Nishani: Flas për imunitetin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Politike e Martë, 28 Gusht, 2012 | 11:40 amNishani: Prokuroria të ridimensionojë profilin profesional.
“Kreu i SHISH, i lejova Berishës të kryejë detyrën”
“Referendumi për imunitetin? Do flas pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, ka folur dje për herë të parë për arsyet pse pranoi të shkarkojë drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe emërimin në këtë post të Visho Ajazi Likës. Presidenti Nishani, në një intervistë për “TV Klan”, thekson se shkarkimi i Shaqirit i mundësoi të drejtën ligjore të Kryeministrit. Sipas tij, Presidenca nuk duhet të konsiderohet si një institucion që pengon punën e Kryeministrit. Nishani iu përgjigj dhe akuzave të opozitës për anashkalim të konsultimeve me SHBA-të dhe për emërimin e drejtorit të ri të SHISH.
Z.President, një nga vendimmarrjet e para pas betimit tuaj në postin e kreut të shtetit ishte edhe shkarkimi i kryetarit të SHISH. Opozita pas këtij vendimi ju akuzoi ashpër dhe tha se po u shërbeni interesave të partisë në pushtet. Në fakt, pse e shkarkuat ish-kreun e SHISH?
Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues, duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata të cilët mendojnë që puna apo detyra e Presidentit të Republikës është të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij, kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Pa diskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pandërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj se ato duhet të jenë të fokusuara gjithmonë në mënyrën se si funksionojnë institucionet.
Opozita thotë se nuk ka pasur konsultë me aleatin kryesor SHBA, ju thjesht e firmosni shkarkimin e tij, nuk merrni informacion më tej?
SHBA përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë kanë treguar gjithmonë qartë se marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen më institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën se si funksionojnë këto institucione të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve dhe besoj se ky standard ka qenë është dhe do të mbetet i pacenueshëm.
Z. President, sistemi i Drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit, a është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë korrupsioni?
Ne duhet ta nisim përballjen e kësaj sfide që është sfida e çdo qytetari në radhë të parë, duke rritur besimin e vetë gjyqtarëve ndaj sistemit. Nëse gjyqtarë të shumtë, të cilët janë brenda sistemit me një nivel të admirueshëm profesional, me një integritet moral dhe qytetar të atyre standardeve që kërkojnë qytetarët tanë, shohin se në pjesën e promovimit dhe karrierës nuk promovohet ky model, pra i atyre që shërbejnë me dinjitet, por promovohen persona, të cilët nuk e kanë këtë integritet, atëherë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet te vetë sistemi, te vetë shërbimi, që do të marrin qytetarët te shërbimi i Drejtësisë dhe kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë, te mungesa e besimit që kanë qytetarët në sistemin e Drejtësisë.
Lidhur dhe me funksionin tuaj si kryetar i KLD-së, opozita ka akuzat e veta, duke iu referuar mënyrës se si u zgjodh nënkryetari i KLD-së, ai është një propozim i Kuvendit. Pse Çefa nënkryetar?
Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës, pra institucioni i Presidencës përfaqësohet me kryetarin e KLD-së. Komuniteti i gjyqtarëve përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse në KLD, qeveria përfaqësohet me Ministrinë e Drejtësisë dhe Parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij dhe praktika e të gjitha kohërave ka qenë e tillë dhe në respekt të balancimit të pushteteve. Posti i nënkryetarit i është ofruar përfaqësuesit të Kuvendit. Së dyti, z. Çefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e KLD-së.
Z. President, a është pengesë imuniteti për korrupsionin në Drejtësi?
Heqja, kufizimi i imunitetit në Drejtësi është mesazhi më i mirë që i jepet shoqërisë, për sa i takon ruajtjes së konceptit të barazisë para ligjit.
A po bën mirë maxhoranca që po ndërmerr iniciativa për një referendum popullor për çështjen e imunitetit në mungesë të konsensusit të opozitës; duhet zgjidhur në Parlament apo me referendum popullor?
Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjeja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike, në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejtpërdrejtë, por edhe në rastin konkret të referendumit Presidenti është pjesë e vendimmarrjes, është i përcaktuar nga Kushtetuta momenti kur Presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimet e tij, që do të jetë pas një gjykimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese.
Në të shkuarën ka pasur diskutime të ashpra mes institucionit të Presidencës dhe Kuvendit lidhur me dekretet e Presidentit për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë; si do ta zgjidhni këtë konflikt me Kuvendin?
Do të parapëlqeja dhe do të ofroja të gjitha konsultat paraprake me grupet parlamentare për përcaktimin e kritereve për të profilizuar kandidaturat, që duhet t’i ofrohen Kuvendit për nivelet e këtyre gjykatave kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe, nga pikëpamja procedurale, Presidenti është predispozuar për të ndjekur ata hapa që janë përcaktuar në Kushtetutë.
Z. President, ka kaluar një muaj nga betimi juaj në krye të institucionit më të lartë dhe marrëdhëniet tuaja me opozitën janë shumë te tensionuara. Çfarë garancish i jepni ju opozitës se do të jeni President mbi palët dhe se nuk do të jeni noter i partisë në pushtet apo ministër i partisë në pushtet, siç ju akuzon opozita?
Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend, por nga ana tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim, që Presidenti i Republikës nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij. Presidenti i Republikës duhet të funksionojë me gjithë kapacitetin që parasheh Kushtetua e vendit.
A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon mandati prokurorit të Përgjithshëm?
Në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në axhendë mandatin e prokurorit, natyrisht edhe në konsultë me këshilltarët e tij juridikë dhe specialistët ligjorë do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur. Për momentin ne kemi një prokuror të Përgjithshëm në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës, në përmbushje të misioneve të saj ligjore dhe kushtetuese.
Do të riemëroni Ina Ramën apo do ketë një emër të ri?
Dhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht se institucioni i Prokurorisë ka nevojë për një rritje të madhe të profilit të tyre profesional, për një rritje të forcës dhe integritetit të të gjithë pjesëtarëve të Prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Unë personalisht e shoh institucionin e Prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional dhe angazhimin e kurajën e saj.
Z. President, a keni një apel për forcat politike nisur nga fakti se në tetor do jepet vendimi për statusin dhe, nëse do të jetë një përgjigje pozitive, kjo ndodh për herë të tretë për vendin tonë…
Kjo kohë që ka mbetur deri në momentin që KE dhe BE do të kenë një vendim lidhur me statusin për Shqipërinë është një kohë që ende ka nevojë për kontribute dhe mund të përmbushet me angazhime. Ndaj nëse e quaj se është një e drejtë që u takon qytetarëve shqiptarë, po me atë forcë e shoh si një detyrim që kanë partitë politike dhe institucionet për të përmbushur detyrimet e tyre.
Zyla, Nishani: S’është kompetencë e Presidentit
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, iu përgjigj dje akuzave të deputetëve të Partisë Socialiste për emërimin e Ylli Zylës si komandat i Policisë Ushtarake. Në deklaratat publike, deputetët e PS-së akuzuan Presidentin e Republikës, se me emërimet e fundit Presidenca është kthyer në një ministri në varësi të Kryeministrit Berisha. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, akuzoi shefin e qeverisë se po vendos nën komandën e tij institucione të rëndësishme të shtetit, duke përsëritur edhe një herë kërkesën e PS-së për përgjigje ndaj skandalit të përgjimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Por, për Presidentin një emërim i tillë nuk është kompetencë e kreut të shtetit. “Policia ushtarake është pjesë e administratës publike, procedura e emërimit të kreut të këtij institucioni nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës. Është një çështje që nuk kalon në asnjë rast nga Presidenti i Republikës”, deklaroi Nishani.
Presidenti Nishani: Vizita e parë në Kosovë
Bujar Nishani vizitën e parë si President i Shqipërisë do e zhvillojë në shtetin e Kosovës. Vizita në shtetin më të ri është programuar në datat 30 dhe 31 gusht dhe është konfirmuar nga Presidenca dhe Kryeministria e Kosovës. “Ka të bëjë me çështjen e vlerësimit dhe respektit të bashkëkombësve tanë që jetojnë në Kosovë, së dyti është një vizitë e cila do të shprehë të gjithë respektin dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë, dhe Kosova është një nga kontribuueset e rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit, ndaj dhe për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Nishani.





























Sot duhet të frenohen shpenzimet.,dhe frika e njerzve ësht se s’mund të vazhdohen votime pa rrezik.MARKETS: Dow Jones 13 171,17 +0,10% Nasdaq 3 084 ,09 +0,48% Or 1670,05$ Barrel LIGHT Sweet Crude (WTI) New York për transport në tetor fiton 1,35$ në 97,50$ BRENT (LONDON) të detit të veriut 114,95$ në ngritje 1,40$.
Nuk je per kete pune ti,more z.Nishani.Sado qe ajo detyre (me aq kompetenca sa i jane lene),eshte per pensioniste,por ty te mungon kryesorja per ta kryer ate: “Burreria”.
Te ka mbetur ne dore kjo pune o byrazer ne momentin e fundit, nuk je per kte pune ,ti flet akoma sikur je minister dhe mvartes i berishes dhe jo si i pari i shqiperise.Ju munde te jeni njeri i mire por se meritoni kte poste ,kam pershtypjen se shpejte do largoheni ose do jepni doreheqjen nga presidenti i republikes,jeni vete i ndergjegjeshem se se bene dote kte pune ashtu siò e permbane kushtetuta e RPSH ,ju faleminderit