Testi i zgjedhjes së KQZ-së së re!
Opinion e Martë, 4 Shtator, 2012 | 12:41 pmLapsusi i para pak ditëve i kryetares së Kuvendit lidhur me momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe, për rrjedhojë, edhe procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të rinj KQZ, mund të lexohet si indikatori i parë i “mungesës së entuziazmit” të maxhorancës për implementimin e reformës së sapomiratuar zgjedhore. Pa dashur të polemizoj aspak, me ata që termin “reformë zgjedhore” e lidhin me ndryshimin e sistemit zgjedhor, është fakt se amendimet e Kodit Zgjedhor janë të konsiderueshme, jo vetëm nga numri i madh i neneve të ndryshuara, por më e rëndësishme, përmirësimet e garancitë e shtuara për opozitën, si aksesi i saj në hartimin e listave zgjedhore, caktimin nga KQZ të qendrave të votimit në ambiente private, identifikimi i zgjedhësve e numërimi elektronik në pjesë të konsiderueshme të vendit etj.
Përtej teknikaliteteve ligjore, me të drejtë, publiku i gjerë e sidomos ai i majtë, priste ndryshimin me çdo kusht të KQZ-së, duke parë më së shumti tek ky institucion “simbolin e së keqes”, sidomos në dy proceset e fundit zgjedhore. Por KQZ është vetëm pjesa e dukshme e “ajsbergut të së keqes zgjedhore”, i cili mban të bllokuar rrugën europiane të vendit. Ky “ajsberg” në 6/7 apo në shumë pjesë të padukshme të tij përbëhet nga komisionerë falsifikues, numërues manipulatorë, vëzhgues të verbër, deputetë e kryetarë lokalë të fortë partish, nëpunës civilë partiakë etj.
Ushtria prej mijëra vetash, e shpërndarë në rreth 5 mijë qendrat zgjedhore e 66 KZAZ-të, nuk mund të mbulohet 24 orë nga kamerat televizive, në ndryshim nga tavolina 7-vendëshe e KQZ, ku mbledhjet mbahen live gjatë periudhës zgjedhore. Por ndërsa publiku u shokua nga teatri absurd e gjuha e dhunshme e banale, që u shfaq pa kursim nga maxhoranca në KQZ-në e 2011-s, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve më shumë rëndësi kanë vendimet e shkruara e në tërësi kuadri nënligjor, që harton e implementon ky institucion, që ka barrën kushtetuese të drejtimit të këtij procesi.
Kjo veprimtari e KQZ-së ka rëndësi të veçantë, pasi legjislacioni zgjedhor për shkak të mungesës se besimit reciprok e sidomos përpjekjeve ‘sifiziane’ të opozitës për të mbyllur sa mundet shtigjet e manipulimit zgjedhor, është shndërruar në ligjin më voluminoz e të ngarkuar me terminologji në vend. Gjithashtu, risitë që kanë sjellë ndryshimet e fundit të Kodit, e bëjnë të domosdoshme zgjedhjen e anëtarëve nga të dyja palët, që përveçse të besuar politikisht, të kenë aftësi profesionale.
Duke pasur parasysh këto “meraqe”, është e kuptueshme përse për opozitën hapi i parë dhe i panegociueshëm i reformës ishte riformatimi i KQZ-së. Në përputhje me realitetin politik në vend e proceset e integrimit, opozita pranoi me konsensus pak a shumë të njëjtën formulë kompozimi (7 anëtarë, 4 maxhoranca e 3 opozita, por duke zgjeruar formulën e zgjedhjes së kryetarit). Gjithsesi, maxhorancës i ngelet fjala e fundit për kryetarin, i cili në mungesë të konsensusit zgjidhet me 71 vota, ndërsa opozita ka garancinë e përjashtimit të ndonjë kandidati “kamikaz politik”.
E duke qenë se formula ka ngjashmëri me atë të vitit 2009, vlen të analizohet se çfarë nuk funksionoi atëherë, kur PD propozoi per kryetar të KQZ-së Albana Vokshin, Keltis Krujën, Arben Qirjakon e Arben Ristanin. Logjikshëm opozita, duke pasur të drejtën e përjashtimit, e pa Ristanin si e keqja më vogël, duke besuar se një ish-gjyqtar, për më tepër me eksperiencën e hidhur në kurriz nga keqpërdorimi politik i pushteteve të pavarura në vitet ‘92-‘96 (i arrestuar brutalisht si gjyqtarë në detyrë), do ishte i ekuilibruar dhe do e lexonte ligjin ashtu siç është shkruar. Së paku, ato pjesë që nuk kërkonin interpretim si neni 136/3 që përcaktonte detyrimin e KQZ-së për të marrë provat e kërkuara nga 2 anëtarë të saj, ose ajo që u quajt “hapja e kutive”. Është e njohur historia e trishtueshme që pasoi mohimin e kësaj të drejte në vitin 2009, për të kulmuar në farsën e Tiranës në vitin 2011. Për pasojë, për opozitën e certifikuesit ndërkombëtare të zgjedhjeve, KQZ-ja e zotit Ristani do të mbahet mend si triumfi i dhunës së kartonit dhe partizanizmit të verbër politik mbi institucionalizmin!
Ndërsa na ndajnë pak ditë nga rizgjedhja e KQZ-së së re, dilemat më së pari shtrohen për maxhorancën, pasi ajo ka përfituar nga standardet e vendimmarrjes, si gjetja e votave jashtë e brenda kutive përkatëse të votimit në mungesë të parashikimeve ligjore, apo transportimi i kutive “të duhura” për gjithë natën, për të votuar në mëngjes para kamerave, që ato të silleshin në KQZ!
Ndaj dhe projektorët janë të drejtuar nga maxhoranca, për të kuptuar nëse në kundërshtim me rekomandimet e faktorit ndërkombëtar do përpiqet edhe këtë herë të votojë 4 anëtarë të KQZ-së mbi kriterin, të telekomandohen me SMS apo ngritje vetulle të përfaqësuesit të PD-së. Sigurisht, ashtu çdo KQZ në këto 20 vite, edhe kjo e shtatorit 2012, do të zgjidhet e do të jetë e ndikueshme politikisht. Përkundër propagandës banale, opozita as nuk pretendon që maxhoranca të zgjedhë të preferuarit e saj në KQZ, e po ashtu nuk ka pritshmërinë që në rastin e një “barazimit të diskutueshëm”, 4 anëtarët e propozuar e të votuar nga maxhoranca të votojnë pro opozitës. Tek e fundit, edhe shumica e gjyqtarëve të emëruar nga republikanët në Gjykatën e Lartë në SHBA votuan pro Bush e kundër Al Gore, por sigurisht në përputhje me ligjin, me bindjen e tyre të brendshme, e me vendime të arsyetuara nga vetë ata!
Fatmirësisht, neni 12/2/d i Kodit ndalon zgjedhjen në KQZ të drejtuesve të forcave politike në 5 vitet e fundit, e për këtë shkak aparent nuk mund të zgjidhen kryetarë ish-kandidatët “e paanshëm” të vitit 2009, apo menaxhuesit e njohur të proceseve të fundit, të gjithë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Megjithatë, për fat të keq, në Shqipëri është e vështirë të gjesh individë, madje edhe me tituj akademikë, që e “kanë për nder” të telekomandohen nga zyrat e partisë, sidomos kur ajo është në pushtet.
Më mirë se çdo perifrazim, pritshmëria që opozita, por jo vetëm ajo, ka ndaj anëtarëve të rinj të KQZ, gjendet në formulën e betimit solemn që, sipas nenit 14/4 të Kodit, ata do bëjnë para Kuvendit në momentin e zgjedhjes:
“Betohem në nderin tim se do të angazhohem me të gjitha forcat e mia për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, do të siguroj dhe do të mbroj integritetin dhe fshehtësinë e votës, do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i KQZ dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj.
Në çelje të këtij sesioni parlamentar, mbasi të pushojnë “boritë e betejës me mullinjtë e erës për shembje të korrupsionit”, ngelet të shpresojmë se maxhoranca do këtë vullnetin të zgjedhë në KQZ individë që së paku të plotësojnë kriteret e betimit, e si në të tilla raste, administrata e Parlamentit me kapacitetet e mirënjohura në xhirimin e videoklipeve, do e përgatisë një të tillë me ato pak minuta të betimit të 7 anëtarëve të rinj. Ndoshta këta të fundit po shfaqin videon e, të shihnin veten duke u betuar para Kushtetutës në vigjilje të çdo mbledhjeje të KQZ-së, do i ndihmonte të bënin detyrën më shumë sesa titrat e televizioneve propagandistike pro qeveritare që shfaqin non stop “betimet” e Kryeministrit për t’u zgjedhur demokratikisht, edhe për 30 vite të tjera.
*Nënsekretar për Çështjet Zgjedhore në PS




























Shkrimi nuk thote ndonje gje te re, por keshtu si ka ardhur situata ne Shqiperi, duket se nuk eshte kurre merzi perseritja e leksioneve demokratike, me shpresen se dicka do te mbetet. Ne kete kontekst, mire e ka thene ky zoteria gjithe me lart. PS me keta cunat e rinj ka krijuar nje grup intersant profesionistesh, qe na japin shprese se do jene administrtore te mire te qeversijes neser.
O Koliiii !
Publiku shqiptar u lemerit me deputetet socialiste qe hypnin permbi supet e policeve per te hyre ne KQZ, ashtu sic bene se bashku me huliganet me 21 janar te 2011 per te hyre ne kryeministri.
Eh,more Koli,sikur te te benin ty Kryetar te KQZ!Se je nga ata te hereshmit,zotrote dhe njeh te gjitha hilete
Dede Preng Mirash Doda…..A e pe vjedhjen e votave ne TV?? Jo u vodhen ,por u grabiten!Me force,me dhune!Demokraci eshte kjo?Po kur futi doren ne kutine e thyer dhe te “pahapur” ai i PS e pe?
Pas shperthimit te deres se k/ministrise me makine,dera ishte e hapur .Apo jo?Pse nuk u fut njeri? Ded,mos u beni tifoza se demtoni vendin ,jo anetaret e PS
Taulant, je racist dhe i pasjellshem. Emri Dede apo Mirash apo Dode nuk meriton tallje por respekt, sepse eshte emer i lashte Shqiptar, dhe sepse ato emra kane patur gjithe shqiptaret e para 1000 vjeteve si ne jug e ne veri, dhe se ate emer ka patur me siguri edhe stergjyshi yt perpara se ta kthente ne Mustafa.
eshte lapsus nga ana juaj apo gabim shtypi :
” Megjithatë, për fat të keq, në Shqipëri është e vështirë të gjesh individë, madje edhe me tituj akademikë, që e “kanë për nder” të telekomandohen nga zyrat e partisë, sidomos kur ajo është në pushtet.”
Duket shume konfuze dhe duhet te lodhem qe te kuptoj se cfare ke dashur me thene. Ne menyre te vecante thojzat “…” sebashku me tog-fjaleshin “kane per nder” formojne nje nyje shume te veshtire per t’u kuptuar.
Llogjikisht eshte lapsus, shtypi apo autori sdi ta them…por ne llogjiken e gjithe shkrimit duket qe ngrihet problemi i anetareve te kqz qe telekomandohen nga partite, e qe te tille NUK eshte veshtire te gjesh…
autori me sa duket ka dash ta sterholloje, po me mire duhen thene troc gjonat