Nis Konventa historike, 3 ditë për rizgjedhjen e Obamës
Bota&Rajoni e Mërkurë, 5 Shtator, 2012 | 12:45 pm
Delegatët demokratë mblidhen në Karolina, takimin e hap Mishel Obama.
Demokratët kanë nisur Konventën e tyre Nacionale për të riemëruar Barak Obamën si personin që do të garojë sërish për Presidencën në zgjedhjet e 6 nëntorit, në një takim të cilësuar historik. Konventa Demokrate mbahej pak ditë pas asaj republikane, ku Mit Romnej pranoi të përfaqësojë republikanët në garë për Shtëpinë e Bardhë. Demokratët do të përpiqen të bindin votuesit se Obamës do t’i duhen edhe katër vite të tjera për të sistemuar ekonominë. Fjalimin e parë në takimin treditor në Sharlot të Karolinës së Veriut e mbajti Zonja e Parë amerikane, Mishel Obama. Takimi përfundon të enjten në mbrëmje me fjalimin e pranimit të kandidaturës nga Barak Obama, në stadiumin e futbollit me kapacitet 74 000 vende. Takimi i demokratëve pas atyre të republikanëve, i jep mundësinë Obamës t’i kundërpërgjigjet sulmit të mbështetësve të Romnejt ndaj punës së tij. Përveç Zonjës së Parë, e cila theksoi se një President i mirë është edhe një baba e bashkëshort i mirë, takimi hyn në kategorinë “historike”, pasi për herë të parë një nga fjalimet hapëse që janë më të rëndësishmet e mban një hispanik, bashkiaku i San Antonios, Julian Kastro, një yll në rritje mes demokratëve. 37-vjeçari u rizgjodh me shumicë të madhe votash vitin e kaluar dhe është një shembull tipik i suksesit në SHBA. Gjyshja e tij meksikane ishte jetime dhe emigroi në 1920-n në SHBA, ku mësoi vetë se si të shkruante e lexonte. Kastro cilësohet si një nga mbrojtësit më të zjarrtë të politikave të Presidentit Obama dhe arritjeve të tij.



























