24 orë nga jeta e një shqiptari

May 11, 2022 | 7:30
SHPËRNDAJE

iglitolaNGA IGLI TOLA/ Peshku thonë se qelbet nga koka, por vetëm të mendosh se ç’aromë kutërbon bishti kur koka është qelbur. E ngjarje si ajo e së dielës në afërsi të kompleksit Delijorgji janë “bishti” i shoqërisë sonë, që prej kohësh mbizotërohet nga “mrekullia” e së keqes në çdo aspekt.

Një shoqëri e rënë në koma: mosbesim total ndaj çdo strukture drejtuese, shumë perversitet dhe malinjitet në nivelin e funksionimit institucional, dhe që fatkeqësisht “tentakulat” e së keqes të depërtuara edhe brenda “strukturës” më të shenjtë që kishim, Familjes. Mjafton të vëzhgosh dinamikën e një dite të zakonshme, nga momenti që çelim sytë në mëngjes e deri sa përfundojmë aktivitetin tonë ditor, për të kuptuar dhe bindur se jetojmë “a-normalisht”, në një vend “anormal”.

Ndryshe nga çdo banor tjetër në një vend perëndimor. Zgjohesh në mëngjes, dhe sa provon të kalosh pragun e derës mund të ndodh të ndeshesh me një pirg mbeturinash që nuk janë pastruar prej ditësh; metrin katror të banesës e ke paguar mijëra euro, aq sa në Milano e Berlin, por ajo rruga e lagjes mbetet po njësoj, me gropa e tërë baltë dimrit; taksën për gjelbërimin i paguan, por pemët dhe parqet u kanë lënë vendin kullave që “mbijnë” përditë si kërpudhat pas shiut.

Siklet të jesh këmbësor, po aq siklet të kesh makinë, pasi trotuaret janë bërë njësh me rrugën dhe korsitë e biçikletave, aq sa nuk kupton ku fillon njëri e mbaron tjetri. Nëse ke një autoveturë, stres më vete të është bërë gjetja e parkimit, trafiku i çmendur në çdo orë të ditës, bllokimi i rrugës nga ‘çunat problematikë’ që nuk e kanë për gjë të parkojnë dysh apo tresh, apo edhe të ndalen në mes të rrugës për tu përshëndetur me njëri-tjetrin. Si kalimtarë, “sfidat” janë po aq të larmishme: me frikë ecën edhe në trotuar, se mund të të shtypë ndonjë makinë “të forti” edhe aty; edhe pse nuk ke asnjë konflikt mund të hash ndonjë “plumb qorr” teksa kthehesh për në shtëpi.

Çudia vazhdon në ambientin e punës. Sheh çdo ditë punonjës të rinj, sepse “Partia”/Zyra e Punës rekruton militant përditë se u duhen për vota. Një rreth vicioz i frikshëm, duhen vota për të siguruar pushtet, duhet pushtet për të mbledhur vota. Në shumicën e rasteve do të duhet të pranosh të drejtohesh nga injorantë sepse shumica e tyre të tillë janë, ndërkohë do të duhet të jesh i vëmendshëm që të mos jesh ekzekutuesi i dëshirave të shefit për të shkelur ligjin që të mos përfundosh në burg, por ndërkohë të duhet të ruash vendin e punës. Megjithatë, kjo është gjysma e së keqes se rrethanat mund të eskalojnë aq keq, sa pa pritur e pa pandehur je shkarkuar nga puna, pa ndonjë arsye, thjesht se pozicioni yt i duhet drejtorit apo ministrit për t’i bërë qokë ndonjë truthari (ose pa tru fare).

Normalisht, përshkrimi i gjithë ekstrenaliteteve që kemi si shoqërori do të ishte detyrë e pamundur që vazhdon pafundësisht, por edhe kaq sa konstatuam janë mjaftueshëm që të bindemi se kemi thyerje/deformime tejskajshmërisht të thella: ku pak ose thuajse asgjë nuk është në vendin, kohën dhe as bërë në mënyrën dhe as nga njerëzit e duhur. Shkaqet që na kanë sjellë deri këtu janë të larmishme, por shkaku primar mbetet injoranca, shndërrimi i saj në virtyt kombëtar. Injoranca, pjellë e politikës dhe e mënyrës së qeverisjes gjatë gjithë këtyre viteve, stimuluar nga dërrmimi i sistemit të edukimit, kriminalizimi i shoqërisë, përdorimi si etalon matës suksesi të parave të fituara nga korrupsioni e krimi etj.

E kur injoranca bëhet maxhorancë, fillon të uzurpojë drejtimin dhe tenton të marrë “frerët” socialë në duar; aty nuk ka më vend për kulturë, edukatë, moral e përgjegjshmëri, aq më pak për vlera demokratike e shtet ligjor. Injoranca, bashkë me injorantët bëhen leva që vënë në lëvizje mekanizmin normal social, ku si imput shërben “skllavërimi” i mëtejshëm i popullit dhe outputi është fabrikimi i një shoqërie të frustruar dhe deformuar.

* * *

Në fund të një dite të lodhshme, në darkë ikën për shtëpi pasi ke pirë kafen te lokali i lagjes, që ka për pronar nipin e X drejtori, e ku muzika tallava është në kupë të qiellit gjatë gjithë ditës. Ulesh para televizorit të dëgjosh lajmet e ditës. Fillim e mbarim ka vetëm politikë e kronikë të zezë: X vrau Y … burri theri gruan e tij … u asgjësuan kaq rrënjë kanabis … kaq arka me banane u bllokuan se ishin të mbushura me kokainë nga Ekuadori … u dha vendimi i Gjykatës për vrasësin e X … u kap i shumëkërkuari nga Interpoli … u hodh nga kati i pestë i pallatit … 3 aksidente me pasojë humbje jete… etj… Dhamë edicionin e lajmeve. Në fund të një dite si kjo, hajde fli po deshe dhe gjej motiv të zgjohesh përsëri nesër që të vijosh të njëjtin kalvar si sot. Sepse, fatkeqësisht këto 30 vite e më shumë ia kemi dalë me sukses të prodhojmë vetëm: kanabis, korrupsion, krim e injorancë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura