“21 janari”, analizohet dosja e Aleks Nikës

Dec 6, 2013 | 12:30
SHPËRNDAJE

TIRANE – Pas rinisjes së veprimeve hetimore në lidhje me dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve të 21 janarit, prokuroria analizon dosjen e vrasjes së Aleks Nikës. Ekzekutimi i të riut nga Lezha më 21 janari 2011 ka mbetur pa autor për shkak se hetimet e zhvilluara deri tani nuk kanë arritur të identifikojnë autorin e ngjarjes. Edhe pse dosja penale për vrasjen e demonstruesit nga Lezha nuk është mbyllur asnjëherë, vetëm kohët e fundit janë kryer veprime për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave në lidhje me autorësinë e saj. “Kohët e fundit është bërë një analizë e materialeve të dosjes së bashku me policinë e shtetit. Dosja në fjalë, edhe pse e hapur, kishte mbetur pa kryerjen e veprimeve hetimore prej disa muajsh”, thanë burimet nga organi i hetimit. Sipas tyre, pengesa kryesore në zbardhjen e autorësisë së vrasjes së Aleks Nikës ka qenë dëmtimi i predhës së gjetur në kokën e demonstruesit nga Lezha. Ai humbi jetën dy javë pas ngjarjeve të 21 janarit teksa u dërgua për kurim në Turqi. Atje mjekët nxorën predhën e armës nga koka e tij dhe e nisëm me postë për në Shqipëri. Predha iu nënshtrua analizave dhe ekspertimeve shkencore, por rezultoi se plumbi ishte i dëmtuar në atë masë, saqë arma që kishte kryer qitjen nuk mund të identifikohej. Dëmtimi i predhës u konfirmua edhe me grafitë e kokës të bëra Aleks Nikës në Tiranë, para nisjes për kurim në Turqi. Nga këto grafi rezultoi se shenja e lënë nga predha tregonte qartë dëmtimin e saj, që përputhet edhe me shenjat që përmban predha. Pas mbërritjes së predhës nga Turqia, ky konstatim u ballafaqua me grafinë e realizuar gjatë mjekimit paraprak të Aleks Nikës në Tiranë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dosjen penale të dhunës së policisë ndaj demonstruesve të 21 janarit. Dosja ka qenë e hapur ndërsa së fundi janë intensifikuar verimet hetimore e verifikuese për dhunën e ushtruar. “Objekti kryesor i hetimit është dhunimi i mbi 100 personave nga efektivat e policisë pas ngjarjeve të ndodhura te Kryeministria”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, bëhet fjalë për 41 persona, mes të cilëve tetë të mitur të shoqëruar në Burgun 313 dhe 37 persona, mes të cilëve shtatë të mitur që janë mbajtur në Burgun 302. Prokuroria ka sekuestruar librat e shërbimit për të zbuluar emrat e policëve që kanë qenë me shërbim para Kryeministrisë më 21 janar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura