Policia greke gjen piromanin e Hiosit, nuk e kishin pranuar në punë si zjarrfikës
Bota&Rajoni e Martë, 28 Gusht, 2012 | 12:50 pmPolicia greke ka arritur të kapë piromanin që u vuri flakën pyjeve të rrallë të ishullit Hios në javën e kaluar. Në punë për të identifikuar dhe kapur autorin e zjarrvënies në ishullin legjendar, ku rriten pemët e rralla në botë të çamçakëzit, ishin futur edhe shërbimet sekrete. Ai kërkohej prej një jave. Autori rezultoi të jetë një 24-vjeçar, i cili kishte vendosur me dashje të paktën 14 vatra zjarri në ishullin Hios, sepse nuk e kishin pranuar të punësohej në skuadrat e zjarrfikësve. Djali 24-vjeçar, i cili sipas mediave greke është i biri i një zjarrfikësi, ka pohuar se është autori i zjarrvënies së qëllimshme në pjesën veriore të ishullit, por ai nuk pranon të ketë ndezur vatrën e parë të zjarrit, më 18 gusht. Zjarret në këtë ishull kanë djegur rreth 15 000 hektarë pyje e tokë agrare, mijëra pemë mastike, burimi kryesor ekonomik i ishullit, rrëshira e së cilës përdoret për ushqime dhe kozmetikë. Në Greqi, sipas të dhënave, këtë verë janë djegur nga zjarret rreth 40 mijë hektarë pyje e tokë agrikulture, rreth 5 000 hektarë më shumë se vitin e kaluar. Numri i vatrave të zjarrit është 19.1 për qind më i lartë se vitin e kaluar, por viti më i keq për sa u përket zjarreve në Greqi është 2007, ku ka pasur rreth 4 500 zjarre me dashje, aksidentalë apo nga temperaturat e larta, të cilat shkatërruan rreth 270 mijë hektarë pyje e toka të mbjella, 77 viktima dhe dëme prej rreth 645 milionë eurosh në katër prefektura të vendit.
Pyjet e çamçakëzit
Sipas të dhënave, rreth 55 për qind e pyjeve të rralla të çamçakëzit,pemët mastike, janë djegur nga zjarret e Hiosit. Këto pyje përbëjnë rreth 25 për qind të drurëve të këtij lloji në të gjithë botën dhe konsiderohen pemë të rralla.




























