Provimi i gjuhës së huaj, ja testi për maturantët

Apr 18, 2015 | 9:39
SHPËRNDAJE

Agjencia Kombëtare e Provimeve bëri dje publike pasqyrën e testit të provimit të parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj, që do të zhvillohet më 23 maj.

Risi e këtij viti është rritja e shkallës së vështirësisë së gjuhës që do të jepet provim, e cila është përcaktuar të jetë A2. Me anë të një tabele detajuese, AKP ka detajuar strukturën e testit, natyrën e pyetjeve dhe pikët për secilin seksion pyetjesh. Kështu, testi i gjuhës së huaj ndahet në tri pjesë: lexim, gramatikë dhe shkrim, të cilat do të hartohen nëpërmjet 25 pyetjeve, përgjigjet e të cilave, nëse janë të gjitha të sakta, sigurojnë 50 pikë të plota për maturantin.


Dy anekset e para do të jenë me alternativa që kanë 40 pikë, ndërsa pyetja e fundit që ka të bëjë me hartimin e një teksti të shkurtër në gjuhë të huaj, përmban 10 pikë. Në tabelën ngjitur specifikohet më qartë formati i testimit dhe pikët për çdo pjesë të testit. Hartimi i programit orientues të gjuhës së huaj, që është një ndër 3 provimet me detyrim që duhet të japin maturantët, bazohet në programin e gjuhës angleze, që përcakton njohuritë dhe shprehitë e domosdoshme gjuhësore, komunikuese dhe funksionale.

Testimi i parë për maturantët është sintezë e njohurive dhe shprehive të fituara gjatë mësimit disavjeçar në lëndën e gjuhës përkatëse, në aspektin tematik dhe atë gjuhësor. Në bazë të udhëzimit për Maturën Shtetërore, lista e gjuhëve të huaja që do të jepen si provim i detyruar, është: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Një format të ngjashëm testi do të kenë edhe ata që vendosin që si provim të detyruar të japin tri gjuhët e tjera.

PËRJASHTIME
Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014 dhe ende nuk kanë marrë diplomën, nuk do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj. Ndonëse manuali i maturantit përcakton qartë se gjuha e huaj do të jetë provim me detyrim për të gjithë maturantët, në manual kjo kategori përjashtohet. Ndërkaq, ata që rezultuan mbetës vitin e kaluar, do të duhet ta rijapin këtë provim. “Kandidatët e vitit të kaluar, që rezultuan mbetës në D3, janë të detyruar ta rijapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, që aplikojnë me A1Z, nuk do ta japin provimin e detyruar D3”, thuhet në manualin e maturantit.
BESARTA BASHA 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura