Regjistrimi në kopshte, dyndje në Drejtorinë Arsimore
Sociale e Martë, 28 Gusht, 2012 | 12:18 pmDje nisën regjistrimet për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Ndryshe nga vitet e mëparshme, procedurat për të regjistruar një fëmijë në kopsht janë përqendruar të gjitha në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Duke parashikuar fluksin e punës, punonjësit e DAR të Tiranës janë urdhëruar të paraqiten në punë që në orën 6:30 të mëngjesit. Deri në orën 11:00 fluksi i prindërve që regjistruan fëmijët e tyre ishte tepër i lartë. “Tani ka nisur të bjerë pak, por sidomos në orët e para të mëngjesit radhët ishin gati të papërballueshme. Ditët në vijim presim të ketë më pak”, tha njëra prej punonjëseve të DAR Tiranë. Puna në këtë institucion ishte ndarë sipas njësive bashkiake. “Për çdo njësi bashkiake janë 2 punonjës që kryejnë regjistrimin. Një për kopshtet dhe një për shkollat”, sqaruan punonjësit e Drejtorisë Arsimore.
Si procedurë, prindërit, përveç certifikatës familjare, duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim për numrin e kopshtit ku duan të regjistrojnë fëmijët e tyre. Ata do të kenë afat deri më 10 shtator për të kryer procedurat e regjistrimit.
Sa u përket çerdheve, do të zbatohet procedura e mëparshme. Prindërit dorëzojnë dokumentacionin në çerdhen pranë vendbanimit të tyre dhe e gjithë dosja i përcillet Drejtorisë së Çerdheve të Tiranës. Është kjo e fundit që, në vartësi të kapaciteteve që ka një çerdhe, miraton listën e regjistrimeve. Ditët e fundit, Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur inspektimet në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit për kushtet e higjienës. Nga raporti për shkollat rezultoi se 5 prej tyre rrezikojnë mbylljen, ndërsa për çerdhet dhe kopshtet nuk është bërë publike asnjë e dhënë.
Rikonstruksioni
Sipas Bashkisë së Tiranës, 96 shkolla dhe kopshte janë rikonstruktuar për t’u garantuar nxënësve kushte më optimale. Por problemet me lagështirën e higjienën vijojnë të jenë të pranishme në disa prej tyre. Mbipopullimi, sidomos në arsimin e mesëm, mbetet një tjetër mangësi së cilës i duhet dhënë zgjidhje. Gjimnazet e kryeqytetit edhe për këtë vit shkollor do të bëjnë mësimin me turne.



























