Super-Mesi, Barça përmbys Spartakun, barazon Juventus
Sport e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 15:49 pm
Mançesteri e Bajerni ‘kursehen’ me Gallatën e Valencian.
Çelsi, kampioni i Europës në fuqi, barazon në fushën e vet me Juventusin; Barcelona “përmbys” disavantazhin e Spartakut falë Lionel Mesit, ndërsa nuk gabojnë as Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtid. Përveç kampionëve në fuqi të Roberto di Mateos, të gjithë të mëdhatë e Europës kanë dalë me pikë të plota nga takimet e mbrëmjes së djeshme. Kështu, Barcelona ka arritur të mundë Spartakun e Moskës, por duhet thënë se ndryshe nga çfarë parashikohej, blaugranat vuajtën shumë për të dalë me pikë të plota nga fusha e tyre. Edhe pse kaluan në avantazh me anë të Kristian Tejos, rusët barazuan falë autogolit të Dani Alvesh që në pjesën e parë të lojës. Dhe në fraksionin e dytë, pas rasteve të njëpasnjëshme të Barcelonës, mjaftoi një kundërsulm i Spartakut të Moskës që Romulo të shënonte golin e avantazhit të përkohshëm. Nga ky moment, në katedër ngjitet futbollisti më i mirë në botë, Lionel Mesi. “Pleshti” arriti që në harkun e dhjetë minutave të shënonte dy herë, duke përmbysur rezultatin dhe duke fituar duelin në distancë me Kristiano Ronaldon. Ky i fundit shënoi një natë më parë ndaj Mançester Sitit, por duke qenë shumë larg formës së tij më të mirë. Ndërkohë, një rezultat surprizë dhuroi Juventusi, i cili nga 2-0 arriti të barazojë duke dalë me një pikë nga sfida e vështirë me blutë e Londrës. Kualiarela dhe Vidal iu kundërpërgjigjën dopietës së brazilianit Oskar. Nuk pati probleme për Bajernin, i cili dominoi dhe fitoi ndaj Valencias, paçka se në fund rrezikoi disi edhe të barazonte. Fitore sigloi edhe Mançesteri i Aleks Fergusonit falë golit të Majkëll Karrik në minutën e 7-të të lojës ndaj turqve të Gallatasarajit, por duhet thënë se në fillim të pjesës së dytë, portugezi Nani humbi një penallti. Në ndeshjet e tjera, gjigantët ukrainas të Shakhtar Donetsk fituan ndaj modestëve danezë të Nordsjaeland, ndërsa surpriza erdhi nga Bate Borisov, skuadër kjo që mundi në transfertë francezët e Lilës. Tre gola të pjesës së parë të bjellorusëve rezultuan decizivë për fitoren në këtë përballje. Fitore transferte sigluan edhe rumunët e CFR Kluzhit ndaj Bragës falë dopietës së Bastos, ndërsa e vetmja sfidë pa gola ishte ajo e luajtur në Gllazgou mes Sëlltikut dhe Benfikës. Kupa e kampioneve do të kthehet sërish pas dy javësh, me javën e dytë të ndeshjeve në grupe.
Champions League
Grupi A/ Të martën
Dinamo Zagreb-Porto 0-2
L.Gonzales 41′, Defour 90+1′
Paris SG-Dinamo Kiev 4-1
Ibrahimoviç 19′ (p), T.Silva 30′, Aleks 32′, Pastore 90′/ Veloso 87′
Grupi B/ Të martën
Montpelie-Arsenal 1-2
Belhanda 9′ (p)/ Podolski 16′, Zhervinjo 18′
Olimpiakos-Shalke 1-2
Abdoun 58′/ Hovendes 41′, Huntelar 59′
Grupi C/ Të martën
AC Milan-Anderleht 0-0
Malaga-Zenit 3-0
Isko 3′, 76′, Saviola 13′
Grupi D/ Të martën
Dortmund-Ajaks 1-0
Levandovski 87′
Real Madrid-Man.Siti 3-2
Marcelo 76′, Benzema 87′, Ronaldo 90′/ Dzeko 69′, Kolarov 85′
Grupi E/ Mbrëmë
Çelsi-Juventus 2-2
Oskar 31′, 33′/ Vidal 38′, Kualiarela 82′
Shakhtar-Nordsjaeland 2-0
Mkitarjan 44′, 76′
Grupi F/ Mbrëmë
Bajern Mynih-Valencia 2-1
Shvainstaiger 38′, T.Kros 76′/ N.Valdez 90′
Lilë-BATE Borisov 1-3
Shedzhu 60′/ Volodko 6′, Rodionov 20′, Oleknoviç 43′
Grupi G/ Mbrëmë
Barcelona-Spartak M. 3-2
Tejo 14′, L.Mesi 72′, 80′/ D.Alves 29′ (autg), Romulo 58′
Sëlltik-Benfika 0-0
Grupi H/ Mbrëmë
Braga-CFR Kluzh 0-2
R.Bastos 19′, 34′
Mançester-Galatasaraj 1-0
Karrik 7′




























