Lirohet i dyshuari për 2 vrasje
Kronike e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 14:59 pm
Shkodër/ Akuza s’provoi se Leonard Nika ishte në vrasjen e Frederik dhe Jurgen Markut.
Gjykata: S’ka prova për atentatin ndaj babë e bir.
Mungesa e provave nga ana e Prokurorisë liron të vetmin të arrestuar për ngjarjen e rëndë të 30 gushtit, ku mbetën të vrarë në një atentat në mes të Shkodrës babë e bir, Frederik dhe Jurgen Marku. Gjykata e Shkodrës la të lirë në seancën e djeshme 25- vjeçarin Leonard Nika, pasi akuza nuk gjeti prova bindëse, të cilat të mund ta implikonin të riun në vrasjen e dyfishtë. Gjykata kishte vendosur më parë si masë sigurie “arrest me burg, me afat 15 ditë” ndaj Nikës. Afati i përcaktuar nga trupi gjykues ishte i mjaftueshëm që Prokuroria të sillte prova të tjera që mund të përcaktonin nëse Leonard Nika kishte marrë pjesë në atentatin ndaj shtetasve Frederik dhe Jurgen Marku. Me gjithë kohën e lënë në dispozicion, akuza, të vetmen provë që kishte ishte fakti se Nika kishte qenë në fshatin Theth bashkë me shokët e tij dhe se ata janë konfliktuar për pluhurin e makinës me viktimat Frederik Marku dhe të birin, Jurgenin. Ngjarja, sipas Prokurorisë, ka ndodhur një ditë para atentatit. Por akuza nuk ishte në gjendje të provonte nëse Nika kishte marrë pjesë edhe mesditen e 30 gushtit në priten e organizuar ndaj tyre.
Ai ka mohuar të kishte gisht në vrasjen e babë e bir, që në momentin e ndalimit të tij. Madje, ai ka mohuar t’i kishte njohur më parë viktimat.
“Ditën e vrasjes jam thirrur në Polici për të dhënë dëshminë time në lidhje me zënkën e një dite më parë në Theth. Pasi firmosa deklaratën në Polici, më lanë të lirë. Më pas jam nisur për tek vëllai im në Velipojë. Por, nga të afërmit e mi mësova se policia më kërkonte sërish. U ktheva në Shkodër dhe shkova vetë të takoj inspektorin e Policisë së lagjes sime, për të mësuar ndonjë gjë më shumë. Ai më tha: “Eja pak në Polici, se të duan sërish për një verifikim”. Kur mbërrita atje, menjëherë më vunë prangat dhe më thanë se akuzohem për pjesëmarrjen në vrasjen e Frederik Markut dhe plagosjen e djalit të tij, Jurgenit, i cili vdiq pas dy ditësh”, u shpreh dje në Gjykatë 25-vjeçari Nika. Që në seancë e parë për caktimin e masës së sigurisë, mbrojtja i kërkoi gjykatës ta cilësonte arrestimin e të riut të paligjshëm. Në përfundim të seancës së djeshme, gjykata mori vendim të lirojë Leonard Nikën, pasi nuk ekzistojnë prova që e fajësojnë atë për një ngjarje të tillë. Në pritën e organizuar mesditën e 30 gushtit pranë spitaleve të qytetit të Shkodrës, mbeti i vrarë Frederik Marku, 46 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, 22 vjeç, Jurgen Marku. I riu u dërgua në spitalin e Shkodrës, por nuk arriti t’i shpëtojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë dy ditë më pas. Mëngjesin e ditës së atentatit, personat që mendohet se janë të njëjtët që kanë gisht në vrasje, dogjën edhe bujtinën e viktimave në fshatin Theth, si dhe një automjet të parkuar para saj.
Në kërkim tre të dyshuar për autorësinë
Tre persona të tjerë, të identifikuar tashmë, të cilët dyshohet se janë të implikuar në atentatin e 30 gushtit, janë ende në kërkim nga Policia e Shkodrës. Për efekt hetimi, emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, por blutë janë duke punuar edhe në sajë të të dhënave të siguruara në rrugë operative për të lokalizuar vendndodhjen e personave, të cilët u zunë pritë viktimave dhe i qëlluan ata me armë zjarri
SHKODER/ RIDVAN DIBRA



























