“Skënderbeu” i Vivaldit ngjitet në skenën shqiptare
Kulture e Mërkurë, 19 Shtator, 2012 | 13:04 pm
Hapet sezoni artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Zhani Ciko: Si u shpëtua vepra e autorit të “4 stinëve” nga një shqiptar në Venecia.
Ndërsa herë pas here ngrihen debate rreth ekzistencës së Skënderbeut apo sjelljes së tij politike, dora-dorës zbulohen vepra artistike që i janë kushtuar atij në rrjedhën e kohës. Portrete, gravura, libra dhe, ajo më interesantja, një operë e shkruar pikërisht nga Antonio Vivaldi, një prej kompozitorëve italianë më të njohur në botë, autor i “Katër stinëve”. “Scanderbeg” është një operë me tri akte, me libret të Antonio Salvit. Për herë të parë u shfaq në “Teatro della Pergola” në Firence, më 22 qershor 1718, duke shënuar dhe rihapjen e këtij teatri. Sot nga kjo operë kanë mbërritur vetëm disa fragmente, të cilat po restaurohen, po “mbushen” dhe do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në muajin nëntor. Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, tregon historinë e kësaj vepre, rigjetjen dhe shpëtimin e saj nga një shqiptar dhe si vjen ajo deri në ditët tona. Gjithashtu, Ciko zbulon edhe kalendarin e këtij sezoni artistik, që hapet më 28 shtator.
Ky sezon artistik në TKOB do të kulmojë me operën “Scanderbeg” të Vivaldit, ç’është kjo vepër dhe si është e mundur që një kompozitor i këtyre përmasave ka kompozuar për Heroin tonë Kombëtar?
“Scanderbeg” është një vepër e muzikës baroke, e kompozitorit të madh italian Antonio Vivaldi. Ky është një projekt kulturor tepër i guximshëm i teatrit tonë, sepse kemi të bëjmë jo vetëm me sjelljen e pjesëve të gjetura të veprës në Shqipëri, por edhe me restaurimin e saj, duke plotësuar pjesët e munguara, për t’i dhënë imazhin e plotë, edhe pse një pjesë e saj ka vulë bashkëkohore. “Scanderbeg” shënon ndoshta rastin e parë në muzikën botërore, kur në epokën e barokut dhe të klasicizmit një vepër i drejtohet një personazhi historik. Personazhet e tjera, të së gjithë literaturës operistike botërore që nga epoka e barokut deri tek opera “Traviata” e Verdit, janë personazhe të së kaluarës, ose personazhe biblike, ose të legjendave, si “Orlando Furioso”, “Medea”, “Orfeu” etj. Ndërsa “Scanderbeg” është një opera që flet për një personazh gati-gati bashkëkohor me autorin. Kjo vepër sjell një dritë për ne, përpara se të shkruhen veprat e mëdha historike nga Barleti e të tjerë për Heroin tonë Kombëtar, i cili përderisa është vënë në qendër të një opere, do të thotë që ka gëzuar popullaritet dhe një emër shumë të nderuar. Kjo hedh poshtë shumë diskutime dhe hamendje rreth kësaj figure. Nga ana tjetër, fakti që një vend i tillë, në pararojën e zhvillimit të arteve, të muzikës si Italia, është fokusuar te historia e Skënderbeut, Heroit shqiptar, është shumë me rëndësi për ne.
Thatë se pjesë të veprës mungojnë, çfarë ka ardhur deri në ditët tona dhe si po kryhet restaurimi?
Vepra ka libretin e saj të plotë, i cili gjithashtu është ripunuar disa herë. Kemi disa fragmente muzikore, që për fat janë edhe arie të personazheve kryesore, nja dy numra koralë, si dhe pjesë që janë plotësuar me muzikën e kohës së Vivaldit, por edhe fragmente, të cilat janë enkas të kompozuara, që të duken se i përkasin një kompozitori të kohës sonë, jo imitime të stilit të autorit. Kjo është një vepër që po e restaurojmë në bashkëpunim me Akademinë e Veronës dhe do të përpiqemi të tregojmë se si e ka parë epoka (muzika) baroke figurën e Skënderbeut. Është një operacion restaurues dhe jo i vënies në skenë të një vepre të plotë, por që ne po e plotësojmë në nivelin e një spektakli shumë domethënës për Shqipërinë, por edhe për kulturën botërore. Fakti që ka qysh tani interesim nga ente të ndryshme në Itali, për ta ndjekur veprën e për ta çuar atje, është një tregues se bëhet fjalë për një projekt kulturor me rëndësi të veçantë.
Kjo është një nga ato vepra, që për një kohë të gjatë i njihej vetëm emri, si u rizbulua?
Është shumë interesante, madje duke kërkuar kam gjetur gjëra, që as miqtë e mi të projektit nuk i njohin. Koincidenca e madhe është që gjetja e katalogut të veprave të Vivaldit dhe shpëtimi i tyre nga humbja, pas fatkeqësive që pësuan pasardhësit e tij, të cilët u detyruan t’i shisnin veprat e tij për konsum letre, erdhi nga një pinjoll i një familjeje të madhe shqiptare, të larguar në kohën e Skënderbeut. Bëhet fjalë për familjen Durazzo, me një jehonë të madhe në kulturën europiane, nga Italia në Austri, me marrëdhënie të shumta me kompozitorë të mëdhenj të kohës, si Gluku, Moxarti, Rosini etj. Një nga pinjollët e kësaj familjeje, Gaetano Durazzo, gjeti në bankarelat e Venecias shumë vepra muzikore të Vivaldit, të destinuara për ambalazh, të cilat ai i bleu dhe i mori në Bibliotekën e Torinos, ku ai ishte drejtor. Vetëm pas shumë vitesh, mes tyre u gjetën edhe pjesët e kësaj vepre, e cila dihej që ishte në katalogun e krijimtarisë së Vivaldit, por s’kishte gjurmë, si shumë të tjera. Ky shqiptar gjeti dhe shpëtoi këtë vepër kaq të veçantë. Ka një predestinatë hyjnore, një dorë perëndie në gjithë këtë histori.
Nga njohja e deritanishme e veprës, si paraqitet Skënderbeu dhe historia shqiptare në këtë opera?
Duke pasur libretin, mund të kuptosh shumë. Historia është po ajo që ka ndodhur, po kështu edhe personazhet. Është një vepër interesante heroike, kalorësiake, pak aventurore. Ajo fillon me Donikën dhe të atin, Aranitin (Doneca dhe Aranic), në tendat e sulltan Muratit, pa u shfaqur se cilët janë. Nga ana tjetër, Skënderbeu përpiqet të rrëmbejë të bijën e sulltan Muratit. Në këtë mënyrë ofrohet një jetë diplomatiko-ushtarake që është pak e panjohur për ne. Opera shkon deri te vdekja e Amuratit-sulltan Muratit, në muret e Krujës, pra dështimi i tij në rrethimin e parë të Krujës.
Sezoni i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit
Sezoni i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të hapet më datë 28 shtator me një distik hungarez, ku sipas drejtorit Zhani Ciko përfshihen dy pjesë të shkëputura nga repertori më domethënës hungarez. E para i përket një vepre të Ferenc Erkel, dhe sipas Cikos nuk shkëputet krejtësisht nga atmosfera historike, pasi titullohet “Lazlo Huniadi” që është djali i Janosh Huniadit, personazhit historik, bashkëkohësit të Heroit tonë Kombëtar. “Në këtë spektakël, pjesa e dytë i përket një prej veprave më pretencioze të muzikës hungareze dhe asaj botërore. Është baleti “Mandarini i mrekullueshëm” i kompozitorit Bela Bartok. Është një nga kryeveprat e gjysmës së parë të shek. XX. Një vepër tepër e komplikuar, si nga përmbajtja e veprës, ashtu edhe nga pikëpamja e teknologjisë së të bërit të muzikës, e cila në kohën e saj ka hapur mjaft debate dhe për nga konceptimi e ka ngjitur kompozitorin në piedestalin e muzikës së shek. XX”, thotë Ciko. Kryefjala e këtij sezoni duket se do të jetë opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldit, e cila do të shfaqet në muajin nëntor. Nuk do të mungojnë veprat e repertorit operistik botëror, si rivënia e operës “Toska”, baleti “Silfide”, si dhe koncerte e mbrëmje përkujtimore në kuadrin e 100-vjetorit. Nuk do të mungojnë as veprat e reja, të cilat do të dalin nga konkursi i shpallur nga MTKRS për muzikën serioze. Sipas Cikos, do të jetë një kalendar i ngjeshur brenda kalendarit të madh të festimeve, që ngërthen të shkuarën, por me premisë nga e ardhmja.
ALMA MILE




























