Amaneti i Safos: Nuk dua njoftime vdekjeje dhe drekë
Kulture e Martë, 28 Gusht, 2012 | 14:06 pmNë hyrjen e parë të pallatit që sheh nga Bulevardi Zogu I, në kryqëzim me “Dervish Hatixhenë”, ku ndonjë adoleshent që nuk ia di simbolikën, ka vizatuar një kryq të thyer, hyjnë e dalin njerëz të përzishëm me tufa lulesh. Një tjetër pjesëtar u nda nga familja e Markove dhe, çka ka mbetur nga ajo familje artistësh, tashmë është vetëm Aranita, e bija, që me sy të tharë po përballon një tjetër humbje. Në moshën 87-vjeçare u nda nga jeta piktorja Safo Marko. Pas një lëngimi disavjeçar, ia behu momenti që edhe ajo të bashkohej me të shoqin, shkrimtarin Petro Marko dhe me të birin, Jamarbërin, i cili u nda nga jeta dy vjet më parë, në moshën 59-vjeçare. Një vdekje të cilën ajo nuk e mësoi dot, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, që e kishte ndarë atë për së gjalli nga bota reale. Safo Marko vdiq në orët e vona të mbrëmjes dhe u varros dje në orën 13:00. Njoftimi për vdekjen e saj erdhi gojë pas goje. Nuk pati asnjë njoftim vdekjeje të ngjitur në mure. Siç tregon vetë e bija, Safo, kur ishte e vetëdijshme, e kishte lënë amanet që të mos shpërndahej asnjë njoftim vdekjeje dhe të mos ndahej drekë për të pas varrimit. Kjo ishte edhe arsyeja pse ishte e vështirë të saktësoje orarin e varrimit. Nuk pati ceremoni shtetërore. Safoja, që nuk dëshironte asnjë lloj njoftimi, me gjasë nuk do ta kishte dashur një ceremoni të tillë. Kush e mësoi vdekjen e saj, i erdhi në shtëpi. Në heshtje ngjitën shkallët e pallatit ku ajo jetoi vite të tëra Aurel Plasari, Afrim Koçi, Taulanta Pasko, Mirvjen Kokona, Luan Pengili, Skënder Shehu… Mes kurorave dhe buqetave me lule nga familjarët e të afërmve, shquhej edhe ajo e Bashkisë së Tiranës. Ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i dërgoi përfaqësuesit e vet në ceremoninë e varrimit, e cila u zhvillua në varrezat e Sharrës. MTKRS përfaqësohej nga zv/ministrja Suzana Turku dhe drejtori i botimeve, Ermir Nika. Në ceremoninë e përcjelljes, Turku tha disa fjalë për vendin që Safo Marko kishte në artet figurative shqiptare. Në Varrezat e Sharrës, Marko u varros në të njëjtin varr me të birin, Jamarbërin.
Piktorja
Safo Marko është një nga piktoret e pakta shqiptare. Më së shumti ka punuar si ilustratore librash e revistash për fëmijë, mes të cilave edhe “Fatosi”. Ka realizuar kopertinën e Abetares së parë shqipe dhe i ka dhënë një imazh personazhit aq të dashur për fëmijët, Çufos. Si piktore-ilustratore numëron mbi 1000 kopertina. Rreth katër vjet më parë, në galerinë private “Zenit” u hap një ekspozitë me punët e saj, titulluar “Safo”, mundësuar nga regjisorja Vera Grabocka, e cila asokohe realizonte programin “Me shumë dashuri”. Ishin rreth 40 punë të përzgjedhura nga koleksioni i piktores, e cila nuk ekspozonte më prej dekadash. Në atë kohë, ndonëse e sëmurë, Safo mundi të ishte e pranishme në ceremoninë e ekspozitës së saj.
Ndihma
Në muajin prill të vitit 2010, artistet Eleni Laperi dhe Suzana Varvarica Kuka ndërmorën një akt human, duke iniciuar një fushatë ndihme për familjen Marko. Në atë kohë familja ishte duke përjetuar një gjendje shumë të vështirë. Safoja dhe Jamarbëri ishin të sëmurë rëndë dhe për ta kujdesej e motra, Aranita, vetëm me një pension qesharak të Safos. Shumë njerëz iu përgjigjën thirrjes së dy artisteve. Asokohe, për t’i ardhur në ndihmë familjes së artistëve, ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve bleu një pikturë të piktores Safo Marko me një shumë rreth 300.000 lekë të rinj.





























Me cudit se si kjo zonje qe ka kaluar nje jete me Petron,u nda me te .Petro Marko eshte varrosur ne Dhermi,Safo pse ne Tirane?
Ndoshta eshte nje ceshtje qe i perket familjes!!!
nuk ka fjalë që e shpreh hidhërimin e vërtetë,të jetojë një jetë kaq të trazuar dhe me kaq skamje,e pse ?vetëm një libër të kesh lexuar nga Petro,vetëm shpella e piratëve sa duhej të ishte paguar,regjim i poshtër komunizmi por edhe demokracia më keq akoma,nuk ndihmon familjen e Petros dhe Safos,por më ngre në piedestal kriminelat e lapangjozët,servilat,spiunat,hajdutat
Per kete NJERI vlejne fjalet:
SAFO: E urte gjer ne dhimbje, e thjeshte gjer ne madheshti.
turp per shtetin dhe shoqerine qe lene familje te nderuara te katandisen keshtu…