25 prilli, vijë ndarëse edhe për integrimin

| 10:00
SHPËRNDAJE

jorida tabakuJORIDA TABAKU

Ai që shfaqet pa u lodhur ditë e natë në rrjete sociale, për çudi ka kaq kohë që nuk flet një fjalë për ngecjen e dhimbshme të integrimit të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE. Të martën e 17 nëntorit, ministrat e Bashkimit Europian do të takohen për të diskutuar fatin e Shqipërisë dhe negociatat e saj për hyrjen në BE, ndërsa dështimi për fat të keq nuk mund të fshihet më.

Arsyet nuk janë të vështira për t’u gjetur apo analizuar. Pas tyre qëndron Edi Rama, politikani i vetëm deri më sot në Shqipëri, që fajtor për këtë dështim sheh zhvillimet e brendshme në vendet anëtare të Unionit. Me mosarsyen e dikujt që mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për largësinë e rritur me BE-në, flet për një qeveri që ka përmbushur kushtet dhe kriteret e vendosura, por që fatkeqësisht BE ka halle të tjera.

Në fakt, vetëm me një vështrim të thjeshtë të ndihmës që BE na ka dhënë ndër vite, përfshirë dhe atë të përballimit të situatës së COVID apo për dëmet e tërmetit të nëntorit të kaluar, me një mendje të kthjellët, nuk mund të mendosh që Unioni nuk na ka konsideruar si partner strategjik.

Por, sigurisht që BE nuk mund të tolerojë që paratë e taksapaguesve të vendeve të Unionit të shpërdorohen pa teklif nga qeveritë e asnjë vendi. Padyshim që skepticizmi dhe kontrolli ka shoqëruar dhënien e çdo granti nga BE për qeverinë shqiptare. Apo raste kur ekzekutivi apo pushteti lokal kanë dashur të përfitojnë nga këto para abuzivisht dhe në kurriz të publikut. Akoma më keq, ka përdorur emrin e Bashkimit Europian për të fshehur abuzimet dhe vjedhjet me buxhetin e shtetit.

Mjafton të kujtojmë historinë e shkollës “Sami Frashëri”, se si Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj e shitën si një projekt ndërtimi që do financohet nga BE. Por që në të vërtetë nuk qe vetëm se një mashtrim i madh dhe i pacipë, që u demaskua jo vetëm nga opozita, por edhe nga delegacioni i Bashkimit Europian. Ky i fundit deklaroi se ndërtimi i shkollës “Sami Frashëri”, me vlerë 4.5 mln euro, nuk është aspak në projektet e shkollave që do të financohet nga vendet e BE-së.

Rilindja në 8 vjet ka dëshmuar se pas çdo gënjeshtre fshihet një abuzim dhe pa dyshim që dhe gjimnazi i njohur i Tiranës nuk bën përjashtim.

Media dhe opozita kanë një rol të rëndësishëm në publikimin e këtyre aferave. Nuk janë të panjohura rastet kur Kryeministri, qeveritarë apo dhe kryetari i bashkisë kanë ndërhyrë në shumë redaksi për të censuruar lajmet e denoncimit të aferave. Jo më kot, në mënyrë “përçmuese”, denoncimet e opozitës konsiderohen nga Erion Veliaj si “mbikëqyrës të punimeve të bashkisë”. Në fakt, ky nuk është turp për PD-në. Ky është turpi i atyre që ende harxhojnë pjesën më të madhe të kohës për të montuar kaseta dhe censuruar median. Me qëllimin e vetëm, atë të fshehjes së të vërtetës, të fakteve që të bëra bashkë, e kanë larguar çdo ditë e më shumë Shqipërinë nga BE.

Sepse zyrtarët e Unionit nuk gënjehen aq lehtë sa mendojnë qeveritarët dhe kryebashkiaku. Asnjë prej tyre nuk duhet të harrojë raportin që BE ka me qeverisjet abuzive dhe të korruptuara. Mjafton të kuptojmë mekanizmin që ajo po ndjek për të ndihmuar shqiptarët për t’u ringritur pas rënies së tërmetit. Projektet e saj po ndiqen nga afër prej UNDP dhe kontratat e tyre janë të ndryshme nga ato që qeveria po bën vetiu.

Kjo do të thotë ndër të tjera që BE e ka të qartë se çfarë stofi kanë Rama dhe surrogatët e tij, që përdorin emrin e tyre vend e pa vend për të përfituar personalisht. Gjithashtu, kjo tregon edhe një herë që kriteret e vendosura nga Komisioni Europian nuk janë teka të disa ndërkombëtarëve, që kanë hallet e tyre, por janë një rrugë që duhet të ndjekë Shqipëria për të pasur më shumë demokraci.

Fatkeqësisht për shqiptarët, vendosja e 15 kushteve, pasi në vitin 2013 kishim vetëm 5 të tilla, është demoralizuese. Por, në fund të ditës kjo është një shtysë për të pastruar veten si shoqëri nga ata që integrimin e kanë menduar si një ballo në Pallatin Mbretëror te projektuar në fasadën e Kryeministrisë dhe jo si një përpjekje e vazhdueshme dhe e përditshme për të ndërtuar një shoqëri më demokratike.

Gjithsekush sot duhet të kujtojë reagimin arrogant të Ramës karshi Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, kur i kërkonte Kryeministrit Rama që të priste opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me Kodin Elektoral, të ndryshuar në kundërshti me marrëveshjen e 5 qershorit 2020. Çdo socialist dhe demokrat duhet të kujtojë se si u shpreh Rama në lidhje me ftesën e zotit Wadephul përpara ndryshimeve të njëanshme kushtetuese në fundgushtin 2020.

Shqiptarëve po iu vonohet integrimi jo sepse BE ka problemet e saj, por sepse qeveria është armike e së vërtetës dhe mbi të gjitha integrimit të vendit. Tanimë, edhe në Bruksel e kanë të qartë se çfarë stofi kanë Rama dhe të tijtë. Ndaj, ato kanë vendosur 25 prillin si një vijë ndarëse mes një qeverie që ka manipuluar shqiptarët dhe ndërkombëtarët për interesa personalë dhe një opozite që kërkon ta rikthejë në binarët e duhur raportin tonë me BE-në.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.