Shitësja e argjendarisë përleshet me hajdutin
Kronike e Martë, 28 Gusht, 2012 | 13:50 pm
Tiranë, dështon grabitja, adoleshentit i ra kapela.
TIRANE – Shitësja e argjendarisë parandalon grabitjen, duke u përleshur me hajdutin e armatosur pasi kuptoi se agresori mbante në duart një pistoletë lodër. Tentativa e grabitjes së dyqanit të floririt ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 15:30, në Rrugën e Kavajës, vetëm pak metra larg kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, pranë Poliklinikës Nr.9 në Tiranë. Kjo vendngjarje ndodhet jo më larg se 500 metra nga Komisariati Nr.2 i Policisë së Tiranës. Autori i ngjarjes, sipas Policisë, ka qenë një djalë i moshës 16-17 vjeç, i veshur me xhinse treçerekëshe dhe bluzë ngjyrë blu me mëngë të shkurtra. Në kokë mbante një kapele të zezë, e cila i ka rënë gjatë përleshjes dhe është gjetur në argjendari nga Policia, duke u sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grabitësi fillimisht është futur si klient, por më pas i ka drejtuar pistoletën shitëses rreth të 50-ave, duke e kërcënuar që t’i jepte paratë dhe bizhuteritë e floririt që ndodheshin në banak. Në këtë moment, Shpresa, gruaja që ishte e punësuar si shitëse në argjendarinë në pronësi të Miranda Harizajt, ka shtypur butonin që aktivizon alarmin e sigurisë dhe është përleshur me autorin e ngjarjes. I dyshuari, në kohën që ka kuptuar se është aktivizuar alarmi, ka nxituar të largohet nga dyqani, por nga përleshja me gruan 50-vjeçare i ka rënë kapela me të cilën ishte “maskuar”. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin e ngjarjes, megjithëse sipas Policisë nuk janë shumë të qarta. Forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2, që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë sekuestruar kapelën, po ashtu kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke fiksuar disa gjurmë gishtash mbi banak, pasi i riu nuk mbante doreza në duar. Provat e fiksuara në vendngjarje do të analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës, për t’u krahasuar me gjurmët e personave që kanë pasur precedentë të mëparshëm penalë. Policia ka ngritur postblloqe në zona të ndryshme të Tiranës dhe ka ushtruar kontrolle në rrugicat përreth vendit të ngjarjes, por pa arritur të ndalojë autorin, edhe pse janë shoqëruar disa persona të dyshuar, nisur nga ngjashmëria me grabitësin.



























