Vehbi Alimuçaj merr 8 mijë eurot që i dha Strasburgu
Kronike e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 14:47 pmTIRANE – Shteti shqiptar i paguan Vehbi Alimuçës, ish-kreut të skemës piramidale “Vefa Holding”, shumën prej tetë mijë eurosh, të caktuar si dëmshpërblim nga Gjykata e Strasburgut. Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme, bazuar në konventën e ratifikuar nga Shqipëria, ka vendosur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të dhënë më datë 7 shkurt 2012, për çështjen “Alimuçaj kundër Shqipërisë”, në shumën 8000 (tetë mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin. Sipas vendimit, efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Qeveria ka ngarkuar dje Ministrinë e Financave dhe të Drejtësisë për zbatimin e vendimit në fjalë. Sipas të dhënave zyrtare, padia e Vehbi Alimuçës në Strasburg ndaj Shqipërisë kishte të bënte me mbajtjen e të dënuarit në burg gjatë kohës që ai ishte sëmurë. Kështu, më 5 qershor 2005, Alimuça iu drejtua Strasburgut. Vehbi Alimuçaj, ish-president i kompanisë piramidale “Vefa Holding’, kishte rënë në prangat e Policisë në prill të vitit 1998, rreth një vit pas trazirave të vitit 1997. Pas hetimeve për mashtrimin ndaj qytetarëve, ai u gjykua dhe në vitin 2002, Alimuça u shpall fajtor se kishte mbledhur para me mashtrim nga plot 57923 mijë shtetas. Për këtë vepër penale, Gjykata shqiptare e dënoi ish-kreun e kompanisë piramidale me 20 vjet burg. Alimuça ndërkohë nuk kreu as gjysmën e dënimit të dhënë, pasi u la i lirë në maj të vitit 2010. Ai përfitoi amnisti të pjesshme, duke i ulur nga gjashtë muaj në dy raste në vitin 2002 dhe në vitin 2007. Për një kohë të gjatë, ish-kreu i skemës piramidale u mbajt në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ndërsa në deklaratat e tij mediatike, por edhe në ankesat e drejtuara administratës së burgjeve, i dënuari ka pretenduar se kishte probleme shëndetësore. Alimuça pretendoi se vuante nga probleme neuropsikike dhe qëndrimi në burg mund ta rrezikojë edhe më tej gjendjen e tij shëndetësore. Për këtë arsye, ai kërkoi daljen nga qelia, por autoritetet shqiptare nuk pranuan për disa vjet. Me këtë argument, i dënuari iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, e cila vendosi në favor të tij dhe e gjobiti Shqipërinë me 8 mijë euro. tr.so




























