Sporti nga bota
Sport e Premte, 14 Shtator, 2012 | 13:45 pmNë Zvicër janë pastruar paratë e trukimeve
Thesari duket se është depozituar në Zvicër, ashtu siç është traditë. Një pasuri e grumbulluar ndër vite nga një fluks i vazhdueshëm parash dhe i lidhur me bastet e paligjshme dhe trukimet në futboll. Dhe jo vetëm kaq, pasi Prokuroria e Bernës është e bindur se pas kësaj fshihet një organizatë kriminale dhe kjo çështje ka të bëjë me riciklimin e parave. Në qendër të gjithë kësaj historie është një lojtar italian.
Materaci: Unë dhe Mou do drejtojmë Interin
Marko Materaci ka lënë rolin e futbollistit prej kohësh, por e bën shumë mirë detyrën e kritikut sportiv. Ai flet qartë dhe në mënyrë të sinqertë, duke treguar se është ideal për këtë punë. Ish-lojtari analizon situatën tek Interi, si dhe blerjen e verës, Antonio Kasano. “Flas shpesh me Murinjon. Ka ndërtuar një ekip të fortë. Por është i dashuruar me Interin. Një ditë unë dhe ai mund ta drejtojmë ekipin”.
Juventusi, Anjeli premton një bomber
Juventusi e ka pritur prej kohësh rikthimin e tij në Ligën e Kampioneve dhe për ta bërë sa më të bujshëm, presidenti Andrea Anjeli kërkon që skuadra të jetë protagoniste sa më gjatë. Ai kërkon nga ekipi që me grupin që ka, të avancojë në 1/8-at e turneut. Ndërsa në janar vijnë përforcimet për në fazën pasardhëse. “Zonja” do të zgjedhë mes tre sulmuesve: Huntelarit, Lorentes ose Jovetiçit.
Federata Gjermane, Presidenti: Gay-t të dalin hapur
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Teo Cvanciger, ka deklaruar se është ende një hap i madh që sportistë të ndryshëm të bëjnë të ditur prirjen e tyre homoseksuale. “Kemi të bëjmë me thyerjen e një tabuje. Por lojtarët duhet të dalin hapur”, tha ai. Edhe Kancelarja Angela Merkel u ka dalë në mbrojtje lojtarëve. Reagimi erdhi pas intervistës së një lojtari të njohur, që tha se në Bundesligë ka shumë homoseksualë.
“El Clasico” më 7 tetor, ora 19:50
Kalendari i La Ligës befasoi të gjitha mediat në javët e para, kur ishin programuar që disa ndeshje të luheshin në orën 22:00 apo 23:00. Por Liga spanjolle, në bashkëpunim me sponsorët dhe firmën e të drejtave televizive ka rënë dakord që “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit të zhvillohet më 7 tetor në orën 19:50, orar i cili është përshëndetur edhe nga mediat botërore.


























