Sporti nga bota
Sport e Martë, 28 Gusht, 2012 | 13:51 pmJuventusi, 30 mln euro për Jovetiçin
Ideja e fundit e drejtuesve të Juventusit për ta përforcuar skuadrën është që t’i paguajnë 30 milionë euro Fiorentinës për kartonin e sulmuesit 22-vjeçar, Stevan Jovetiç. Andrea Anjeli po mendohet, ndërkohë që Marrota po përgatitet për sulmin final. Me sa duket, Juventusi i ka gati burimet e nevojshme për ta mbyllur pozitivisht këtë transferim. Në ambientin bardhezi të gjithë kanë besim tek aftësitë tekniko-taktike të sulmuesit.
Milani/ Premtuan Kakanë, por vjen Niang
Komplikohen së tepërmi tratativat për transferimin e Rikardo Kakasë te Milani, por kuqezinjtë arrijnë të bëjnë të tyrin sulmuesin e talentuar të Kaen, Mbaje Niang. Kuqezinjtë ende s’po e gjejnë gjuhën e përbashkët me presidentin e Realit. Ka dy mënyra që braziliani të kthehet, ose Reali ta shesë përfundimisht kartonin e tij, ose ta huazojë me të drejtën e blerjes së detyruar.
Bajern/ Bekenbauer: Hejnkes, xheloz
Presidenti i nderit, Franc Bekenbauer, jep qëndrimin e tij mbi të ardhmen e trajnerit. Ai thekson se detyra polivalente e drejtorit sportiv ka bërë xheloz kreun e pankinës. “Hejnkes aktualisht është 67 vjeç dhe lind pyetja dhe sa kohë dëshiron të vazhdojë të punojë në këtë fushë. Nëse gjithnjë i jepet më shumë rëndësi Samerit, ti si trajner bëhesh xheloz, pasi të duket vetja më pak i rëndësishëm”, – tha kajzeri bavarez.
Modriç: Mezi pres të luaj
Mesfushori Luka Modriç është tepër i lumtur që më në fund ka veshur fanellën e Realit të Madridit. Kroati shprehet se ai dëshironte shumë që të kalonte te kampionët e Spanjës. “Është fantastike që një trajner i njohur si Murinjo më kërkonte në ekip. Edhe unë besova se do të vij këtu deri në fund. Tani jam i emocionuar dhe mezi pres që të luaj me Realin. Jam në klubin me lojtarët më të mirë. Tani na ngelet që të fitojmë trofe”, tha Modriç.
Real/ Starti më i dobët në 39 vite
Reali i Madridit nuk po kalon një gjendje të mirë. E nisi kampionatin spanjoll duke barazuar në “Santiago Bernabeu” ndaj Valencias me rezultatin 1-1, ndërkohë që në javën e dytë u mund nga Gedafe 2-1. Distanca me Barcelonën ka shkuar në -5 pikë. Për të mos përmendur pastaj humbjen në “Kamp Nou” 3-2 ndaj blaugranave, në takimin e parë të Superkupës së Spanjës. Një nisje e keqe, diçka që Realit nuk i kishte ndodhur që prej 39 viteve.
Pike: Madrilenët, për të ardhur keq
Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, “thumbon” Realin e Madridit për nisjen e dobët të kampionatit. “Asnjë nuk e priste që ata të humbnin 5 pikë në dy javët e para. Them se duhet të bëjnë më shumë përpjekje”, – tha lojtari katalanas. Por, gjithashtu ai shtoi se e di shumë mirë forcën e “galaktikëve” dhe se Barça duhet të bëjë një lojë të mirë, që të mund të fitojë ndaj tyre. “Këtë të mërkurë kemi finalen e dytë. Ne do ta ngremë Superkupën”.
Mançester Siti/ Tevez: Dua të rinovoj
Karlos Tevez ka rigjetur lumturinë te Mançester Siti, atje ku ka sërish mbështetjen e tifozëve dhe ndihet një lojtar i rëndësishëm. “Tani jam kthyer për të qëndruar për një kohë të gjatë. Familja ime ndodhet këtu, fëmijët e mi gjithashtu. Unë jam i lumtur, gruaja ime është e lumtur, fëmijët e mi janë të lumtur. Unë do të qëndroj. Deri në përfundim të kontratës duhet të kalojnë edhe dy vite. Por dua të rri më shumë se kaq”.


























