25 prilli/ Basha në Dibër: E njihni arsenalin e poshtërsive që është derdhur, më mirë se disa që komentojnë mendjelehtësisht nga Tirana

May 30, 2021 | 10:51
SHPËRNDAJE

Kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot takime me demokratët e Dibrës, ku theksoi se 25 prill nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë pasi shteti i bërë njësh me partinë dhe krimit mori format më të ashpra. 

E njihni po aq mirë arsenalin e poshtërsive që është derdhur, madje e njihni më mirë se disa që e komentojnë cektësisht dhe mendjelehtësisht nga Tirana masakrën zgjedhore të 25 prillit. Sepse këtu larg syve përtacë të disave në Tiranë, shteti i bëri njësh  me partinë, shteti i bërë njësh me krimin dhe oligarkinë merr forma edhe më të ashpra edhe më të dukshme duke mos i konsideruar si kundërshtarë politikë, si normalitet i pluralizmit, por si armiq, armiq për t’i përjashtuar, armiq për t’i hequr nga puna, armiq për t’i gjobitur, armiq për t’i goditur ju dhe familjet tuaja nga realiteti i dhimbshëm që gjithësecili prej jush e njeh fare mirë“, tha kryemokrati.

Fjala e Bashës

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra. Mirë se ju gjej themelues të Partisë Demokratike të degës së Dibrës,  qëndërestarë, intelektualë, drejtues të strukturave të partisë, forumit rinor, Lidhjes Demokratike të Gruas, zoti kryetar i degës, zoti drejtues politik, kandidatë për deputetë të Dibrës dhe të gjithë qarkut të Dibrës, të rinj dhe të reja, vëllezër  dhe motra  është nder dhe kënaqësi të ndodhem sot në mesin tuaj pavarësisht se jo në rrethanat që ma kishte dashur zemra për sa i përket asaj që shqiptarët donin, shpresonin dhe për të cilën investuan fuqimisht në 25 prill.

Por kjo nuk ka ndodhur për fajin tuaj, as  për fajin e demokratëve, as për fajin e shqiptarëve. Ju e dini më mirë se çdokush se masakra zgjedhore e 25 prillit ishte produkt i një makinerie veprimi i së cilës nisi këtu në Dibër në shtatorin e vitit 2016, u shtri  anë e mbanë vendit në qershorin e vitit 2017 dhe mori formën më  të egër që ka njohur në 30 vite pluralizëm në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Ne e dinim që po futeshim në një betejë të pabarabartë dhe për këtë  nuk kishim asnjë fije dyshimi, një një betejë që s’kishte lidhje me rregullat normale të demokracisë.  Por fakti është që ne u futëm apo kështu me besimin e madh se mobilizimi i  strukturave tona, ase bashkimi rreth vlerave tona do të  të frymëzonte një  dallgë të ndryshimit të shqiptarëve që do ta mundte regjimin njësoj si në vitin 1991 patëm të njëjtën shpresë.
Sepse fakti është vëllezër dhe motra se ne u futëm në betejë pak a shumë si në 91-shin pa asnjë pushtet përveç pushtetit moral, por vetëm me kauzën e qytetarëve me dëshirën dhe shpresën e tyre për ndryshim për ballë një makinerie shtetërore të bërë njësh me krimin dhe oligarkinë e cila e derdhi lumë paranë e korrupsionit të drogës, të krimit dhe të fondeve buxhetore në të gjitha format dhe mënyrat.

Ju e dini se për  çfarë po flas. E njihni po aq mirë arsenalin e poshtërsive që është derdhur, madje e njihni më mirë se disa që  e komentojnë cektësisht dhe  mendjelehtësisht nga Tirana  masakrën zgjedhore të 25 prillit. Sepse këtu larg syve përtacë të disave në Tiranë, shteti i bëri njësh  me partinë, shteti i bërë njësh me krimin dhe oligarkinë merr forma edhe më të ashpra edhe më të dukshme duke mos i konsideruar si kundërshtarë politikë, si normalitet i pluralizmit, por si armiq, armiq për t’i përjashtuar, armiq për t’i hequr nga puna, armiq për t’i gjobitur, armiq për t’i goditur ju dhe familjet tuaja nga realiteti i dhimbshëm që gjithësecili prej jush e njeh fare mirë.
Prandaj nuk do të lodhemi së thëni se  25 prilli nuk ishte asnjë lidhje me demokracinë.
Demokraci në një sistem politik që për shumëkënd mund të thotë vetëm një fjalë, demokraci, por jo për ne, jo për partinë demokratike.

E them këtë sepse shoh këtu themeluesit e Partisë Demokratike të cilët e kanë njohur dhe e kanë dashur vibrimin e demokracisë së vërtetë kur kemi dalë në sheshe e në rrugë për ta kërkuar.  Kemi dashur pluralizmin të mishëronte sistemin politik të dëshiruar e mohuar për 5 dekada diktaturë dhe ky sistem politik erdhi si një rreze shprese falë investimit të Partisë Demokratike, falë investimit të themeluesve dhe qëndërestarëve që janë sot  në mesin tonë të cilëve duhet t’ju jemi përjetë mirënjohës, ne brezi i ri e në veçanti  forumi rinor, të rinjtë e Partisë Demokratike për sakrificat 30-vjeçare.
Falë tyre e dimë se çfarë do të thotë një qeveri e njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit sikundër e dimë se çfarë do të thotë një qeveri e krimit nga krimi dhe për krimin.
E kemi parë me sytë tanë se çfarë arrin të bëjë një shtet një shoqëri, një komb kur udhëhiqet nga ato parime që ne i sollëm në jetë qoftë në ekonomi, qoftë të infrastrukturë, qoftë në integrime nga futja në NATO, dhe heqjen e vizave, nga afrimi me Bashkimin Europian janë të gjitha arritje  të këtyre vlerave që bashkë i ndajmë ne në familjen tonë politike, vlera të demokracisë së vërtetë e parandaj mbajtën vulën tuaj, vulën e demokratëve shqiptarë, vulën e Partisë Demokratike siç do arritje tjetër madhore në këto 30-vjet.

Dhe sot pas 30 vitesh kemi arritur në  një stacion kritik për vendin.
Është në rrezik sepse themeli i këtij sistemi janë zgjedhjet dhe mbi to ngrihet gjithçka, ngrihet legjitimiteti i parlamentit, i qeverisë,  instuticioneve të tjera.
Është në rrezik dyfish sepse në këto zgjedhje vendi nuk kishte asnjë insituticion të vërtetë të pakapur dhe insituticioni i vetëm që kishte mbetur ishte instuticioni i zgjedhjeve.
Është në rrezik sepse zgjedhje si ato të shtatorin të 2016-ës apo 2017-ës apo masakra zgjedhore e 25 prillit mohojnë të drejtën  themelore të qytetarëve të zgjedhë një qeveri, atëherë pushteti s’i takon më njerëzve, s’i takon më popullit, s’i takon më qytetarëve dhe vendi kthehet siç është kthyer këtu në Dibër e anë e mbanë vendit në peng të një pakice, të një pakicë brenda një pakice e cila nuk përfaqëson më interesat e njërzve dhe nuk lufton më për interesat e njërëzve por kthehet në një armike publike të interesave të njerëzve.

Demokratët e Dibrës e dinë fare mirë se ne dolëm në këtë betejë jo me kriminelë, por me njerëz të ndershëm, jo me paratë e korrupsionit dhe të drogës, por me program, me vizion, me zgjidhje. Si do të përballeshim me këtë regiim? Me te njëjtat mjete? Kush do të fitonte? Do të fitonte Shqipëria nga kjo. A do i duhej Shqipërisë siç e thoshte një mbështetësja jonë, një hajdut më i madh se Edi Rama, një mik më i ngushtë se Tom Doshi, me Qif Rakipin apo me Ymer Lalën.

A do I duhej Shqipërisë zëvendësimi i një pakice plaçkitësish me një pakicë tjetër plaçkitësish. Sigurisht jo. Dhe kjo eshte arsyeja se perse na ndoqën njësoj si në 91.
Ju demokratët e Dibrës e të mbarë Shqipërisë në një betejë të pabarabartë sepse besuam se këtë betejë ne nuk po e bënim as për karrigen time, as për karriget tuaja, por po e bënim për të sjellë ndryshimin që ata e kërkonin, e donin me 25 prill dhe e duan edhe më shumë sot.

E kundërta nëse do dorëzoheshim para këtij regjimi do të kishte vetëm të humbur, të humbur ne, të humbur Shqipëri.
Sepse në fakt pushteti që do të dilte nga bashkëpunimi me bandat nuk do na përkiste ne, do ti përkiste atyre, siç u takon sot atyre, prandaj si qesh buza socialistëve të thjeshtë, i keni parë besoj. I tillë është pushteti qe vodhi me 25 prill Edi Rama.
Nuk i përket atij, nuk i përket Partisë Socialiste por i përket një konglomerati politiko-kriminalo-oligarkik . Ju e dini kush janë, ju i keni parë me sytë tuaj makinat që endeshin ditët e fundit për të bërë shpërndarjen e parave, madje keni arritur ti ndalni në disa raste e ti tregoni Dibrës, e mbare Shqipërisë e mbarë botës instrumentin ose një nga instrumentat e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Kjo është diferenca midis nesh dhe këtij regjimi dhe unë nuk do të pranoj kurrë që të zëvendësojmë ca Banda me ca banda të tjera. Kjo që është rruga më e vështirë e përballjes është rruga e drejtë dhe rruga e vendosur për përmbysjen e regjimit. Unë e di që ky është edhe vizioni juaj sepse e di që në këtë fushatë ju investuat shpirtin tuaj, askush prej jush nuk shkoi me shuma me lekë me blerë vota, askush prej jush nuk shantazhoi qytetarët për kartat, nuk i kërcënoi për largim nga puna, nuk i premtoi mbjelljen e arës me hashash apo korrjen e hashashit, përkundrazi ata mendojne se do na besonin se jemi vlerat përballë antivlerave, kjo ishte rruga që na bëri më të fortë, na nxorri nga 25 prilli shume më të fortë se nga nje masakre zgjedhore disa fish më të rëndë sesa ajo e Dibrës para atyre katër viteve.

Prandaj këto pikëpamje falë levizjes tuaj, falë vlerave që përfaqësoni ne shënuam një arritje për demokracinë dhe për Shqipërinë. Partia Demokratike u bë edhe më e fortë, më e madhe dhe padiskutim një nga shembujt është Dibra dhe fitorja qe ju shënuat këtu në këtë qark, falë sakrificës, falë punës, falë vlerave, falë bashkëpunimit dibran.
Për këtë sigurisht mirënjohja ime eshte e pakufi, nuk shprehet dot me fjalë, në veçanti duke patur parasysh sakrificën e jashtëzakonshme njerëzore qe i kalon kufinjtë e asaj që do të bëjë një aktivist politik sepse rrebeshi ka rënë mbi ju dhe vazhdon bie mbi ju e mbi familjet tuaja. , kush mendon se me kaq mbaroi e ka shumë gabim, kush mendon se shqiptarët në Dibër apo anembanë Shqipërisë, kanë ndërmend të ngrenë duart dhe të pranojnë këtë masakër, e ka gabim.

E them këtu, në këtë trevë të bekuar nga Zoti, e cila historikisht ka qenë simboli i qëndresës dhe jo qëndresës së dosidoshme, po qëndresës beteja gjithmonë të pabarabarta. Të pabarabarta, qoftë këto të fundit, qoftë në 50 vite të diktaturës, të parabarabarta në shekuj kundër pushtuesit.
Një trevë e cila njihet për trimërinë, kurajon, mençurinë dhe fisnikërinë që ia ka dalë, siç thonë këngët tona të lashta, “me luftu njëkohësisht me ballin lart e me triumfu mbi disa krajli njërkohësisht”.

Kurrë nuk është dorëzuar dhe kurrë nuk do dorëzohemi përpara një pakice plaçkitësish, të cilët me 25 prill kanë kryer krimin fundor ndaj Dibrës dhe ndaj Shqipërisë. Karakteri juaj është karakteri i Partisë Demokratike, vlerat tuaja janë vlerat e demokratëve anembanë Shqipërisë, kurajo dhe bashkimi që sollën rezultatin në Dibër, janë shembuj për tu ndjekur anembanë Shqipërisë dhe sigurisht duke përfshirë këtu edhe vështrimin introspektiv dhe duke përmirësuar ato gjëra që duhen përmirësuar dhe që i kemi në dorë ne t’i përmirësojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura