Panorama Sport
Home » Speciale » Ambasadori: Enveri falsifikonte takimet me diplomatët

Ambasadori: Enveri falsifikonte takimet me diplomatët

Gazetarja Maria Dobresku

U promovua dje libri i gazetares Maria Dobresku.

George Miku: Si u dënuan patriotët që vendosën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ish-ambasadori George Miku tregon marrëdhëniet shqiptaro-rumune nën diktaturë.

“Dëshmia ime për mbledhjen e 81 partive”

“Përpjekjet e Andropovit për të kthyer në anën e BRSS Hysni Kapon”

Shumica e folësve iu referuan mbiemrit të tij, i cili, sipas tyre, i shkon shumë përshtat diplomatit, i cili ka kaluar 25 vite në Shqipëri. Kësaj here, George Miku (Gheroghe Micu) nuk u kthye në Tiranë për ndonjë takim diplomacie, por për të marrë pjesë në një promovim libri, që për personazh kryesor ka pikërisht atë. “Pesë dekada diplomaci”, një libër që mban autorësinë e gazetares rumune Maria Dobresku, botuar nga shtëpia botuese “55”, u promovua dje në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë. Libri është trajtuar në formën e një interviste të gjatë. Dobresku ka dashur që deri në fund të jetë gazetare, duke pyetur, duke komentuar dhe duke e lënë të intervistuarin të përgjigjet, edhe pse siç thotë ajo, në rastin Mikut nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Për asnjë moment gjatë intervistimit ai nuk e kishte zhveshur “kostumin” e diplomatit. Gjatë promovimit, ministri i Jashtëm Edmond Panariti, botuesi Fahri Balliu, përfaqësuesi i Ambasadës Rumune në Tiranë etj.

ISH-AMBASADORI GEORGE MIKU, DJE GJATE PROMOVIMIT NE TIRANE

vlerësuan personalitetin e George Mikut, për kontributin që ai ka dhënë në fushën e marrëdhënieve shqiptaro- rumune, por edhe gazetaren, e cila përmes këtij libri jep një kontribut të çmuar për historinë. “Shënimet e ambasador Mikut janë një dëshmi lëndore, dokumentare e patjetërsueshme, që të japin dorë të hedhësh një vështrim krahasues e ballafaques mbi versionin zyrtar të historiografisë së regjimit nga njëra anë, dhe publikimet e shumta të pasviteve ‘90, si të autorëve shqiptarë ashtu edhe të huaj, të cilët janë përpjekur të revizionojnë, ose më saktë, të rishkruajnë nga e para fragmentet e retushuara të historisë shqiptare të asaj kohe. Suaza kohore kur Miku vjen e zhvillon veprimtarinë e vet në Shqipëri është e ngjeshur jashtëzakonisht me ngjarje historike, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, të cilat, për shkak të kontekstit ndërkombëtar, shkojnë e marrin një dramacitet të pazakontë, si refleks i përplasjes së madhe mes Lindjes e Perëndimit”, do të shprehej shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi, drejtor i Drejtorisë së Diplomacisë Publike. Vetë Miku do të bënte një historik të shkurtër të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, duke përmendur faktin që Rumania ka qenë shteti i parë që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë 100 vjet më parë e ku ka gjalluar dhe vazhdon të jetë një komunitet i fuqishëm shqiptarësh.

VITET E TRISHTIMIT
Sistemi i asgjësimit të çdo lloj forme rezistence gjatë periudhës së totalitarizmit ishte po aq i dhelparak, si dhe tek ne. Në librin “Vitet e trishtimit”, Teodor Laço paraqet dramën e një intelektuali të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë gjatë viteve ‘80, gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Pasi hyri në rrotat e dhëmbëzuara të policisë sekrete, heroi arrin të dëshirojë vdekjen për t’i shpëtuar presionit. Keni qenë dëshmitar i atyre kohërave. Si pasqyroheshin para opinionit publik proceset politike në Shqipëri gjatë periudhës 1960-1990?

Kopertina e librit

Gh.M. Sistemi ishte në nivelin e metodave të përdorura nga Stalini kundër të ashtuquajturve “armiq të popullit”. Ishte një sistem kundër popullit të vet, në fakt. Në Shqipëri, regjimi totalitar veproi në mënyrë të tillë, saqë shumë prej atyre që iu dedikuan me trup e me shpirt çështjes shqiptare, para çlirimit, gjatë periudhës së çlirimit dhe pas saj u identifikuan si armiq të Shqipërisë dhe u eliminuan, disa prej tyre kishin themeluar Partinë Komuniste Shqiptare. Të gjithë u likuiduan si armiq të popullit. Kam parasysh Koçi Xoxen, Tuk Jakovën, që të dy anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror, por edhe shumë të tjerë. Ish-anëtarët e Komitetit Qendror u eliminuan me pretekste të ndryshme. Disa prej tyre kishin organizuar një koncert të muzikës së lehtë “dekadente”, për shembull. Midis tyre ishte Todi Lubonja, sekretar i parë i Rinisë shqiptare gjatë viteve ’50, të cilin e kam njohur kur mbërrita në Shqipëri, por edhe të tjerë. Gjithashtu, shumë nga shqiptarët që kishin marrë pjesë në takimin e Bukureshtit, ku u vendos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, të cilët u kthyen më pas në vendin e tyre, duke iu kushtuar çështjes shqiptare, si Dhimitër Berati, Pandeli Evangjeli etj. Megjithëse kishin luajtur një rol të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist u mënjanuan plotësisht, kurse një pjesë tjetër u dorëzuan në duart e Drejtësisë, u dënuam me burgim, ku edhe mbyllën sytë. Rasti i Dhimitër Beratit është fatlum, sepse ai mbeti në Itali. Pandeli Evangjeli, ish-prefekt i Korçës, ministër i Jashtëm, kryetar i Senatit, kryeministër në kohën e Mbretit Zog, i shpëtoi dënimit, por u la në harresë të plotë. Por u persekutua i biri i tij, Joneli, emër ky rumun, që ia kishte vënë i ati i tij, i cili, pasi kishte mbaruar studimet gjimnaziale në Bukuresht si dhe studimet e larta në Paris, u kthye në Shqipëri ku punoi si punëtor i pakualifikuar, në vend që të kishte një post të lartë në Ministrinë e Drejtësisë.
Një rast tepër i njohur është Sherif Merdani, këngëtari i madh i muzikës së lehtë që bëri 17 vjet burg meqë kishte kënduar “Let it be”. Sherif Merdani ka punuar edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht pas viti 1990…
Është e vërtetë. Tani punon në Ministrinë e Jashtme.
Poeti Çezar Ivënesku, në kujtimet e tij mbi udhëtimet në Shqipëri të viteve ‘70, tregon për këndet publike, ku njerëzit demaskonin njëritjetrin, duke shkruar me shkumës apo duke ngjitur fletë-rrufe…
Kishin kopjuar metodën kineze të dazibaos, e cila i krijonte mundësinë çdo njeriu që të denonconte një parregullsi të kryer nga dikush. P.sh., në këto tabela shkruhej: “Filani ka sharë Partinë, ka sharë Enver Hoxhën apo një funksionar të lartë të shtetit”. I denoncuari diskutohej nga kolektivi i punës së tij, përjashtohej nga Partia nëse ishte anëtar i saj, dërgohej në Gjykatë, dënohej, madje mund edhe të ekzekutohej.
Nuk kishte asnjë shans të demonstronte pafajësinë e tij apo të kërkonte të drejtën për të shprehur në mënyrë të lirë mendimet e tij. Pra, për shkak të një denoncimi absurd, jeta e tij shkatërrohej plotësisht. Hante burgun, në rastin më të mirë, duke qëndruar vite me radhë në qeli. Sa kohë zgjati ky maskarallëk?
U konsumua deri në ndërprerjen e marrëdhënieve shqiptaro- kineze, në vitin 1978. Në 1961-n kishin ndërprerë marrëdhëniet me sovjetikët. Pastaj adoptuan kinezët, me të cilët qëndruan deri në 1978 dhe pas vizitës së Niksonit në Kinë, udhëheqja shqiptare u nda nga kinezët, duke pretenduar se këta ishin afruar me imperializmin amerikan. Duke mbetur ata marksist-leninistët më të pastër. Kështu u zhduk edhe puna me fletërrufetë, por mijëra e mijëra shqiptarë vuajtën për shkak të fushatës për demaskimin e armiqve të popullit dhe Partisë.
Në rrethin diplomatik, si reflektoheshin proceset gjyqësore politike?
Jo të gjitha proceset gjyqësore politike bëheshin publike. Ishin publike gjatë periudhës së viteve ’50, kur gjykoheshin dhe dënoheshin të ashtuquajturit spiunë të dërguar nga Perëndimi në Shqipëri. Kam asistuar edhe unë atëherë në gjyqin e dikujt që quhej “Matjani” (ndoshta ishte nga zona e Matit, një rreth në Veri të vendit) i dërguar në Shqipëri të organizonte rezistencë të armatosur kundër regjimit komunist. U kap, u gjykua dhe u dënua me vdekje. Meqë ai ishte arratisur, ka qenë, ndoshta, i rekrutuar nga shërbimet perëndimore dhe i dërguar prej tyre të luftonte sistemin e ri politik. Kështu e paraqesin shqiptarët këtë rast. Më kujtohet (isha student atëherë) se ishte një proces publik i zhvilluar në sallën e kinemasë “Republika” të Tiranës, ku morën pjesë edhe qytetarë të qytetit. Si ky rast ka pasur në ato vite. Disa ishin gjykuar si spiunë të jugosllavëve, të tjerë si spiunë të sovjetikëve e kështu me radhë.
Gjatë karrierës suaj si diplomat në Shqipëri, keni pasur mosmarrëveshje me personalitetet politike shqiptare?
Sigurisht. Gjatë periudhës kur kam qenë diplomat në Tiranë, ka pasur kontradikta gjatë diskutimeve mbi tema të ndryshme të politikës së brendshme apo të jashtme, të të gjitha niveleve, deri në nivelin e shefit të shtetit, secili nga bashkëbiseduesit ndodhej në pozitat e vendit të vet. Por, më në fund, këto mosmarrëveshje janë zgjidhur paqësisht, siç ishte rasti i diskutimit me Ramiz Alinë. Në vitin 1990, pas Revolucionit rumun të 1989-s, njoftova se personeli i Ambasadës iu bashkua Frontit për Shpëtim Kombëtar të Rumanisë, si dhe faktin se ishte vënë në shërbim të regjimit të ri. Ramiz Alia, si presidenti i Shqipërisë, i dërgoi një telegram urimi kryetarit të ri të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, Jon Ilieskut, me anë të së cilës shprehte dëshirën e vazhdimit të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Historia e atyre evenimenteve ishte si më poshtë. Më 25 dhjetor 1989, Ambasada e Rumanisë në Tiranë lajmëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për evenimentet në Rumani, të cilat çuan në rrëzimin e Ceasescut dhe të klanit të tij. Në përgjigjen e saj, Ministria e Jashtme Shqiptare theksoi faktin se Shqipëria ka respektuar dhe respekton të drejtat e popullit që, në liri, sovranitet dhe pavarësi të plotë, të vendosë vetë fatin e saj të brendshëm. Ministri i Jashtëm shqiptar shprehu gjithashtu ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar ndaj popullit rumun, si dhe dëshirën e qeverisë shqiptare për të vazhduar marrëdhëniet e mira.
Më duket më shumë një pajtim me realitete e reja në Rumani. Kanë ekzistuar përballje të tjera me autoritetet shqiptare?
Sigurisht, por diskutimet në kuadrin e bisedave nuk kanë prekur marrëdhëniet midis Rumanisë dhe Shqipërisë. P.sh., takimet e ambasadorit rumun Manole Bodnërash me Enver Hoxhën ishin mjaft të tensionuara, në kuptimin që Enver Hoxha mbronte marksizëm-leninizmin, kurse Manole Bondërash politikën rumune. Rastësia bëri që në një libër me titullin “Hrushovianët” Hoxha relaton takimin me ambasadorin rumun, moment të cilin e kemi cituar edhe ne. Duke bërë krahasimin me atë që informuan ne Rumaninë, ekzistonte një diferencë kolosale. Në libër, Enver Hoxha dominonte, ishte ai që jepte këshilla, urdhra, sugjerime etj. Nëse do t’i vendosje ballë për ballë raportet e të dy politikanëve, do të zbuloje pikëpamje kontradiktore për këtë takim.
Mosmarrëveshjet e rëndësishme u shfaqën në 1961-n, kur Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe nga partitë e tjera komuniste europiane. Megjithatë, ekzistonin pika divergjente midis politikës së brendshme dhe asaj të jashtme të Shqipërisë. Ishin diferenca midis orientimeve të brendshme dhe politikës që duhej të zbatonte diplomacia jashtë vendit…
Divergjencat midis Rumanisë dhe Shqipërisë, apo thënë më mirë, midis partive që ishin në pushtet në të dyja vendet u shfaqën në 1960-n, në konferencën e partive komuniste dhe punëtore në Moskë, kur Hrushovi demaskoi politikën e Partisë Komuniste kineze, e cila nuk ishte në përputhje ne atë të Partisë Komuniste të BRSS. Enver Hoxha, duke qenë i pranishëm në takimin e Moskës, u ndodh në anën e Kinës. Kësisoj, kjo gjë u pa edhe në konferencën e 81 partive komuniste dhe punëtore, që u zhvillua në qershor 1960, në Bukuresht. Atëherë u shfaqën për herë të parë mosmarrëveshjet, kur delegacioni sovjetik, i drejtuar nga Juri Andropov, kritikoi Partinë Komuniste kineze, kurse Hysni Kapo, i cili ishte shefi i delegacionit të PPSH-së, u gjend në anën e kinezëve. Vijuan një seri takimesh, në të cilat kam marrë pjesë edhe unë, midis Hysni Kapos dhe Andropovit. Ky i fundit, duke u përpjekur të ndikonte mbi Kapon për ta kthyer në anën e BRSS-së, gjë që nuk ndodhi. Këto mosmarrëveshje u theksuan në Moskë, në nëntor 1960. Atje ishin të pranishëm delegacionet e partive komuniste që merrnin pjesë në manifestimet që lidheshin me Ditën Kombëtare të BRSS-së, 7 nëntor. Enver Hoxha e braktisi i nevrikosur këtë takim dhe iku me tren nga Moska në Kiev, pastaj Budapest, Romë dhe nga Roma mbërriti në Tiranë. Atëherë u theksuan divergjencat ideologjike, ndërsa partitë e vendeve socialiste europiane u gjenden, me përjashtim të Shqipërisë, në anën e Bashkimit Sovjetik, mes të cilave ishte dhe Partia e Punës së Rumanisë. Si pasojë e këtyre ngjarjeve, po atëherë u shfaqën edhe mosmarrëveshjet midis PPSh-së dhe PPR-së, e cila, megjithatë, nuk i ndërpreu marrëdhëniet në linjë partie, me organizatat e masave dhe ato profesionale, që u zhvilluan në mënyrë normale deri në 1979. Në këtë vit lidhjet midis dy partive u ndërprenë, duke vazhduar vetëm lidhjet në linjë shtetërore. Megjithatë, përherë Rumania ka qenë e vëmendshme me Shqipërinë, e cila, megjithëse vazhdonte polemikën dhe sulmet kundra partive të tjera komuniste, asnjëherë nuk bëri referime ndaj Rumanisë. Por edhe Rumania, më pas, pushoi së kritikuari udhëheqjen shqiptare. U vazhdua shkëmbimi i telegrameve të urimit midis udhëheqësve të partisë dhe shtetit midis Rumanisë dhe Shqipërisë, me rastin e ditës kombëtare, por veçanërisht për evenimentet që ndodhnin në këto dy vende.

MARIA DOBRESKU

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

7 Komente per “Ambasadori: Enveri falsifikonte takimet me diplomatët”

  1. Nuk na dalin deshmimtaret tane, po duam te na thone dhe te huajt. Edhe politika sot: E degjuat çfare thane nderkombtaret? Kur do bejme shtet vete?

  2. hahahahahaha _Po Enveri nuk i referohej Rumanise sepse Rumania ishte nje shtet pa personalitet
    ishte nje ass -kisser e Ruseve , Ai shtet trupin e kishte rumun, por koka e tij ishte ne Kremlin, ndaj Enveri nuk e llogariste fare Rumanine

    Enver Hoxha ishte i vetmi burre shteti me prsonalitet ne kampin komunist, Gjithe te tjeret ishin zvarranike

  3. Enver hoxha ishte nje terrorist ,qe shkateroi cdo gje kombetare ,qe e filloi historine e Shqiperise nga 1944,cdo gje tjeter e vjeter u zhduk.More pinjoll (qe e mbron) mos haroo sa Spase e Burrele kishte shqiperia,ai e cveshi popullin nga proa private,kishim 700 gr djathe ne jave ,1 kg mish,brisqe rroje nuk kishim.pse e harxhoj kohen me ty qe te kane bere larje truri komunist pyet me te vjeterit(jo komunista) e te hapesh SYTE.

  4. George Micu,prove e gjalle qe komunistet nuk lene kala pa marre.Iden si Sali Berisha.Micu,komunist,diplomat,spiun i Securitateas rumune,tani na shkruan libra se c’bente udheheqja komuniste shqiptare.Ik o Micu se kemi ne Shqiperi qindra komuniste qe jane kthyer ne demokrate,qindra spiune qe jane kthyer ne demokrate,edhe ti ishe mangut tani.Komunistet dhe spiunet nuk vdiskan kurre.

  5. Opo lereni shtetin e E.Hoxhes. Ai e beri si burrat te pakten. E vure hapur fare ne kushtetute qe jemi shtet i “diktatures se proletariat”, vuri edhe nenin perkates per “agjitacion e propagande” qe te mos llapnin kot. Por shikoni me mire keta te sotmit ju, ne Shqiperie Rumani. Qe gjasme jemi demokraci, njerezit mund te llapin sa te duan por po qe ne pune shteti te flakin nga puna. Kur vijne zgjedhjet i vjedhin, korrupsion kudo, drejtesi jo, krim kudo, vetvrasje papunesi, prostitucion, droge…doni me per Belulin?

  6. Enver HOXHA eshte personaliteti me i fuqishem shqiptar ne tere historine e kombit tone.
    Per here te pare ne historine e vet populli shqiptar u drejtua nga bijte e vet dhe jo nga te huajt,dhe jo pak por plot 46 vjet.
    Pas 50 vitesh terrori qe ai ushtroi do harrohet dhe Ai DO MBETET FIGURA NUMER NJE.

  7. GENCI ka te drejt njiqind per qind e vertetENVER HOXHA I VETMI BURR SHTETIN NE HISTORIN SHQIPTARE.

Beni nje Koment


6 + 4 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept