Austriakët, energji diellore për Caritas-in
Sociale e Enjte, 20 Shtator, 2012 | 12:22 pmNjë sistem fotovoltaik që e shndërron dritën e diellit në energji, me vlerë 110 milionë lekë, u inaugurua dy ditë më parë në mjediset e Caritas-it Shqiptar. Sistemi u mundësua falë një partneriteti mes qeverisë lokale të Austrisë së Poshtme, kompanisë “EVN” dhe Caritas Austria, St.Pölten. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në mjediset e Caritas-it Shqiptar, drejtori Albert Nikolla ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe posaçërisht mundësuesit e këtij impianti, që do të thotë jo vetëm kursime, por edhe përmirësim të cilësisë së jetës dhe, sigurisht, energji të pastër. Të pranishëm kanë qenë Monsinjor George Frendo, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, deputeti Gjokë Uldedaj, përfaqësues të kompanisë “EVN”, të Caritas-it Shqiptar, Caritas Austria dhe të qeverisë së Austrisë së Poshtme. Caritas-i Shqiptar, në bashkëpunim me Caritas Austria, St.Polten ka mundësuar hartimin dhe zbatimin e shumë programeve në ndihmë të grupeve në nevojë.


























