21 Janari/ Zbardhet letra kërcënuese, ja çfarë i shkruajnë Renato Myrtajt

May 2, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

“Provat që ke për ’21 janarin’ do të jenë funeral i familjes tënde”. Dy letrat anonime kërcënuese janë gjetur dje nga Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj, i vrarë më 21 janar 2011.

Renato MyrtajSipas Renatos, dje kur ka hapur derën e shtëpisë së tij ka gjetur në prag të saj letrat me tekstin kërcënues, si dhe një kurorë lulesh funerali. Fillimisht, i tronditur nga kurora me lule në derë, ai ka tentuar ta heqë që aty dhe ta largojë, por në tokë ka rënë zarfi me letrën që gjendej brenda kurorës.

“Gjeta letrat në derë bashkë me një kurorë varrimi të shëmtuar. Unë nuk trembem nga këto kërcënime. Nuk i kam vetëm unë këto prova, por edhe tre familjet e tjera që u prekën nga 21 janari. Nuk kanë punë me familjen time. Ata duhet të merren me mua, nëse kanë gjë”, u shpreh Myrtaj. Ai ka hedhur dyshime se autorët e letrës kërcënuese janë po ata që urdhëruan vrasjen e babait të tij.

“Ata që kanë shkruar këtë letër, janë pa dyshim urdhëruesit dhe vrasësit e 21 janarit, dhe ne nuk do të tërhiqemi nga kërcënimet. Do ta gjykojmë se si do ta menaxhojmë situatën për të nxjerrë provat e 21 janarit”, ka vijuar më tej. Letra kërcënuese sipas tij vjen vetëm pak ditë, pasi ai deklaroi në media se kishte siguruar disa prova tronditëse për vrasjet e 21 janarit.

Ai tha se provat që ka, mund të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve, por nuk dha asnjë provë konkrete. Kjo deklaratë e tij erdhi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, vendim që u kundërshtua publikisht nga katër familjet e viktimave.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, humbën jetën Hekuran Deda, Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, babai i Renatos. Gjykata e Lartë më 25 prill rrëzoi rekursin e prokurorisë për dosjen e “21 janarit”.

Letra122334Ajo nuk pranoi kërkesën e prokurorisë për të dënuar me 23 vite burg ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe 25 vjet për gardistin Agim Llupo. Dosja, pasi u shqyrtua, nuk kaloi në seancë gjyqësore.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila dënoi me një vit burg Prendin dhe 3 vjet Llupon, duke i konsideruar si fajtorë për vrasje nga pakujdesia.

Faik Myrtaj ishte banor i fshatit Cakran në Fier. Ai kishte dy djem. Bardhoshi, më i vogël se Renatoja, u vetëvra pas vdekjes së babait duke mos përballuar dot largimin nga jeta të babait të tij. Ndërsa Renato Myrtaj tani jeton me nënë e tij.

Vazhdimisht ai ka kërkuar drejtësi për këtë çështje dhe dënimin maksimal të personave përgjegjës për vrasjen e babai të tij para Kryeministrisë. Ashtu sikurse ai, edhe familjarët e viktimave të tjera të 21 janarit reaguan pas vendimit të Gjykatës së Lartë, duke shprehur haptazi faktin se ky ishte një vendim i padrejtë dhe se 4 viktimat po vriteshin për së dyti herë nga vetë drejtësia.

 

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura