“22 premtimet që s’ka mbajtur Basha”, reagon bashkia: Vizioni i Ramës ishte betoni

Mar 31, 2015 | 15:05
SHPËRNDAJE

Pasi Partia Socialiste renditi sot 22 premtime që nuk ka mbajtur, sipas saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka reaguar bashkia më e madhe në vend duke thënë se zotin “Basha nuk e lidh asgjë me standardin e Edi Ramës, si kryebashkiaku që betonizoi Tiranën dhe kryeministri që kriminalizoi shtetin, thelloi varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë për çdo familje shqiptare”.  

Pjesë nga deklarata për shtyp e Bashkisë Tiranë

“Ky që betonizoi Tiranën për 11 vite është sot kryeministri që ka krimininalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë. I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bllokoi ndërtimin e bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. 

Në 2 vjet, Bashkia Tiranë përfundoi planin urbanistik, realizoi më shumë punë publike se Edi Rama në 8 vjet, ndërtoi rrugë atje ku s’ka pasur investime për 20 vjet, mbylli plagë që dergjeshin prej dekadash pak metra larg zyrës së Edi Ramës; ndërtoi dhe rindërtoi shkolla, kopshte dhe çerdhe që rrezikonin të shembeshin, sepse kryetari i partisë nuk e kishte mendjen tek qytetarët. 

Vizioni i Edi Ramës ishte betoni, ndërsa vizioni i Lulzim Bashës, Tirana moderne e europiane, me bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh përmes tramit dhe menaxhim të integruar të mbetjeve është sot një projekt në zbatim, që Edi Rama mund ta vonojë por nuk e ndalon dot. 

Në 21 qershor, qytetarët e Tiranës do ta ndëshkojnë me votë politikën e bllokimit dhe e gjithë Shqipëria do të rrëzojë politikën e mashtrimit, varfërisë, papunësisë dhe kriminalizimit”, thuhet në reagimin e Bashkisë Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura