GRAZIA   Miele Albania
Lotaria Kombetare  
Home » Speciale » Velaj: Si i përkthenim kryeveprat e letërsisë botërore në qelitë e burgut

Velaj: Si i përkthenim kryeveprat e letërsisë botërore në qelitë e burgut

  • Albanian
  • English
  • French
  • German
  • Italian

Petrit Velaj duke rrefyer per gazeten “Panorama”

Flet Petrit Velaj, i dënuari politik që bëri 38 vite burg.

“Mesha në burg për Sali Vuçiterrnin dhe ritet fetare që bënin të dënuarit në fshehtësi”

“Rikthimi i Bedri Spahiut në burgun e Burrelit, jo si xhelat, por si viktimë”

“Qazim Bakalli kuronte të dënuarit e Burrelit fshehtas”

Kryeveprat e para të letërsisë botërore janë shqipëruar nga të dënuarit politikë në kushtet e mungesës së lirisë. Për këtë arsye, emrat e përkthyesve kanë mbetur anonimë, përveç një pakice që u grabitën autorësinë njerëz të lidhur me pushtetin e kohës. Përtej këtij fakti pak të njohur, Petrit Velaj, njeriu që ka kaluar komunizmin në burg, kujton se praktika e rekrutimit të të dënuarve për përkthimin e literaturës së huaj ka nisur qysh në vitin 1945, kryesisht me të burgosurit e parë antikomunistë.
Në rrëfimin për “Panorama”, 92-vjeçari që ka kaluar gjysmën e jetës në burg, duke iu rikthyer përjetimeve nga ditët e vështira të vitit 1951, ku bashkë me të dënuar të tjerë, sjellë përdhunshëm nga burgu i Burrelit, përkthyen në qelitë e izolimit në Tiranë dhjetëra kryevepra të kohës, përmend një listë të gjatë me emrat e shqipëruesve anonimë. Pavarësisht rrethanave skllavëruese të punës, Veliaj ndihet i privilegjuar që asokohe bashkëpunoi me emrat ndër më të shquarit e letrave shqip, Koço Tase, Kudret Kokoshi, Andon Kozmaçiu, Arqile Tase, Et’hem Cara, Arshi Pipa, Tasim Spahiu, Sabaudin Resuli, Foto Bala, Ylber Starova, Mihall Zallari e dhjetëra të tjerë, veprat e të cilëve kanë mbetur në fondin e bibliotekës kombëtare, me shqipërues anonimë. Gjithsesi, historia e përkthyesve të burgosur është vetëm një pjesë e kujtimeve të ish-të dënuarit politik nga ferri komunist i fillimviteve ‘50. Ndër detajet interesante që Veliaj veçon nga ajo periudhë, janë marrëdhëniet me klerikët e dënuar, ritet fetare në kushtet e izolimit dhe sidomos raportet specifike të bashkëvuajtësve me mjekun e njohur Qazim Bakalli, humanizmi dhe shpirtmirësia e të cilit shpëtoi nga thonjtë e vdekjes dhjetëra të dënuar në burgun e Burrelit…

 Ne, përkthyesit e burgut

Një nga Çelitë e Burgut të Burrelit ku qëndronin përkthyesit

Ishte viti 1951. Në oborrin e burgut na mblodhi inspektori i   Ministrisë së Brendshme që mbulonte kampet e dënimit, Faslli Jaho. Lexoi një listë që mbante përpara dhe me atë zënë e ngjirur shpjegoi: Shteti ka nevojë edhe për kontributin tuaj. Do punoni për përkthimin e literaturës botërore. Në listën e gjatë ku bënin pjesë Koço Tase, Kudret Kokoshi, Andon Kozmaçiu, Arqile Tase, Et’hem Cara, Arshi Pipa, Tasim Spahiu, Sabaudin Resuli, Foto Bala, Ylber Starova dhe Mihall Zallari, bëja pjesë edhe unë. Qysh atë ditë na transferuan në burgun e ri të Tiranës. Aty gjetëm edhe intelektualë të tjerë të njohur: Xhemal Frashërin, Myfit Bushatin, Hamit Keçin, Reshat Karapicin, Nustret Sazanin, Bujar Dokon, Beqir Ndoun etj. Aty mësuam se kjo praktikë me të dënuarit kishte filluar më herët. Të nesërmen na sqaruan për veprat e huaja që do të përkthenim dhe rregullat e punës. U ndamë tre e nga tre në grupe të përbashkëta. Mua më qëlloi të isha në grup me Arshi Pipën dhe Tasim Spahinë. Ishin dy intelektualë të pjekur e të shtruar. Sipas procedurës së vendosur, njëri përkthente, tjetri shkruante e redaktonte, i treti korrigjonte. Këto role i ndërronin çdo javë. Puna zgjati gati dy vjet. Grupi ynë përktheu “Konspiracion i madh kundër Rusisë”, “Iluzionet e humbura”, “Fausti” i Gëtes etj. Me sa më kujtohet, këto i kërkonte shtëpia botuese dhe Radio Tirana. Në tërësinë e tij procesi i përkthimit drejtohej nga Beqir Ndou dhe Fiqëri Llagami, të cilët spikasnin   për korrektësi e mirëkuptim me të gjithë. Fiqiriu ishte një gazetar i talentuar që ishte laureuar në Paris. Kur mbaruam veprat e planifikuara, një natë pa hënë të dimrit të vitit ’52 na kthyen sërish në Burrel. Kam parë më vonë librat e shqipëruar nga ne, por askund nuk përmendej autori i përkthimit(!) Pak vite më vonë do na thërrisnin përsëri për të bërë shqipërimin e kryeveprave të letërsisë. Në distancën midis këtyre dy periudhave na degdisën në kampe pune. Në vitin 1957, nuk e di për çfarë rrethanash, më transferuan në burgun e Vlorës, por aty nuk kalova as tre muaj. Përplasja me spiunët që kishin futur në radhët tona kalecët e Sigurimit, u bë shkak të rikthehesha sërish në ferrin e Burrelit. Nuk kaluan as tre muaj dhe aty rrahëm dy spiunë që kishin futur —Madje drejt e në qeli…

Mesha në burg për Sali Vuçiterrnin
Sali Vuçiterrni ishte i dënuari më i moshuar i burgut të Burrelit. Ai vinte aty si ish-ministër i Punëve Botore. Kur e pyesnim për moshën, thoshte se për tri vite bëhej 100 vjeç. “Kam ëndërruar të kap shekullin, shprehej Sali Efendiu, po kjo flama komuniste që më ka kapur për gryke do më çojë në botën tjetër pa i bërë ditët e perëndisë”. Kur e ndjeu që po i vinte vdekja, pati një takim me familjarët. Mbas takimit me ta, ndau ushqimet që i kishin sjellë me të burgosurit e tjerë. Një moment më thirri pranë shtratit ku rrinte dhe më tha: Të lutem Petro, do ma kesh amanet tim bir, Nazmiun. E kam të vetëm. Ndodhet në Argjentinë. Është doktor. Po e poqe ndonjë ditë, tregoji vuajtjet e mia. I thuaj se hoqa shumë, por asnjëherë nuk shkela mbi karakterin e fisit Vuçiterrni. Si ndenji një copë herë me sytë mbërthyer nga dera e dhomës së bu   rgut, më shtrëngoi dorën fort dhe m’u drejtua përsëri: “Ti e sheh që po shuhem përditë. Kur të vdes more bir, mos harro atë lutjen fetare që të kam mësuar. Përsëriti ato fjalë tri herë. Atëherë shpirti im do të pushojë i qetë”.
Një pasdite vjeshte të vitit 1949, Sali Vuçiterrni dha shpirt në shtratin ku lëngonte. E mora në krahë dhe me kokën drejt qiellit u luta si më kishte mësuar: Allahun me Salih Allah Seid…! Kur dola në orarin e banjës në korridor, m’u afrua Kudret Kokoshi e Abdurrahim Kreshpa. Si u bë Sali Efendiu, më pyetën. Heshta një çast dhe, duke i parë në sy, u thashë se na la uratën. U dëshpëruan shumë. Aty për aty u përlotën dhe përmendën atë shprehjen që përdoret rëndom në të tilla raste: “Na pastë lënë uratën!” Sakaq e morën vesh edhe të burgosurit e tjerë. E gdhiva gjithë natën pranë trupit të tij. Të nesërmen, Sali Efendiun e varrosëm te qershia…

Humanizmi i mjekut Qazim Bakalli
Me të u njoha fare rastësisht. Pas shumë kërkesave te komanda e burgut për t’u vizituar te mjeku, më në fund më çuan te doktori i qytetit, që përgjigjej edhe për të burgosurit. Ai ishte Qazim Bakalli. Sa herë lindte nevoja për vizita të tilla, atë e thërriste komanda e burgut. Për të kisha dëgjuar fjalët më të mira nga të dënuarit që gjeta në Burrel. U gëzova kur e pashë, pasi vëllain e tij, Emin Bakalli, e kisha pasur nxënës në shkollën teknike “Harry Fultz”. Doktori fisnik e bujar, sa u përballëm, shprehu një gjest keqardhjeje me atë mënyrën e tij. I thashë nga se ankohesha. Më vizitoi me kujdes, duke qëndruar për çaste të tëra me stetoskop mbi kraharor. Aty për aty mori një recetë dhe, më i nervozuar seç ishte, shënoi mbi të: “Të përjashtohet nga kampet e punës!”. Pastaj më hodhi dorën në supe me një lloj ngrohtësie, si për të më kujtuar se edhe më tej do të kisha mbështetjen e tij. Ishte kjo një lloj sjelljeje që të linte të kuptoje se njerëz të mirë ka në çdo kohë e rrethanë sado specifike qoftë ajo. Doktor Qazimi kishte kohë që shërbente në Burrel dhe shpesh merrte nga spitali i qytetit ilaçe të ndryshme për të dënuarit e sëmurë. Këtë jo rrallë e bënte ilegalisht. Kishte sakaq raste që medikamentet që na duheshin, i blinte vetë në farmacinë e qytetit. Me atë natyrën e tij të heshtur e paqësore, pas së cilës fshihej ndjeshmëria njerëzore, mjeku zemërmirë ishte futur në jetën e të burgosurve si një mik i shtrenjtë që, më shumë se me ilaçet, të shpëtonte me fjalën e ngrohtë dhe sjelljet fisnike. Nga koha që kam qenë në Burrel, mbaj mend përplasjet e shpeshta të tij me komandën e burgut në rastin e rekomandimeve për transferimin e të dënuarve të sëmurë për në spitalin e Tiranës. “Këtë njeri na e ka pru i madhi Zot, me ndihmu të burgosurit në hallet e tyne”, thoshte shpesh Pjetër Meshkalla. Është fakt i pamohueshëm që shumë prej të dënuarve në gjendje të rëndë shëndetësore i ka mbajtur në jetë vetëm doktor Qazimi. Më kujtohet një rast kur i shkova në infermieri dhe i kërkova të më vizitonte. “Me gjithë vuajtjet e mëdha që po heq, më tha me zë të ulët, nuk ke ndonjë sëmundje serioze. Veçse, po të shënoj këtu një diagnozë për t’u paraprirë punëve të rënda në kamp. Këtë e bënte pothuajse me pjesën më të madhe të të dënuarve që i kërkonin ndihmë. Ishte kjo arsyeja që doktor Qazimi mbeti miku më i afërt i fatkeqëve të Burrelit…

 Patër Pjetër Meshkalla
Kam njohur në burgun e Burrelit dhe jam miqësuar me Patër Pjetër Meshkallën, një nga korifenjtë e klerit katolik. Burrë i imët, me nofulla të dala, ballë të vogël, sy zhbirues. Kishte një të folur të shtruar e të ngadaltë, sikur vinte nga thellësia e viteve. Përveç teologjisë e filozofisë, zotëronte edhe një kulturë tradicionale europiane. Ai na qëndronte gjithnjë pranë, si një shenjtor që kishte zbritur nga qielli në burgun e Burrelit për t’i dhënë pak dritë shpirtit tonë të copëtuar. Patër Pjetër Meshkalla ishte ndër ata që e dinte pse vuante, por sakaq dinte edhe të vdiste për përkushtimin e tij fetar. Aty nga viti ’48, në burgun e Burrelit erdhi Bedri Spahiu. Ishte në kulmin e shkëlqimit të tij. Na mblodhën në oborrin e burgut. Ai hipi mbi një tarracë aty pranë dhe filloi një fjalim plot mallkime. Midis të tjerash, u shpreh se “edhe mishin do t’jua bluajmë ju armiqve të partisë”. Kjo ngjalli një revoltë të madhe në radhët e të burgosurve. Pjetër Meshkalla, me kurajën që e karakterizonte, doli nga grupi i të burgosurve dhe iu drejtua gjithë urrejtje: “Marre për ty, o këlysh sllavi që flet kështu për vëllezërit e tu. Po kjo që thua për ne, të mbiftë në derë për vuajtje e jo për turp”. Dhe, me të vërtetë, pas ca kohësh, Bedri Spahiu erdhi sërish në Burrel mes nesh, tashmë jo si zyrtar i lartë, por si i dënuar për tradhti. Patër Pjetër Meshkalla, që e shigjetoi keqas në vizitën e parë, këtë radhë na bënte apel që ta mëshironim si bashkëvuajtës. Se nuk është më kaposh, na thoshte, e si i tillë s’ia vlen të merremi me të. Qëlloi ato vite të na vinin aty disa  tipa shtetarësh si puna e Bedriut që binin rishtas nga fiku. Patër Meshkalla mundohej të hiqte nga fjalori prapësitë e tyre të dikurshme dhe të gjente forcë të ulej me ta. Ai ishte shumë i afërt e njerëzor me të gjithë. Ruaj kujtime nga më të mirat për të. Në një rast, kur po më sillte fshehtas në dhomën e izolimit një copë bukë nga racioni i tij, e kapi roja i burgut dhe e dënoi një muaj në qeli. Patër Pjetër Meshkalla ishte shumë bujar. Shpesh besimtarët e shumtë i sillnin rroba e ushqime, të cilat i shpërndante vëllazërisht me të burgosurit e tjerë. Në burgun e Burrelit njoha shumë bashkëpunëtorë të tij, që më ofruan shoqëri të sinqertë. Dom Shtjefën Kurti, Dom Gjergj Bici e Patër Aleks Vacli, ishin tre ndër ta. Dom Shtjefni ishte një burrë i bëshëm   e fisnik. E kam përjetuar shumë keq lajmin për pushkatimin e tij në vitin 1969 me grupin e Ngurzës, në Bregun e Matës. Edhe Dom Gjergji e Pater Aleks Vacli ishin njerëz me kulturë të gjerë kleriko-laike. Shpesh Patër Aleksi më thoshte: Ju që jeni më të rinj, do t’ua tregoni të tjerëve këto krimet e djajve të kuq. Çastet me ta për mua ishin momente relaksi e qetësie shpirtërore. Fjala e tyre të shëronte, të mbante në jetë, të jepte optimizëm edhe në rrethanat më të vështira.  

Dënimi i dytë
Kisha pak muaj që isha liruar, kur më thirrën sërish për të shtatë penxheret, siç i thoshim atëherë. Në nëntorin e vitit 1972 më morën përsëri të pandehur me hekura në duar. Pasi më prangosën papritur te kasollja në Kaninë, më çuan në degën e Vlorës. Sa kapërceva portat e hekurta, te dera u përballa me kryehetuesin që urdhëroi të më çonin në zyrën e tij. Aty isha vetëm për vetëm me të. U zhvesha sipas urdhrit të tij. Më kontrolluan në të gjithë trupin. Ky ishte një ritual i hershëm për të arrestuarit. Në xhepin e pantallonave gjetën disa copa gazetash. Hetuesi i hapi me një lloj kërshërie. Në njërën prej tyre dallohej portreti i Enverit, që, nga mënyra si ishte zhubrosur, i tërhoqi vëmendjen. Hetuesi sa e pa, u skuq në fytyrë dhe si i xhindosur u kthye nga unë: “Pse i mban këto copa gazete?” “Për punë”, i thashë aty për aty. “Për çfarë pune, o idiot”, m’u kthye me kërcëllimë. “Jetojmë në fshat, i thashë, e më duhen për fletë higjienike”. Pa mbaruar mirë fjalën unë, hetuesi u hodh përpjetë si ta kishte kafshuar gjarpri: “E di more maskara se vetëm për këtë dënohesh me 10 vite burg?” Sakaq, thirri rojën dhe e urdhëroi të më sistemonin në qelinë me numër 6. Ishte kjo një dhomë e vogël pa dritare pranë derës së banjës. Pas tre muajsh hetime, më nxorën në gjyq. Me një shpurë dëshmitarësh të rremë më akuzuan për agjitacion e propagandë. Më dënuan 10 vjet heqje lirie. Të nesërmen më transferuan në burgun e Tiranës. Aty ndenja vetëm tri-katër ditë.
vijon…

Përkthyesit
Koço Tase
Kudret Kokoshi
Andon Kozmaçiu
Arqile Tase
Et’hem Cara
Arshi Pipa
Tasim Spahiu
Sabaudin Resuli
Foto Bala
Ylber Starova
Xhevdet Kapshtica
Sami Bitincka
Mihall Zallari
Xhemal Frashëri
Myfit Bushati
Hamit Keçi
Reshat Karapici
Ebehet Bega
Nustret Sazani
Nexhat Tartari
Bujar Doko
Xhevat Kallejxhiu
Haki Tafaj
Beqir Ndou
Fiqiri Llagami
Gjergj Bubani
Namik Kacaruho
Pjetër Arbnori
Daut Gumeni


Albtelecom

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori

4 Komente per “Velaj: Si i përkthenim kryeveprat e letërsisë botërore në qelitë e burgut”

  1. Zoti Petrit,
    Ne listen tuaj mungon Hysen Cela, emrin e te cilit mban sot shkolla e mesme teknologjike ne Durres. Hysen Hajdar Cela mbaroi Shkollen Teknike Amerikane te Tiranes, ne degen e Literatures angleze, ne vitin 1929. Punoi si mesues i shkolles qytetese ne Durres dhe gjate viteve 1942-44 me te njejten detyre ne qytetin e Tetoves.
    Gjate ketyre viteve perktheu nga anglishtja, se bashku me Beqir Celen, “Lizen ne Boten e Cudirave”. U burgos si “spiun i amerikaneve” ne vitin 1948. Pas burgut te Durresit provoi dhe eksperiencen e tmerreshme te Kampit te te burgosurve qe punonin per tharjen e kenetes se Maliqit. Ne vitin 1952 sillet ne Burgun e Artizanatit, ne Tirane, si perkthyes. Lirohet nga burgu ne vitin 1957.
    Nga ai vit punoi si punetor ne N. Kimike te Durresit. Duke njohur aftesite e tij si perkthyes, Profesori i tij i shkolles Teknike, Ali Cungu, iu drejtua qe te perkthente pa te drejten e autoresise. Kjo ishte nje ndihme e madhe financiare per mbajtjen e familjes qe Hyseni sapo kishte krijuar, pas daljes nga burgu. Profesori i nderuar Ali Cungu i binte rregullisht te gjitha honoraret qe ai i terhiqte nga Shtepia Botuese, duke u hequr si perkthyesi i vertete i veprave qe Ai ja kalonte Hysenit per perkthim. Fjala ishte per perkthime nga shqipja ne anglisht, pune e cila kerkon njohje te thelle te te dyja gjuheve ashtu si edhe nje talent te spikatur si perkthyes i kultivuar. Keshtu Hysen Cela ne vitet 60-te perktheu ne anglisht “Lumin e Vdekur” te Jakov Xoxes dhe per ironi te fatit edhe vellimin e pare nga korpusi famekeq i veprave te E. Hoxhes, etj.
    Duke respektuar te Verteten,
    Liria

  2. Aleks Baqli e jo Alex Vacli

    Ju faleminderit!

  3. Shikojeni me vëmendje listën e gjatë të përkthyesve të burgut. Aty nuk gjen asnjë nga priftërinjtë katolikë, zotërues të mirë të disa gjuhëve perëndimore, ku kishin kryer studimet e larta. A e dini përse? -Ata nuk pranonin që për disa privilegje që përfitonin me atë punë, të viheshin në shërbim të atyre që i kishin dënuar. Pjesa më e madhe e përkthimeve ishin materiale sekrete, që përdoreshin për specializimin e oficerëve dhe hetuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra, “pylli i epte bishtin sëpatës”, gjë që ishte në kundërshtim me parimet morale të një të dënuari politik antikomunist të vërtetë. Edhe kur disa përkthyes të talentuar si Arshi Pipa, Koço Tasi, Kudret Kokoshi, Bujar Doko, etj., pranonin ta bënin atë punë, në grupe treshe, siç tregon Petriti, ata ishin nën kontroll të vazhdueshëm, mbasi të paktën njëri ndër të tre, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Lavdi klerikëve si Patër Mëshkalla, At Donat Kurti, Dom Shtjefën Kurti, Hafiz Ali Kraja, At Visarion Xhuvani; etj., të cilët në asnjë mënyrë nuk u përkulën e nuk i shërbyen komunizmit, por vuajtën tok me të tjerët, qëndruan si burrat dhe vdiqën si idealistë!

  4. Replike me komentuesin “Mersini”:

    1. Jam dakort me komentin tuaj dhe te dy te tjerve mesiperm.
    2. Eshte e vertete qe kleriket kane pase ne hambarin e tyre te njohurive teologjike idealiste fetare edhe gjuhe te huaja, kryesisht, latinen nga profesioni, italishten, frengjishten dhe ndoshta me pak anglishten; por mendoj se, nuk eshte vetem urrejtja ndaj mases se denimit, sistemit komunist, qe nuk kane indinjuar ne shumice te perkthejne libra ne gjuhe te huaja, por eshte diviza e tyre kategorike per t’mos u vene normalisht ne sherbim punes, politikes se asnje shteti, pervec atij te Vatikanit, pervec Perendise sipas idese se tyre dhe profetit qe i falen dhe qe mendojne se mbane Token dhe qiellen! Kam rreth 4-5 vjet qe i kam propozuar nje kleriku ne emigrim qe per ceshtje te brendshme komuniteti te debatojme ne televizionin e shqiptarve te amerikes. Jo vetem qe nuk indinjon te ketheje pergjigje njerzore, po ose jo dhe arsyete perkatese, ndersa me metoden e tij te komunikimit me frekuentuesit e terrenit e gjene fjalen, shume te holle dhe do te thoshnja djallzore qe ky njeri perkrah njerzit e komunitetit dhe kerkesat e tyre, apo shejtanin! Ajo qe nuk u vjene per shtat si sherbim(ketu hyne formula e betimit) dhe nuk dergon uje ne biznesin e tyre e kane ne maje te gjuhes, nuk na lejon feja! Nuk eshte nevoja te ndalemi se kemi pase prifterinje, te te gjitha hierarkive qe jane vene ne sherbim te zbulimeve te huaja, te nazi fashizmit dhe eshte e shkruar kudo qe kleri katolik gjithmone ka perkrahur te djathten ekstreme. qeverite e forta dhe sot ne SHBA, ata jane me republikanet dhe nga praktikja e jetes ne kete kontinent, babtistet protestan e fillojne propaganden e tyre ne radio me vale te shkurtera dhe televizione ne mbeshtetje te te djathtes fuqimisht dhe pastaj mbasi fillon lufta, derdhet gjak, fillojne te terhiqen, eshte qendrimi fetare qe i bene te perkulen dhe te mos jene dakort shume me fatkeqesite qe sjelle lufta ne humbjen e jetve te femijeve, te pleqve e plakave, invalidve e me radhe!
    3. Ja formula, ku prifti para se te shugurohet dhe te futet ne rrugen e puneve te Perendise, do te betohet: “Ne mer te kryqezuarit ne kryq, Krishtit, une betohem se do t’i nderpres te gjitha lidhjet qe me lidhin me baben, nenen, vellezerit, motrat, farefisin, shoket, me mbretin, gjykatesit dhe me cdo pushtet tjeter te cilit i kam sherbyer, ose jam betuar qe do t’i nenshtrohem ose t’i sherbej. I nderpres mardhenjet me vendlindjen time, prej tash e tutje ekzistenca ime eshte ne sfere tjeter. Betohem se do t’i shpaloj kryeshefit tim te gjithe ate qe bej, mendoj, lexoj, mesoj dhe shikoj rreth vetes”. K.B, faqe 46.
    4.Me lejoni Mersini te bej pak koment ketu: Gjykuar nga betimi i klerikut, behet nje pyetje e tille qe, atehere perse kemi klerike patriote, atdhetare, gjuhetare, studjues, arkeolog, fillozof, jo vetem dhe me shume ne shkalle botrore, por dhe ne shqiptari. Une mendoj se ata nuk kane qene “te disiplinuar” ne divizen e prere te qendrimit te tyre, vjedhurazi, e pak me rebelim duke i shtyre perkushtimi ne radhe te pare per vendin tyre, kane bere te mundur te nxjerrin ne drite veprat e tyre kushtuar shqiptarise ne forma te ndryshme.Une nuk dua te mbroj sistemin komunist qe nuk mundi t’i ketheje per vete, sepse fillozofia e tij ishte ne kundershtim me te tyren, i pari mbronte dialektiken e natyres materiale dhe historikun e materiales, ndersa e tyre mbronte idealizmin, metafiziken dhe ne thelb feja mbeshtetet ne absurditet ma te medha, tashme te vertetuara dhe shkenca dhe shekullarizimi i ka hedhur poshte! Por ajo do te mbijetoje gjate, sepse resurset e nevojes per dogma e perralla me mbret do te kete sa do te kete njerzim mbi toke!
    5.Sistemi komunist duke pare se urrehesh nga kleri katolik(ndonse metoden e edukimit e kane te njejte me ndikim, i pari duke idealizuar nje sistem “golden” me ngrene me luge ari dhe kleri idealizmin fetare qe njeriu do te pushoje dhe te gezoje te mirat “ne jeten e pashushme”apo “te pasosur”; atehere studjoi dhe vuri te zberthyer para popullit se sherbimi i klerit katolik, qe bazohet ne formulen e betimit, eshte nje sherbim ne vetvete dhe njehe vetem nje hierarki dhe punon per te dhe qe eshte Vatikani. Teuria e tyre mbeshtetet tek dy idhtare shen Thoma Akuini dhe Ignjak Jojola dhe qe nje rruge ketu afer shtepise sime ku banoj i kane vene emrin e ketij te fundit!

Beni nje Koment


+ 7 = 15

  • Facebook
  • Twitter
  • YouTube
  • Linkedin
  • RSS

AMC
abissnet
7epta7

Parashikimi i motit


+23
H: +24°
L: +12°
Tirana
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+26° +26° +25° +25° +25° +24°
+12° +11° +11° +11° +10° +11°
+22
H: +23°
L: +15°
Durres
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+25° +25° +25° +25° +23° +23°
+15° +14° +15° +15° +12° +11°
+22
H: +25°
L: +10°
Elbasan
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+28° +28° +27° +27° +27° +26°
+12° +11° +11° +10° +10° +11°
+18
H: +23°
L: +16°
Vlore
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+25° +25° +25° +24° +24° +24°
+15° +14° +14° +15° +12° +12°
+21
H: +23°
L: +11°
Shkoder
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+26° +25° +25° +26° +25° +24°
+12° +11° +12° +10° +11° +12°
+18
H: +22°
L: +
Korce
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+24° +23° +23° +22° +23° +23°
+ + + + + +
+22
H: +24°
L: +11°
Berat
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+27° +27° +27° +27° +26° +25°
+11° +10° +10° +10° + +10°
+9
H: +22°
L: +
Kukes
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+22° +22° +21° +21° +21° +21°
+ + + + + +
+23
H: +23°
L: +12°
Sarande
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+23° +23° +23° +22° +22° +22°
+11° +12° +11° +10° + +13°
+24
H: +24°
L: +13°
Kavaje
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+26° +26° +26° +26° +25° +25°
+13° +13° +12° +12° +11° +11°
+22
H: +22°
L: +12°
Kruje
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+22° +23° +21° +22° +21° +20°
+11° +10° +10° +10° +10° +11°
+22
H: +24°
L: +14°
Lezhe
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+26° +26° +26° +26° +25° +24°
+14° +14° +14° +13° +12° +13°
+20
H: +24°
L: +14°
Fier
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+27° +27° +27° +27° +26° +26°
+12° +12° +11° +12° +12° +11°
+18
H: +19°
L: +
Pogradec
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+21° +20° +20° +20° +19° +19°
+ + + + + +
+21
H: +21°
L: +
Rreshen
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+24° +24° +23° +23° +23° +22°
+ +10° +10° + + +
+23
H: +23°
L: +
Tropoje
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+21° +20° +20° +20° +20° +19°
+ + + + + +
+20
H: +23°
L: +
Pristina
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+22° +21° +21° +20° +21° +20°
+ + + + + +
+25
H: +25°
L: +
Prizren
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+25° +24° +23° +24° +24° +23°
+10° + + + + +10°
+23
H: +23°
L: +
Mitrovica
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+20° +20° +19° +20° +19° +19°
+ + + + + +
+21
H: +24°
L: +
Skopje
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+24° +22° +23° +23° +23° +23°
+ + + + + +
+24
H: +24°
L: +
Gostivar
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+24° +23° +23° +24° +24° +23°
+ + + + + +
+21
H: +24°
L: +
Tetovo
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+24° +23° +23° +24° +24° +23°
+ + + + + +
+16
H: +20°
L: +
Struga
Tuesday, 22 October
See 7-Day Forecast
Wed Thu Fri Sat Sun Mon
           
+22° +21° +21° +20° +20° +20°
+ + + + + +

Hotel Prestige
Gazeta Panorama Alexa toolbar



Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2014 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Programuar nga: ikoncept Privacy