Panorama Sport
Home » Opinion » Drejtësi e përnjëmendtë në kohë krimi

Drejtësi e përnjëmendtë në kohë krimi

GJERGJ META

Rasti i Breivik në Norvegji ka bërë bujë tashmë, qoftë kur ai vrau me gjakftohtësinë më të madhe 77 njerëz, e qoftë në këto ditë kur drejtësia norvegjeze e dënoi atë me 21 vjet burg dhe me mundësinë e zgjatjes së dënimit, nëse nuk tregon se ka ndryshuar. Ajo që më bëri “përshtypje” në këtë rast edhe nga komentet e shumta nëpër shtypin e huaj, ishte fakti që të mbijetuarit apo të afërmit e viktimave kishin pranuar me shumë entuziazëm vendimin e jurisë gjykuese. Nuk u vu fare në diskutim vendimi i jurisë, madje ai u ekzaltua nga të interesuarit. Mund të dukem naiv që diskutoj këtë gjë për një vend si Norvegjia, por kjo tregon dy gjëra: gjykata e ka përnjëmend dhe njerëzit kanë besim që ajo gjykatë e ka përnjëmend. Shumë elementare, por në të njëjtën kohë këto dy gjëra janë themelore për një shtet të së drejtës. Ta kesh përnjëmend diçka ka shumë rëndësi, sepse do të thotë se beson te ajo gjë. Në punët e drejtësisë kjo bëhet edhe më e rëndësishme, madje jetësore.
Mund të them me plot bindjen se pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se gjykatësit, prokurorët apo në përgjithësi të gjithë njerëzit e Drejtësisë e kanë përnjëmend e, po ashtu, të më falin punonjësit e Drejtësisë, as ata nuk bëjnë shumë përpjekje për të na mbushur mendjen që e kanë përnjëmend.
Në Shqipëri ka ditë që ambienti është “helmuar” keqas nga vrasjet për grabitje, zënie të çastit, larje hesapesh apo gjakmarrje dhe vdekjet për shkak të aksidenteve, d.m.th. për shkaqe njerëzore. Të duket sikur kaosi e ka mbërthyer shoqërinë e është përhapur një lloj klime paniku e frike, një lloj pasigurie. Në këtë kaos, forcat e errësirës përfitojnë deri në ligësi. Është gjithmonë kështu, ndodh gjithmonë kështu. Jam i prirë shpesh të reflektoj mbi predispozitat e thella të njeriut në lidhje me çështjet e rëndësishme, por në këto raste mungojnë edhe shenjat më konkrete që nuk kanë nevojë për reflektime të thella. Jam i sigurt se dikush nesër del në TV dhe thotë shifra, emra, numra dosjesh të gjykuara e çështje të trajtuara duke dhënë rezultate etj., por ama ne po shohim se pasiguria në lidhje me krimin ka mbërthyer psiken e shumë shqiptarëve. Nuk e them këtë nga pozita abstrakte, por nga puna dhe kontakti i përditshëm me njerëzit.
Ku duhet ta kërkojmë fajinë Sigurisht situata është më e ndërlikuar dhe trajtimi i shkaqeve e fajeve është shumëdimensional. Por unë jam i bindjes që sistemi i Drejtësisë në Shqipëri çalon për së tepërmi, në të gjitha hallkat e tij. Dhe, ç’është më e keqja, mungon besimi. Mungon besimi, duke filluar nga punonjësi i Policisë Gjyqësore në manipulimin e provave dhe fakteve, te polici që ka shkuar i pari në vendin e krimit, te prokurori i çështjes, te gjykatësi dhe te avokati. Shtyhen pa fund gjyqe, e shpesh për tekat e një avokati që nuk paraqitet, për tekat e një gjykatësi apo të një prokurori. Dhe kjo është e pafalshme. Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri nuk të frymëzon besim aspak, madje pjesa më e madhe e njerëzve thonë: po pagove ke drejtësi, po nuk pagove je i mbaruar.
Unë nuk dua të bëj krahasimin mes Norvegjisë dhe Shqipërisë. Nuk do isha realist, por ama për një çast dua të ëndërroj një prokuror, një gjykatës, një polic gjyqësor, një polic çfarëdo që beson te Drejtësia dhe këtë besim na e përcjell edhe neve. Mungesa e këtij besimi është shkaku kryesor i krimit që ngre krye dhe mbërthen shoqërinë. E ky besim që të vijë do fakte konkrete, shenja konkrete që vijnë nga serioziteti i punës së të gjithë atyre që dashurojnë iustitia-n që duhet të kënaqë nevojën natyrore për t’i dhënë secilit çka i takon.
Nuk mund ta presim këtë gjë nga vullneti politik, i cili për fat të keq në Shqipëri është vetëm vullnet për të fituar zgjedhjet, por nga vullneti qytetar që është vullnet për të zgjedhur ndërmjet të mirës dhe të keqes. Kjo do të vijë kur shkollat, sidomos ato juridike, nuk do të rendin drejt eficiencës financiare, por drejt efikasitetit cilësor, nuk do të rendin drejt përgatitjes së teknicienëve të së drejtës, por drejt formimit qytetar të atyre që zënë auditorët e fakulteteve të Drejtësisë, shtetërore qofshin, apo private.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

3 Komente per “Drejtësi e përnjëmendtë në kohë krimi”

  1. DHE juve e quani drejtesi ate vendim? DOshofish qe neser do te dali nje tjeter brejvik qe do beje tjeter masaker dhe populli belgjian do ta duar trokase dhe do ti jape edhe atij te drejte qe te thote qe nk pata mundesine te vrisja akoma,dhe juve e quani te drejte kete vendim qe jo vetem nuk i dha denimin e duhur por e lejuan te mbjelle urejtje ndermjet popujve te shohim sa do te denohet ai tjetri qe doli me floke te kuqe qe une mendoj se desh te theshte desha dhe ju lava ne gjak ashtu si prpagandohet ne cdo film per te ritur apo poer femije perfundimi eshte cfare do mbjellesh do koresh dhe nuk behet pa qellim

  2. Besimi pa fakte dhe pa kokrra nuk vjen.Dënimi me 21 vjet burg per atë që vret 77 të tjerë është qesharak. Aty nuk bëhet fjalë per drejtësi. Sado shtet i perparuar qoftë,ai ka bërë sikur e ka dënuar, por jo se i ka dhënë hakun.Po , ju mund të thoni se ashtu i kanë ligjet ata.Shumë të buta.Ne i zbusim me para dhe perfundimi del njësoj.Besimi do të vinte pas veprimeve konkrete,pas fakteve dhe dënimeve të merituara. Nuk ka besim në asgjë, sado t’i manipulosh njerëzit, po nuk i binde.Budallenjtë dhe mediokrit mund të besojnë në diçka pa u menduar vetë e pa u thelluar, por njeriu normal, i kulturuar,inteligjent, asnjëherë.Fillimisht ai dyshon, pastaj arsyeton, perpiqet të gjejë të vertetën me njëmijë mënyra.Ne kemi nevojë per ligje të drejta dhe të rrepta, por që zbatohen. Ndryshe, nuk kanë vlerë.Ne nuk duhet të ngurrojmë t’i denoncojmë njerëzit problematikë, që i kemi komshi, në lagje dhe mundësisht ta parandalojmë të keqen nepërmjet atyre që paguhen per atë punë.Nuk është turp, nuk është spiunllek.

  3. Per mendimin Tim duhet te kthejme ligjin sharia. Kanuni eshte 70% I bazuar ne sharia. Po vrave do vritesh, po perdhunove vritesh, po vodhe te pritet njera dore. Po vodhe dy here te pritet edhe dora tjeter. Nuk do te kishim me hasmeri, nuk do te kishim me perdhunime e vjedhje. Kaq e lehte eshte. Ai fytyra qe vrau te fusha e aviacionit per nji varese, ishte kap disa here dhe njihej shume mire si hajdut. Tia kishin prere njeren dore kur ishte kap per vjedhje heren e pare, ajo gruaja qe vrau, do ishte sot me familjen e saj.

Beni nje Koment


6 + 2 =

Social Network


Abissnet


VIDEO





Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept