Andis Gjoni: Politika, arsyeja e tranzicionit të tejzgjatur
Kulture e Hënë, 17 Shtator, 2012 | 14:04 pm
Ekspozita “Tranzicion i përhershëm” në galerinë “Zenit”
“Me informacionin që merret sot, e pamundur të tërheqësh vëmendjen si dekada më parë”
“Nuk mund të tërheqësh vëmendjen e publikut me mjetet e dekadave më parë”. Kështu thotë artisti Andis Gjoni, i cili sa herë vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton dhe zhvillon karrierën e tij prej vitesh, sjell me vete edhe nga një ekspozitë që provokon debat. Në ekspozitën e hapur në galerinë “Zenit”, nën titullin “Tranzicion i përhershëm” ai përpiqet të zgjojë publikun, ta shkundë atë të reflektojë mbi realitetin e lodhshëm dhe tranzicionin e tejzgjatur. Ka ardhur koha për të kaluar në një tjetër fazë. Përmes instilacioneve, videove dhe performancave, Gjoni vë në lojë politikën, religjionin, por edhe vetë individin me zgjedhjet e tij. Në një intervistë, artisti i cili lëvron edhe pikturën, skenografinë dhe gjithë mediumet që i ofrohen për t’u shprehur, shpjegon provokimin e tij të radhës.
E keni quajtur ekspozitën tuaj “Tranzicion i përhershëm”, ç’doni të thoni?
Kam marrë nxitje nga realiteti i vendit tim. Ne po kalojmë një tranzicion të tejzgjatur. Ideja e tranzicionit është të kalosh nga pika A në pikën B dhe mendohet se në një moment të caktuar do mbërrish në pikën B, por duket sikur ajo largohet gjithnjë e më shumë dhe ne nuk e kalojmë dot këtë periudhë fillestare ambientimi të shoqërisë nga një sistem në një sistem tjetër dhe të kalojmë në fazën e një zhvillimi normal. Ky është shqetësimi im dhe me këtë ekspozitë përpiqem të provokoj publikun, që edhe ai të reagojë duke reflektuar.
Përtej idealizimit që krijon largësia, ju arrini ta shihni ftohtë atë që ndodh në Shqipëri…
Zakonisht kur jeton jashtë i idealizon gjërat, edhe pse tashmë janë ngushtuar shumë rrugët e komunikimit dhe të informacionit. Të njëjtin informacion që ju merrni përditë këtu përmes mediave, e marr edhe unë atje. Largësia e idealizon disi vendin tënd dhe, kur vjen këtu, sheh se realiteti nuk është ashtu siç e mendoje, mundohesh që me artin, me punën tënde të influencosh, që kjo shoqëri të transformohet dhe të kalojë tranzicionin…
Ku i shihni rrënjët e këtij tranzicioni të zgjatur?
Politika është thelbi i gjithë këtij tranzicioni të vazhdueshëm dhe atë mundohem të kritikoj përmes artit tim. Është e vështirë të thuash se ku ka zhvillim dhe ku ka stanjacion, sepse shoqëria është e përbërë nga shumë elemente, nga arti, kultura, arsimi… që ndikojnë në formimin e njeriut dhe të shoqërisë. Por në përgjithësi duket sikur nuk ecën asgjë, sikur bëhet një vendrrotullim i vazhdueshëm. Ka një zhvillim, por ai është natyral dhe nuk mund ta quash si ecje përpara. Është si njeriu që lind, rritet dhe fillon plakja, pavarësisht se në ç’kushte apo me çfarë është ushqyer njeriu. Në Shqipëri po ndodh një rritje e sforcuar nga një klasë drejtuese me një vizion të cunguar.
Që në hyrje të galerisë të godet pamja e një burri, me gjasë politikan (prej veshjes), me kokë poshtë mes një rrënoje, ç’simbolizon?
E titulloj “Fitorja” ose “Victory”, një lojë fjalësh që i vihet përballë shkatërrimit dhe kaosit urbanistik. Kur sheh një qytet, percepton një lloj arkitekture, ndërsa këtu edhe godinat e reja janë si të palidhura me njëra-tjetrën, nuk ka një arkitekturë frymëzuese, por mbytëse. Kjo të krijon një gjendje pakënaqësie. Por këtë gjendje nuk ta krijon vetëm arkitektura, por edhe rruga, njeriu… të krijon një gjendje revolte, pasi nuk arrin të kuptosh se përse në vendin tënd nuk bëhet më e mira, në një kohë që nuk i mungon asgjë, qoftë pozita gjeografike, distanca me Europën, kryqëzimi i rrugëve… I gjithë problemi është te vizioni pengues drejtues.
Nuk i shpëton dot tronditjes para një arkivoli mbushur me mollë. Janë mollët e Evës dhe Adamit, mollët e Njutonit apo mollë politike, siç i quan një poet greko-francez?
Është molla e mëkatit dhe me atë vepër dua të tregoj për jetën e një njeriu të mbushur me mëkate dhe këto janë aq të shumta, saqë arkivoli i tij është përplot me mollë. Kanë ardhur shumë njerëz dhe, kur i them merrni një mollë, kanë frikë t’i prekin. Ndërkohë që në mur shfaqet një imazh tjetër që e ngatërron paksa shikuesin. Është imazhi i një hajmalie që ndodhet në një muze të New York dhe duket sikur ka një imazh fetar aty, por që nuk ka lidhje fare me fenë, por shpreh diçka krejt tjetër, që lidhet me riprodhimin.
Në katin e dytë ju luani guximshëm me akt shumë të rëndësishëm për një shtet, që është Kushtetuta…
Mund të jetë Kushtetuta e çdo vendi, ku tranzicioni zgjat më shumë se ç’duhet, ku ka padrejtësi, korrupsion etj. Nuk ka kombësi, madje as nenet nuk kanë numrat, por është një zero absolute, pasi asnjë njeri nuk e respekton dhe nuk e zbaton.
Kjo është arsyeja pse përbri i vini një meny të mbushur me fishekë, bomba dore…?
Po vendosja nuk është e paqëllimtë. Nga një dokument i respektuar, i cili e humbet tërësisht vlerën e tij, kalojmë në një “meny” dhune, të cilën ne e marrim përditë nga mediat, filmat, rruga, komunikimi. Dhe ajo vepër nuk i takon vetëm Shqipërisë, pasi kjo gjë ndodh edhe në Amerikë, ku merr të njëjtin “ushqim të përditshëm”. Dhe duke e marrë përditë këtë ushqim, atëherë mësohesh dhe e kërkon vetë, ndaj dhe e kam quajtur “Bukën tonë të përditshme falna sot”, si një lutje Perëndisë.
E ndërsa në Shqipëri gjeni boll material ku të mbështesni punët tuaja, nga Amerika keni marrë me vete një video, që shpreh një kontrast të fortë mes bukurisë, pasurisë dhe varfërisë. Është një lloj kundërpeshe?
Kjo është një video që shpreh diferencën, por edhe bashkëjetesën mes njerëzve të klasave të ndryshme dhe kafshës. Të tre janë duke bashkëjetuar me njëri-tjetrin, por ekzistenca e secilit është shumë e ndryshme. Është dikush që po ushqehet nga koshat e plehrave, është ai që i sheh nga ballkoni i një hoteli me 5 yje dhe me gjasë ka hedhur ato mbeturina në kosh dhe janë pulëbardhat që presin të hanë ato që do të mbeten në fund. Një kontrast shumë i thellë, që të godet.
Kjo nuk është hera e parë që vini në Tiranë me ekspozita provokuese, kërkoni të tërhiqni vëmendje?
Provokacioni është pjesë e artit tim. Ndoshta e përdor më shumë se të tjerët, por mendoj sa më shumë të provokosh, aq më shumë reagime do të marrësh nga publiku. Qëllimi im është që publiku të jetë pjesëmarrës, të reagojë në mënyrë maksimale.
Ndoshta është koha që jetojmë që ju drejton tek arti i angazhuar?
Pikërisht. Prej kohësh në botë zhvillohet një art aktiv. Një art aktiv me mesazhin që jep, sepse me informacionin e shumtë që njeriu merr sot, është e pamundur të tërheqësh vëmendjen me mënyrat e dekadave më parë. Edhe kur godet publikun, duhet që ai të reagojë ndaj saj, ndryshe mesazhi yt do të humbasë në kakofoninë e mijëra mesazheve që njeriu merr çdo ditë.
Në katin e parë shohim se raftin e librave të “Zenit” i keni zëvendësuar me të tjera objekte, me të cilat kemi rënë në kontakt më së shumti këto 20 vitet e fundit, përse?
Raftet e librave i mbusha me objektet e tranzicionit, cigare, armë, gazeta… dhe këto, rafte konsumi të një kotësie, e cila të vret.
Nuk mjaftojnë mollët, por edhe një vajzë me sëpatë në dorë, që të duket si sëpata e vdekjes, përse duhet?
Ajo mban mbi trup të gjitha simbolet fetare, që nga gjysmëhëna, te kryqi, tek ylli i Davidit, ndërsa në dorë mban një sëpatë, që u rri njerëzve mbi kokë. Kjo performancë lidhet me të gjitha punët e tjera të ekspozitës, me idealizimin e diçkaje të mbinatyrshme (le ta quajmë), e cila nuk bën asgjë për të ndryshuar apo për të rregulluar hallet e botës, por të tregon fundin në parajsë apo në ferr. Ndërkohë që sa shumë luftëra “të shenjta” janë zhvilluar në emër të religjionit…
ALMA MILE





























