25 prilli dhe zdramahilli

Oct 18, 2020 | 13:56
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Në shtetin tonë të dashur më shumë feudal sesa kapitalist, kur një qytetar dëshiron të shesë makinën, vë nga brenda xhamit të përparmë të saj një letër apo karton me fjalën “shitet” të shoqëruar me një numër telefoni, çka haset ende si dukuri edhe në disa vende të tjera. Veçse Shqipëria jonë origjinale, sidomos në periudha parazgjedhore, i ofron opinionit kombëtar e ndërkombëtar një spektakël të paparë që ka në qendër pikërisht dukurinë “shitje”: Ekzistencën e një burse të pazakontë që përpiqet të jetë e padukshme, me ligjet e saj tejet të pamoralshme, por që, fatkeqësisht, funksionon thuajse në mënyrë të përkryer. Për çfarë lloj burse na u bëka fjalë? Oh, të nderuara lexuese dhe zotërinj të nderuar që jeni duke lexuar këto radhë, por edhe ju të tjerat e të tjerët që do t’i lexoni kur të gjeni një kohë më të përshtatshme, besomëni që pyetja që sapo bëra e ka një përgjigje të thjeshtë, të thjeshtë sa më nuk bëhet, sepse ajo, pyetja ime, pra, lidhet me shitblerjen e votave, dukuri fort e njohur kjo sidomos, kryesisht e në veçanti gjatë këtyre viteve mavi.

Sidoqoftë, të dy palët që zhvillojnë me sukses këtë biznes bien detyrimisht një erë kutërbuese ngaqë shitësve të votave era e qelbur u buron bujarisht në anglishte edhe nga tre tingujt e parë të togfjalëshit “shitës votash”, kurse blerësve të votave u vjen nga katër tingujt “lerë” të togfjalëshit “blerës votash”.Çfarë kuptimi ka fjala “lerë”? “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon atë si “zhul nga të palarët, llum, zdralë” dhe, çuditërisht, por në mënyrë domethënëse, fill pas fjalës “zdralë”, në të njëjtin fjalor, vjen fjala “zdramahill” në kuptimin mitologjik “lugat, kukudh”, kurse në kuptimin figurativ “njeri i keq e trupmadh”.

Gjithsesi, zdramahilli (oh, çfarë rastësie e pamëshirshme: Kjo fjalë përmbajtka mbiemrin e kryeministrit tonë!), e paska konceptuar dhe drejtuaka mjeshtërisht Bursën e Shitblerjes së Votave tamam sikur këto të ishin aksione të mirëfillta, ngaqë e ka kuptuar se, duke e varfëruar në mënyrë të tejskajshme njeriun shqiptar (homo albanicus), e shtyn atë në qorrsokakun e një kompromisi të neveritshëm me ndërgjegjen e vet duke e detyruar të shesë votën për një thes miell ose 5 000 lekë në rastin më të mirë.

Gjithsesi, zdramahilli është në rregull me ndërgjegjen e vet: Gjithçka që ai bën, e bën për të mirën e popullit tonë, për t’i zgjatur atij jetën duke luftuar kësisoj diabetin dhe obezitetin, sepse pandemia vret pikërisht edhe ata që vuajnë nga këto dy sëmundje shpesh shoqëruese të të prekurve nga kovid-19-a, ndërkohë që duke ngrënë më pak, pra duke vuajtur disi nga uria, ne shqiptarët, do të kontribuojmë në pasurimin e rimëkëmbjen e vendit, duke i dhënë kështu një hov të ri edhe rilindjen shpëtimtare mavi, mavi, mavi deri në (s)ekstazë, deri në dalldi, jerm et përçartje, çka do të përbëjë pa dyshim një (s)eksperiencë fatlume jo vetëm për popujt e Ballkanit, por edhe për ata të Bashkimit Europian e më gjerë, pse jo, deri në Kinë e në Amerikë, madje përtej sistemit tonë diellor, përtej galaktikës sonë!

Gjithsesi, 25 prilli po afron! Populli shqiptar do t’iu drejtohet qendrave të votimit dhe zdramahilli të jep përshtypjen se është i sigurt që Bursa e Shitblerjes së Votave do të funksionojë më së miri, pavarësisht kundërshtarëve të tij këmbëngulës, ndonëse disi të përçarë, pavarësisht përpjekjeve të vakëta të ndërkombëtarëve për të ndrequr atë që shqiptarët nuk janë ende në gjendje ta bëjnë me forcat e tyre, d.m.th. të ndërtojnë një shtet të së drejtës, një ekonomi të begatë për njerëzit e punës e të besës dhe një mendësi demokratike të re.

Gjithsesi, diçka do të ndodhë, madje duhet të ndodhë, kjo ka nisur të ndihet në ajër, është diçka si një kushtrim dhe njerëzit e ndershëm tash e tutje kanë ndjesinë se vota është liria e tyre, pasuria e tyre e paluajtshme, se ka ardhur koha që zdramahilli, ky lugat apo kukudh, trupmadh, por shpirtvogël, t’i lërë të shkojnë për të votuar të qetë, mendjembledhur dhe plotësisht të bindur më në fund se ai që votën shet, ndërgjegjen e tij dhjet e stërdhjet!

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura