Elbasan, avokati në pranga se dhunoi gjyqtarin
Kronike e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 15:05 pmELBASAN – Godet gjyqtarin, arrestohet në flagrancë avokati elbasanas. Policia e qytetit të Elbasanit njoftoi dje prangosjen e 54-vjeçarit Bujar Dyrmyshi me profesion avokat, pasi ka goditur për shkak të detyrës gjykatësin Xheladin Karkini. Burime të Policisë bëjnë të ditur se “arrestimi i 54-vjeçarit, me profesion avokat, është bërë pasi mesditën e djeshme, ky shtetas ka shkuar në zyrën e gjykatësit në ambientet e Gjykatës së Rrethit në Elbasan. Aty i ka kërkuar një datë gjyqi për një çështje civile ku ishte zgjedhur si avokat dhe gjyqtar i kësaj çështjeje ka qenë Xheladin Karkini. Mësohet se ky i fundit i ka thënë që të shkonte pak më vonë, pasi për momentin kishte pak punë, por në këtë moment, avokati e ka goditur në fytyrë dhe në trup me grushte”. Ky është versioni i dhënë dje nga Policia e Elbasanit, ndërsa burime nga vendi i ngjarjes, pikërisht në institucionin e drejtësisë, thonë se mes tyre ka pasur vetëm debat. Në momentin e incidentit në sallonin e katit të dytë ku ndodhet edhe zyra e gjykatësit, kanë qenë disa qytetarë të cilët prisnin për problemet e tyre dhe kanë parë në distancë atë që ka ndodhur. Mes tyre mësohet se vetëm është debatuar dhe se nuk është përdorur dhunë fizike nga ana e avokatit. Gjithsesi, janë ekspertët e hetimit ata që do të zbardhin të plotë ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. m.s




























