Opozita kërkon llogari për reklamat, PD braktis mbledhjen
Politike e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 13:15 pm
Debat në Komisionin e Medias. Maxhoranca, pa kuorum.
Maxhoranca refuzoi dje të votojë propozimin e anëtarëve të opozitës në Komisionin Parlamentar të Medias për të kërkuar informacione nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe ajo e Kulturës për ndarjen e reklamave në mediat audio-vizive. Anëtarët e PD-së në Komisionin e Mediave janë larguar nga mbledhja për shkak të mungesës së kuorumit. Dje demokratët ishin në minorancë për shkak se disa prej deputetëve nuk ishin të pranishëm gjatë procesit të votimit, dhe për këtë arsye nuk pranuan të votojnë propozimin e socialistit Alfred Dalipi, për të zbardhur fondet e ministrive dhe ndarjen e reklamave qeveritare. Anëtari i PS-së, Dalipi, propozoi që Komisioni i Medias të kërkojë informacion zyrtar të detajuar nga tri ministritë për mënyrën e prokurimit të fondeve të reklamave qeveritare. Dalipi u shpreh se në rast se do të konstatohet se ka shkelje ligjore, atëherë socialistët mund ta zbardhnin të vërtetën dhe me anë të një komisioni hetimor parlamentar. “Nëse unë do të kem dokumentacionin e duhur, do të më çojë në një ushtrim të funksionin tim si parlamentar, ngritjen e një komisioni hetimor, lidhur me përdorimin e këtyre fondeve dhe me shpërndarjen e këtyre fondeve. Tani po i kërkoj zyrtarisht se shifrat janë të frikshme dhe alokimi dhe shpërndarja që nuk është bërë e barabartë, do më çojë mua te konkluzioni nesër në një tryeze me ndërkombëtarë, që të them që qeveria ka përdorur paratë e shqiptarëve për t’i bërë reklamë vetes në mënyrë selektive”, theksoi Dalipi. Por, për nënkryetarin e Komisionit, Mark Marku, Komisioni i Medias nuk është organi kompetent për të bërë një kontroll të tillë. Marku kërkoi nga të majtët që kërkesa të tilla t’i hartojnë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, pasi sipas tij, vetëm ky komision ishte i specializuar për të kontrolluar nëse ka shkelje ligjore. Nënkryetari i Komisionit tha se ndarja e reklamave bëhet me ligj specifik dhe çdo media ka të drejtë të ankimojë në gjykatë në rast padrejtësie. “Të gjitha mediat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, sepse kjo është pjesë e lirisë së shtypit dhe medias. Procedurat e dhënies së reklamës janë të përcaktuara me ligj, dhe në momentin kur verifikohen shkelje ligjore, çdo institucion mediatik ka të drejtë të ankimohet dhe t’u drejtohet institucioneve, Prokurorisë, Gjykatës etj.”, tha Marku. Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj hodhi në votim propozimin e Dalipit, por demokratët janë larguar nga salla duke mos pranuar të votojnë.
Leksaj: DASH e KiE, shqetësim liria e medias
Kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj, deklaroi dje se raportet e ndërkombëtarëve, si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Komisioni Europian, kanë ngritur si shqetësim ndarjen selektive të reklamave në mediat shqiptare. “Merrni raportin e Departamentit të Shtetit dhe të agjencive të tjera të specializuara për lirinë e medias. Çështjen e reklamës shtetërore e fusin te kapitulli i medias. Pse? E fusin aty se ka të bëjë me lirinë e shprehjes, pra ka të bëjë me lirinë e medias dhe ne vetëm nga kjo perspektivë duhet të kërkojmë informacion, jo nga perspektive ekonomike, që me të drejtë e përmendët. Kur mediat vihen në mënyrë të pabarabartë në treg, cenohet pra liria e medias”, tha Leskaj.




























