Panorama Sport
Home » Opinion » “Le të vijë drita!”… edhe në Shqipëri

“Le të vijë drita!”… edhe në Shqipëri

SAMI REPISHTI

Ka momente në historinë e nji kombi që detyrojnë përplasjen e ideve me nji dialog që trajton publikun si qytetarë të pjekun dhe të informuem. Unë mendoj se me perspektivën e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, dhe hymjes në shekullin e dytë të historisë sonë si shtet i pavarun, ky moment ka ardhë edhe për ne shqiptarët. Duhet ta shfrytëzojmë!
Hapi i parë, kampet kundërshtare duhet të heqin dorë nga arroganca, dhe asnji grup te mos reklamojë se ka zbulue të vërtetën. Sot, nevoja e nji klase politike, e përgatitun dhe e ndërgjegjshme për fatin e popullit shqiptar, ka marrë karakter urgjent. Na duhet transparenca. Na duhet fryma ndërtuese, dhe na duhet sidomos atmosfera e vëllaznimit, e faljes së fajit, e pajtimit kombëtar në këtë fazë ballafaqimi politik të motivuem nga interesa të ngushta partiake.
Sot duhet të përpiqemi për nji popullsi shqiptare që jeton ne nji atdhe ku ndiehen si shqiptarë me liri dhe drejtësi për të gjithë. Sepse, përjashtimi në vetvete asht padrejtësi… Duhet të shikojmë përpara drejt nji shoqënie shqiptare që himnizon lirinë e individit dhe solidaritetin e tij në shoqëni, nji shoqëni që respekton të drejtat e lindjes së çdo qytetari, dhe ato të fitueme ma vonë dhe të shenjtënueme me ligje.
Nji shkëndi shprese! Pak ditë ma parë, lexova në “Panorama” nji shkrim te ish-kryeministrit socialist Pandeli Majko, i cili më bani nji përshtypje të thellë për frymën e tij konstruktive. Pavarësisht nga nji traditë familjare thellësisht komuniste, ai e ndien si detyrë njerëzore të flasë “…për varret e humbura të kundërshtarëve të regjimit komunist”, dhe shton “…për të gjithë ata që u vranë sepse mendonin ndryshe, apo edhe pse luftuan që Shqipëria të ishte ndryshe…”. Ai i quen “…pjesa më e vrarë e ndërgjegjes sonë shoqërore…” dhe krahason heshtjen e sotme për viktimet e komunizmit “…me fshehjen e varreve gjate periudhës së komunizmit”. Heshtja e jonë sot asht vrasja e dytë e viktimës!
Z.Majko sugjeron ndërtimin e nji “muri të kujtesës” dhe uron qe ky 100-vjetor i Pavarësisë “…të jetë fundi i kulturës së ‘kokëngrënies’ me njëri-tjetrin dhe i paqes me historinë e përbashkët”.
Vetëm pak dite ma vonë, RD e Tiranës njoftoi se …Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Ministrisë së Kulturës organizimin e nji konkursi ndërkombëtar për projektin e Obeliskut kushtuar viktimeve të komunizmit dhe përcakton vendvendosjen e tij në Tiranë… “Ne duhet ta ngremë atë në respekt të tyre dhe të kujtesës kombëtare”, tha Kryeministri. Këto dy sinjale nga dy kampe kundërshtare ndezin shkëndinë e shpresës sonë!
100-vjetori i Pavarësisë nuk asht, as duhet të ketë karakter të njianshëm partizan, siç kane qenë manifestimet komuniste për 45 vjet me radhë. Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve asht e përbashkët, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. 100-vjetori i Pavarësise u takon të gjithë shqiptarëve pa dallim, mbrenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Ai përfaqëson karakterin kambëngulës gjithëshqiptar me qenë të pavarun, guximin gjithëshqiptar me luftue për liri, dhe sot vendosmëninë e të gjithë shqiptarëve me përqafue demokracinë dhe me marshue drejt Bashkimit Europian. Të ndamë dhe të anmiqsuem, shqiptarët do të humbin dekada të gjata në grindje e qëndrime meskine që bota e qytetnueme nuk pranon; përkundrazi, i dënon.
Përleshjet dhe përplasjet e përditshme në Shqipëri bahen kryesisht nga ata që nuk kanë pësue as nga krimet e okupacionit fashist e nazist, as nga krimet e komunizmit stalinist.
Unë jam pjesëtar i “breznisë së djegun” që u vra në rezistencën kundër okupatorit të huej në luftë për liri, si dhe në rezistencën e gjatë e të egër kundër regjimit komunist në luftë për demokraci. Liri, demokraci: dy vlera permanente!
Kam humbë babën si viktimë e terrorit fashist. Kushërini 17-vjeçar u pushkatue nga nazistët. Nana ime, motra dhe vëllau akoma fëmijë kanë vuejtë terrorin e kuq në kampe përqendrimi për vite të gjata. Kam përjetue plotësisht ditët e vështira e të përgjakshme të ndeshjeve me policinë fashiste si student, dhe ma vonë ditët e terrorit të kuq që asgjasoj elitën intelektuale të edukueme në Perëndim, si dhe nji shtyllë morale të shoqënisë sonë, klerin, sidomos klerin katolik shqiptar.
Kam pa shume nana në të zeza, shumë të veja dhe fëmijë jetimë, familje te shkatërrueme nga burgimet dhe internimet për dekada me radhë, vorfëninë e tejskajshme, mohimin e të drejtave themelore të njeriut, talljet dhe demaskimet publike – të gjitha në emën të “atdheut dhe popullit” (gënjeshtra e madhe)- sikur Shqipëria të ishte njerka e disave e jo nana e të gjithëve.
Shqipëria dhe shqiptarët janë lodhë me tirani, grindje, konflikte e vorfëni dhe nuk duen të ndigjojnë akoma lehjet e qeneve të tërbuem.
Invazioni fashist i Shqipërisë, më 7 prill 1939, vuni në lëvizje nji spirale zbritëse të karakterizueme nga lufta, shkatërrimi dhe konfliktet e mbrendshme që nuk u ndalën për pesë dekada. Edhe sot, shqiptarët ballafaqohen me pengesa serioze në përpjekjet e tyne me rindërtue… për arsye të historisë negative të ndërhymjeve të hueja ne vendin e tyne, si dhe për faktin që edhe sot “të jashtmit” refuzojnë me pranue përgjegjsinë e randë për damet e shkaktueme.
Si asht e mundun të harrohen krimet e okupatorit fashist, sakrificat e mijëra shqiptarëve, sidomos të rinjve që dhanë jetën në fushën e nderit dhe sakrificat e familjeve të tyne? Vrasja e kësaj rinie të luftës kundër okupatorit -pavarësisht nga ideologjia politike – ka qenë nji krim, dhe duhet quejtë krim. Për fat të keq, “fajtorët” u dënuen me faj e pa faj, jo për atë “fajin” që kishin krye, aq sa për kundërshtim të regjimit të ri të posavendosun. Viktima e parë, drejtësia, u zëvendsue me hakmarrje. Në mjaft raste kjo “drejtësi” mori karakter krahinor dhe fetar, sidomos me popullsitë e Veriut. Ish- udhëheqsi komunist, Pandi Kristo, ma vonë i burgosun, rrfehej qarte: “Markrat e Lleshrat e Veriut kanë të drejtë të ankohen, sepse i kemi vra faj e pafaj!”
Kur në 1993-shin, vendimi gjyqsor kundër udhëheqjes së PPSH-së u ba publik, dhe ma vonë, më 1997-n, kur qeveria nxori nga burgu kriminelët e dënuem, u ba e qartë se krimi gjysmëshekullor komunist do të mbetej i padënuem. Viktimat e këtyne krimeve nuk banë hakmarrje, megjithëse mbetën thellësisht të shgënjyeme. Ajo që mbeti, ishte përpjekja e izolueme me “kundërshtue pushtetin”, që simbas Milan Kundera-s, asht “përpjekja e kujtesës mos me lejue humjen e harresës”. Asht përpjekja e viktimës me qëndrue i lirë për vete dhe për të gjithë ata që nuk kanë guximin e nevojshëm me rezistue shnjerëzimin sot, ose në të ardhmen. Me nji fjalë asht përpjekja, në emën të të gjithëve, me sigurue lirinë e të gjithëve. Megjithëse Shqipëria nuk ka nji “statute of limitation” për ndjekjen dhe dënimin e krimeve, ky problem që helmon atmosferën politike të vendit flen gjumin e randë në arkivat e pluhnosuna. Si rrjedhim kemi percepsionin popullor se krimi nuk dënohet, se krimineli vazhdon jetën e qete të qytetarit të lirë pa frikën e përgjegjsisë para ligjit. Qartazi, në Shqipëri nuk sundon ligji. Terreni për lulëzimin e krimit asht pjellor.
Nuk ecet përpara në jetë në qoftë se nuk shkarkohemi nga thesi i ankesave, thotë nji fjalë e vjetër. Me shikue të kaluemen e mbrapsht me sytë e frymës njerëzore nuk asht e lehtë, as e zakonshme. Megjithatë, për ata që kuptojnë monstruozitetin e krimeve të kryeme ne kurriz të nji popullsie të pafajshme që nga 7 prilli 1939, shikimi në të kaluemen mund të gjenerojë nji proces rindërtimi moral me dënimin e kësaj së kaluemeje dhe krimeve që e karakterizojnë, nji proces kërkimi falje nga viktimet, si dhe të përqendrimit tonë në mbajtjen e nji kursi mendimi dhe veprimi që përqafon vëllaznimin, e dënon frymën e mbjellun nga politika e “luftës së klasave”.
Njeriu ka përshtypjen se në Shqipëri nji popull i tanë jeton me nji kulturë ku gjithçka na rrethon vërteton se jetojmë nji jetë të gënjeshtërt, ku mashtrimi dhe mossinqeriteti janë landë e botës që na gënjen, e jo fenomene kalimtare. Duket sikur jetohet nji jetë që na tjetërson drejt së keqes. Nganjiherë, duket sikur jemi mësue tashma me këtë landë “toksike”, aq sa nuk e ndiejmë praninë e saj.
Çdo popull ka nji shpirt, e shpirti i shqiptarit ka qenë “besa”. Kur “besa” u thye dhe ata që e mbajtën u vranë, shqiptari humbi shpirtin që e dallon. Hyni pabesia! Atdheu i ynë ka nevojë urgjente për nji rilindje morale, “sous peine de mort”, si thonë francezët.
Shqipëria ka nevojë për udhëheqës që frymëzohen nga esenca e përvuejtënisë, e jo nga entuziazmi i teorive të mëdha, efektin shkatërrues të të cilave e kemi përjetue randë; udhëheqës të përmbajtun dhe me respekt për opinionin e gjykimin e të tjerëve. Udhëheqës të këtillë nuk mund të jenë “totalitare”- “… që marrin vendime në kokën e vet e pa bashkëpunim me të tjerët, nji qëndrim ky që, nga ‘metoda’ transformohet në ‘qëllim’, në kërkim të nji smadhimi monstruoz të forcës së vet. I dyshimtë ndaj çdo njeriu dhe çdo gjaje, dhe i predispozuem me shkatërrue çdo kundërshtar – që cilësohet si armik – qoftë real, qoftë imagjinar” (B.Croce).
Me festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe kalimin në shekullin e dytë, le të hyjmë në histori si popull i bashkuem, i lirë dhe tolerant, i ndërgjegjshëm për detyrat tona ndaj atdheut tonë dhe ndaj botës së jashtme që na rrethon.
Me këtë frymë, unë mendoj se në vend të nji “muri kujtese” ose të “obelisku përkujtimor” – dy zgjidhje pjesore të problemit të kujtesës- do të ishte ma e drejtë dhe ma fisnike ngritja e nji monumenti madhështor për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e demokracinë e nanës Shqipëri, pavarësisht nga bindjet e tyne politike.
Nji gjest afrimi, faljeje dhe pajtimi të këtillë ka frymë hyjnore dhe do të ngrinte nalt zemrat e plagosuna të popullit shqiptar, si dhe do të fitonte admirimin e botës së qytetnueme, shoqënisë së kombeve demokratike që synojmë me përqafue.
Kështu veproi Spanja mbas luftës civile me viktimet e të dyja palëve, tue i dhanë botes nji shembull të naltë qytetnimi që meriton me u “përsëritë” edhe në Shqipëri!
“Le të vijë drita!”… edhe në Shqipëri
* City University of New York. Autori ka qenë i burgosun politik (1946-1956)

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

9 Komente per ““Le të vijë drita!”… edhe në Shqipëri”

  1. Elektrifikimi i vëndit ka përfunduar në 1967-ën .Sot bëhet fjal për mirmbajtjen e tyre ku sësht e leht.

  2. Shume fjale te menqura e dinjitoze per nje atdhetare qe gjanat i kupton si duhet e mendon me perunjesi per atdheun ,Po une mendoj se kure ato qe drejtajne vendin te perkulen me nderim per Atdheun e mos tu duket vetja ma ta nalte se jezerca atehere drita ka per te ardhe ne Shqiperi me ndriqimin e saje te vertete.Faleminderit nga bashke atdhetari e bashke qytetari i yt

  3. Fjalim i pergjithshem, pa dite se me ke po debaton. Z. Sami, nuk po e marrim vesht kush eshte tradhetare, bashkpunetore i pushtueseve te huaj ne kohen e Zogut se per kohen e komunizmit ju keni gjetur mjaft te tille. Nese ju do t’i ketheni heroit e kohes se Zogut, duhet te ngrihen dhe te kohes se komunizmit. sepse jane pjese e historise se Shqiperise. Profesor mund te flisni gjuhen krahinore kur komunikon me bashkqytetaret tuaj; por jo ta shkruani, sepse nuk eshte gjuhe zyrtare. Pse e shkelni ligjin e shkruar? Edhe gazeta Panorama ta kete parasyshe! Ju jepni shume keshilla te vleshme, per uljen e armeve, por se si duhet vepruar, qe te behet pajtimi kombetare…., skeni asnje mendim. Mbase eshte lene ne heshtje zgjidhja, per te dale ndonje ligje nga Parlamenti qe te gjitha figurat e kombit duhet rivleresuar. E fundit, do te ishte ideale qe kete fjalim te ishit ftuar nga Parlamenti dhe te ligjeroje para deputetve!

  4. Prandaj o z. Mark Gjonaj, ky kaq pak tekst qe shkrueni ju, asht kaq i shpifun krahasue me cdocilin paragraf te z. Sami Repisht! Sepse ai shkruen gjuhen e tamlit te nanes se tij, kurse ti, per mendimin tim, shkruen gjuhen e qumshtit pluhun (internacionalist). S’ka si bahet ndryshe. Kini parasysh, se z. Repishti e din 1 milion here ma mire se ti gjuhen e standartizueme komuniste te Kostallarit, por gjeje (deri ne 3 here), se pse nuk e perfill hasetin tand…!

    • Per te qare hallin.

      Meqe konsideroheni “figure publike” po ia u rikujtoj anglisht se nje nga versionet e shqipes mund te na ngaterroje:

      A PUBLIC FIGURE (usually prenominal) maintained at the expense of, serving, or for the use of a community.

      Ia u rikujtoj pasi paguhesh strikt nga taksat e mia dhe te bashkekombasve tane.

      Reagimi yt eshte ajo cka na sugjeron Prof. Repishti ta hedhim ne plehra…

      p.s. Familja ime ka pothuaj ekzakt historine e familjes se Prof Repishtit. “Fitimtare” nga Lufta dhe “Humbes” pas saj.

  5. Ka nevoje shoqeria parademokratike e bipolarizuar shqiptare sigurisht per fjalen e urte e paqtore te profesor Sami Repishtit. Eshte plotesisht i drejte mendimi i tij se deshmoret e kombit nuk duhen trajtuar ne vartesi te perkatesive ideollogjike, krahinore e fetare. Kunder pushtuesve te huaj luftuan te gjithe shqiptaret qe e deshen kombin e tyre. Lavdi zotit lufta clirimtare kunder nazizmit e fashizmit, ne saje te koalicionit nderkombetar, nuk vazhdoi me shume se 5 vjet e si ne cdo lufte, edhe ne patem viktima te shumta. Duhet pranuar se nga shifra e dhene e 28 mije deshmoreve qe dhane jeten gjate luftes nacional-clirimtare, vetem disa qindra ishin me bindje komuniste, pjesa tjeter dermuese ishin te rij e te vjeter qe as e kishin idene e komunizmit, ose nuk e deshen ate, vecanerisht per faktin se kjo ideollogji na u eksportua nga fqinjet tane sllave qe historikisht ne shekuj, kishin shkaktuar ndoshta me qindra mijra viktima atdhetaresh shqiptare.
    Te vritesh ne lufte e te keqtrajtohesh nga pushtuesi, eshte nje gje e njohur ne historine e njerezimit. Por qe ne emer te gjakut te ketyre deshmoreve te masakrosh e te burgosesh per 47 vjet me radhe nen nje diktature te eger staliniste nje popull te tere, kjo ja kalon cdo krimi.
    Mjerisht profesori i nderuar Repishti, ndonese e permend kalimthi se ne keto 21 vjet te sistemit demokratik nuk u be pothuajse asgje per ndeshkimin e krimeve te komunizmit, tregohet entuziast per deklarimet hipokrite me qellime elektorale te ndonje ish kryeministri socialist, qe u kujtua pas 21 vitesh per te gjetur varet e viktimave te diktatures e per te vene drejtesi per masakren e prones. Nderkaq, po keta “socialiste te penduar” ngulin kembe qe te ruhet permendorja e faraonit Enver Hoxha e hidhen perpjete kur kerkohet qe ne vend te historise se PPSH, te shkruhet historia e vertete e Shqiperise. E shoh si nje disonance te theksuar permendjen nga profesor Repishti permendjen e fjales “Rilindje” ne kete vit te fundit te 100 vjetorit te pamvaresise, ne nje kohe kur Shqiperia eshte tashme antare e NATO-s e pret integrimin formal ne Evrope, kur me kete fjale po abuzon ne menyre mashtruese me qellime elektorale shefi i opozites socialiste. Eshte lideri politik qe me se shumti keto vitet e fundit i ka dhene benzine zjarrit te ndarjes se popullit shqiptar ne “popull opozitar” e “popull mazhoritar”.
    Ne respektin me te madh per viktimat e familjes se z.Repishti nga nazistet dhe terrori i kuq, do te desha qe ti meshonte idese se nje “Rilindje” e re Shqiperise, nuk mund ti vije nga politikane ish ministra te diktatures apo bij te funksionareve te larte te saj.

  6. andrea spiteni

    Sami Rrepishti, demokrat atdhetar i kahershem, perpos vuejtjeve mizore qe perjetoi nen regjimi komunist, mbetet gjithnje humanist i lertesuem mbi hakmarrjen, intelektual vizionar, indulgjent dhe i perkore, larg interesave dhe mllefeve personale. Profesor Rrepishti eshte nje nga antifashistet e pare te rinise shkodrane, por ai nuk pranoi nenshtrimin ideologjik dhe regjimin e dhunes qe u instalua pas Luftes se Dyte Boterore. Edhe pas largimit te tij nga Shqiperia, ai kurre nuk u pajtua me jeten dhe mendesine e mergimtarit politik, por qendroi ne pozicionin e tij te papuajtueshem e mbi te gjitha desh e punoi per Atdheun. Nder shqiptaro amerikanet, Profesor Rrepishti shquhet per urtesine e tij, ndjenjen e thelle prej demokrati, duke mos u shnderruar asnjehere ne nje servil te qeverive te majta apo te djathta, por duke i qendruar gjithnje besnik karakterit te tij, ndershmerise dhe guximit per te qortuar te gjithe ata qe po e zvarrisin drangull Shqiperine.

    Profesor, edhe nje here te falenderoj me perulje per keto fjale te urta e te mencme. Te kam njohur nga afer dhe bashke kemi kuvenduar disa here, sidomos ne kohet e veshtira per Shqiperine ne vitin 97-98. Ju uroj nga zemra dite te mira dhe te vazhdoni te na keshilloni ne kete fryme. Me respekt- nje miku juaj

  7. Zootni SAMI REPISHTI t’pergzoj me mirnjohje per thirrjen tande te kthejllt me patriotizem per falje e atdhedashuni.

    Ti Mark ban mire me lexue e me edukue vedin, se kush ta dhunoi kyt pseo standart te Enver Hoxhs e Kostallarit ne 1972, qi pranon ma pare fjal e terma Turk se fjalt/paskajtoren e terma Gegeg, kur 2/3 e kombit jane Gege e Gege fols!

    Vetem sepse kurr su denuen kriminelat e kuq asht helmue shoqnia Shqiptare, te edukuem me vllavrasjen e kuqe sot njerzit e Partis (Enverit) vrasin vllau-vllan per nji diskutim, shet vllau-motren, shet nanen, vjell shpin e fisin e gjithmone ja ven fajet tjerve!

    Helmimi i shoqnis Shqiptare me injorancen Hoxhiane s’ka fund, e fatkeqsisht kur krimi s’denohet e bahet i pranueshem nuk duhet me prit gja tjeter pervec se krime e kriminela ashtu suc ka ndodh me kyt komb qysh se na pushtuene ne 1945!

    Rrnoft Shypnia! Posht Sllavo-Hoxhizmi! Posht rraca e tyne e ndyet! Kurr mos bashin hajer jarabil brez mas brezit, tane ata qi kane kriminalizue, shkatrrue e coptue kyt Komb! Rrnoft Gegnishtja pasunia e rrajve Iliro-Shqiptare, e denueme dhe e ndalueme prej fars t’keqe

  8. Vetem nga dora dhe mendja e nje intelektuali te shquar sic eshte prof.Repishti
    mund te dalin shkrime te tilla.Por…per fatkeqesine tone historike ne nje shoqeri si shoqeria shqiptare ku sundon turma dhe jo Elita,individet jane ne konflikt te perhershem me njeri-tjetrin-thote Gustave le Bon,psikologu i shquar i psikologjise se turmave.”Elita nuk krijohet me dekrete qeveritare.Ata i ben fati,zoti,natyra”-ka shkruar burri i shquar i Shqiperise,Mithat Frasheri.Nuk e di Zotni Prof.Repishti,a keni patur rastin te lexoni ne nje nga nr.e fundit te revistes “Hylli i Drites” (v.1944) kryeartikullin “Me suaze a pa suaze” ? Aty pershkruhet tragjedia e rrymave politike ne Shqiperine e asaj kohe te tmerrshme dhe se si keto rryma e kerkonin me cdo kusht ne varr ate qe mendonte ndryshe per qe dashuronte Atdheun pa interes.Sepse Dashurija as nuk shitet as nuk blihet.Ajo Dhurohet. .Aty prifti-shkrimtar midis te tjerave shkruan se si ajka e rinise shqiptare kalbet ne varr sepse nuk mendoi si disa te tjere dhe shton:Rini,rini ruaji lulet e pranveres,ne i deshirojme nji korre te frytshme Atdheut !
    Po i referohem nje tjeter personaliteti italian,Curzio Malapartes i cili ne librin e tij Kaputt duke dashur te pershkruaj se ne cfare derexheje e kishte katandisur regjimi fashist shoqerine italiane te fundviteve 43-44,shkruan:”Ne nji shoqni ne dekadence,ne nji shoqni ne buze te gremines,parimet e legjitimitetit politik,historik dhe shoqeror nuk kane asnjelloj autoriteti” !
    Diktatura fashiste-naziste dhe ajo bolshevike ngjajne me njera tjetren sepse origjinen e kane ne dekompozimin e idese demokratike permbi shtetin (Rajmond Aron).Drama qe po perjeton shoqeria shqiptare sot nuk eshte as e re as e vjeter por ndryshon vetem ne forme.Ajo e ka emrin “krize identiteti” !
    Respekte e perqafime vellazerore.

Beni nje Koment


9 + 2 =

Social Network

AMC universal
Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept