“21 janari”, dy dosje pa autor, e treta e pagjykuar

Jan 21, 2016 | 8:11
SHPËRNDAJE

Përvjetori i pestë i 21 janarit e gjen këtë çështje me një dosje me tre të akuzuar të pagjykuar deri në fund, si dhe dy hetime të tjera të pezulluara për mungesë provash e autorësh.

Momenti i vrasjes së Hekuran Dedës më 21 janar 2011
Momenti i vrasjes së Hekuran Dedës më 21 janar 2011

Dosja e parë, ndaj ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-shefit të Shtabit të Gardës, Agim Llupo, e gjykuar në Shkallën e Parë dhe në Apel, ka “ngecur” në Gjykatën e Lartë. Fashikulli është dorëzuar në këtë Gjykatë në datën 28 tetor 2013 dhe ende nuk ka nisur gjykimi i saj.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, ish-drejtuesi i Gardës, Ndrea Prendi, dhe gardisti, Agim Llupo, u dënuan përkatësisht me 1 dhe 3 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”. Sipas Apelit, një predhë e dalë nga arma e Prendit kishte vrarë Faik Myrtajn, ndërsa një predhë e dalë nga arma e Llupos kishte vrarë Ziver Veizin.

Apeli gjeti të paprovuar autorësinë e predhës që vrau Hekuran Dedën. Prokuroria e kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në këtë kundërshtim Prokuroria ka ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Apelit dhe dënimin e Prendit dhe Llupos me 23 dhe 25 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes me dashje”.

DY DOSJET E TJERA

Ngjarjet e 21 janarit patën katër viktima. Dosja për vrasjen e Aleks Nikës u veçua që para dërgimit të dosjes në gjyq, për shkak të mungesës së provave dhe u mbajt në hetim. Ajo dosje është hapur e mbyllur disa herë, por pezullimi i fundit i saj, siç mësoi gazeta “Panorama”, ka ndodhur në shtator të vitit 2015, kur policisë i janë lënë detyra shtesë për hetime të reja, me qëllim “zbulimin e autorit”.

I paqartë ka mbetur fati i çështjes së Hekuran Dedës, pas përcaktimit nga Gjykata se “autorësia e kësaj vrasjeje nuk provohet me provat në dosje”.

Ndërkohë një dosje e tretë u hap nga Prokuroria me kallëzim të Ministrisë së Brendshme në lidhje me dhunën e ushtruar nga policia ndaj më se 280 qytetarëve të shoqëruar në komisariatet e Tiranës, pas ngjarjeve para Kryeministrisë.

Edhe kjo dosje, e cila u hetua për disa muaj, u pezullua nga Prokuroria, duke i kërkuar policisë ndjekjen operative të çështjes me qëllim gjetjen e provave.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura