të kuptuar se jemi një shtet ku në qendër është njëshi, shikoje qytetarë që i luteshin shefit të ekzekutivit për t’u dërguar për ndihmë të specializuar fëmijët jashtë vendit. Kishte edhe nga ata, që i kërkonin strehim, çadra, tenda apo ushqim, mungonte vetëm t’i kërkonin bekimi për të na kthyer në republikë teokratike. Kjo duhet të ishin një kompetencë e një mjeku apo e përgjegjësit të emergjencave të zonës përkatëse, por kurrsesi e Kryeministrit. Kryeministri ngjante si një Khan mongol apo sulltan Otoman. Këta të fundit mbanin në duart e tyre të drejtën e jetës apo vdekjes.

Mbase edhe unë si shumë prej jush, jam gabuar me Edi Ramën. Ai është një nga politikanët më me këllqe që ka dalë nga radhët e socialistëve në këto dekada. Mbasi mori Bashkinë e Tiranës, ai e rivalizoi Fatos Nanon derisa ky u largua në vitin 2005. Ai që shikohej si një pasardhës i mundshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, u shpërfytyrua kur shefi i tij e urdhëroi që të vishte kominoshet dhe të merrte rrylin e bojës. Një sjellje aspak etike edhe për një politikan pa shtyllë kurrizore, një lavjerrës si Erion Veliaj. Ishte pikërisht ky i fundit, ai që u tregonte muskujt artistëve te Teatri apo banorëve tek “Astiri”. Por, që nuk guxoi t’i rikujtonte Edi Ramës se kryetari i bashkisë nuk është as marangoz, as bojaxhi. E sigurisht që jo, pasi Erioni e di mirë, se ai nuk e meriton të jetë aty ku është.

Ditën kur ish-kreu i Bashkisë së Durrësit rikthehej fizikisht në vendin e krimit, bashkinë e qytetit, përballë togave të zeza ulej Xhulia Aliaj. Ashtu siç thoshte edhe John Dicke, marrëdhënia e një vrasësi serial është e përjetshme me viktimat e tij. Ata e dinë që viktima e tyre nuk mund të ringjallet, por ata përherë kthehen në vendin e krimit. Mbase, si një mënyrë për të gjetur qetësinë shpirtërore të turbulluar apo për të mbajtur gjallë shpirtin e tyre, që ushqimin e vetëm e sheh te krimet që kanë kryer. Krimi më i madh i Xhulias ishte se kishte shpërndarë në “Facebook” një shkrim të gazetës së Vatikanit. Në ndryshim nga ish-kreu i bashkisë, që ka të drejtë për të tërhequr çmimin e “Mjeshtrit të Madh”, në perfeksionimin e sistemit një leje-votë-kovë beton. E ishte kjo trilogji që rriti kaq shumë numrin e viktimave. Atij i duhej të rikthehej edhe një herë, pasi e zgjedhura e tij e parë kishte dështuar. Ai e bëri përsëri zgjedhjen e radhës, mbështetur mbi rregullat e lojës, gërvisht e fito.

Durrësi është një zonë sizmike. Mënyra si është ndërtuar është kriminale. E pyetja është, në këto 15 vitet e bumit të ndërtimeve, kush ka qenë personi i parë përgjegjës për lejet e ndërtimit? Apo që çdo pallat është kthyer në një minë me sahat, duke i hequr themelet.

Me siguri, askush nga ata që lejuan, miratuan apo nuk reaguan, duke e kthyer Durrësin në një varrezë gjigante, të fjetur, të frikshme e mbresëlënëse, si ajo e post 26 nëntorit, edhe këtë radhë do shpëtojnë të palagur. Dikush do t’i hedhë fajin natyrës e dikush tjetër do ta gjejë atë te media.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura