Vlonjatët ndalen nga Bylisi, Luftëtari ngec në Kukës.
Bylis dhe Flamurtari e mbyllin në “paqe” sfidën e parë të kampionatit të zhvilluar në stadiumin “Tomori”. U zhvillua një ndeshje e bukur e hapur me mundësi të mira shënimi nga të dyja skuadrat, ku nuk munguan as gola, por dukej qartë që të dyja skuadrat luajtën me synimin për ta fituar, ndonëse fati deshi që kjo sfidë të mbyllej në një barazim me gola. Skuadrat paraqitën fytyra të ndryshme në të dyja e pjesët e lojës. Vlonjatët ishin dominantë më shumë gjatë pjesës së parë ku gjetën edhe golin me Memellin, kjo edhe falë një vendosjeje të gabuar të mbrojtjes ballshiote. Ndërsa skuadra e Bylis mori frenat e lojës gjatë pjesës së dytë, ku arriti të gjente golin e barazimit me goditjen me kokë të Adebaju. Në Berat, të dyja skuadrat paraqitën një futboll të bukur por, ashtu siç e përmendën edhe dy teknikët në fund, ndeshja u kushtëzua edhe nga problemet fizike të disa futbollistëve. Të dy teknikët u larguan nga Berati gjysmë të kënaqur nga paraqitja, por edhe rezultati i kësaj sfide, e cila për atë që u pa në fushë, ishte rezultati i merituar.
Shkumbini-Teuta 0-1
Ka nisur me humbje kampionati për Shkumbinin, si dhe premiera e trajnerit Gugash Magani në krye të kësaj skuadre, ndërsa kanë humbur dje me rezultatin e ngushtë 1-0 përballë Teutës. Ka mjaftuar një gol i mesfushorit Ansi Nika në fillim të kësaj ndeshjeje, për të nxjerrë në fund të 90 minutave të besuarit e Hasan Likës, të cilët treguan edhe një herë se mbeten një “mace e zezë” për ta. Pavarësisht humbjes, duhet thënë se ka qenë një ndeshje e vërtetë “fair play” jo vetëm në fushë, por edhe në pankina, ku të dy trajnerët janë përshëndetur në fund të kësaj përballjeje. Përpjekjet e peqinasve janë të shumta, por duhet pranuar që loja e të besuarve të Maganit la shumë për të dëshiruar. Fundi i takimit mund të kishte rezultat tjetër për Teutën, sulmuesit e së cilës shpërdorojnë një rast ideal për të dyfishuar me anë të Eminhazerit.
Kukësi-Luftëtari 0-0
Kukësi nuk shkon më shumë se barazimi pa gola në ndeshjen historike në Kategorinë Superiore. Loja e mirë në debutim nuk mjaftoi që skuadra e Armando Cungut të fitonte kundër Luftëtarit. Edhe në ndeshjen e sezonit të kaluar, gjirokastritët arritën të dilnin me pikë nga stadiumi “Zeqir Ymeri”. Dita e djeshme solli mjaft risi për qytetin e Kukësit. Përveç ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar, që është për herë të parë, dje u inaugurua edhe stadiumi i ri. Mirëpo festa nuk ishte e thënë të mbyllej me një trepikësh për Kukësin. Reparti i sulmit u tregua i dobët, duke bërë që të humben shumë raste për shënim, sidomos gjatë pjesës së parë. Një nga blerjet më të shtrenjta të Kukësit, sulmuesi Lazar Popoviç, rezulton të jetë në prag dështimi. Në pjesën e dytë serbi u zëvendësua, pasi u tregua jo i qartë në momentet që iu paraqitën. Ndërkohë, Luftëtari duhet thënë se e rriti ndjeshëm lojën në pjesën e dytë, por pa arritur të shënojë. Mungesa e finalizimit të aksioneve ishte ajo që i dënoi skuadrat.
Shkëlqim Muça
“Ishte një ndeshje e vështirë ashtu si e prisja, por më vjen keq që dolëm në barazim në këtë sfidë. Kjo pasi ndeshjen e nisëm mirë. Arritëm ta gjenim golin shumë shpejt dhe më pas filluam të lëshonim shumë terren përballë kundërshtarit. Kjo nuk ishte një gjë e mirë, pasi kishim mundësinë që këtë ndeshje ta kishim në kontroll, sidomos pas golit të shënuar. Mendoj se vuajtëm paksa gjendjen jo të mirë fizike të disa futbollistëve, si: Lena, Memelli, Vukçeviç edhe Mici, gjë që ndikoi edhe në rendimentin e ndeshjes sonë”, deklaroi trajneri.
Hasan Lika
“Nuk do të kemi gjithmonë shansin të fitojmë ndeshje të tilla”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij numri një i pankinës durrsake, Hasan Lika, pas ndeshjes. “Mendoj se ishte një ndeshje, ku më shumë se çdo gjë rëndësi kishte rezultati. Ne e dinim se do të ishte një sfidë e fortë dhe ashtu rezultoi në të vërtetë. Peqinasit na kanë vënë jo pak herë në vështirësi. Kemi arritur një fitore të mundimshme. Jam i pakënaqur nga mënyra e interpretimit të ndeshjes”.
Thellohet ngërçi, Rubio ka dy javë pa makinë
Telenovela “Rubio” vazhdon. Së fundmi situata është bërë e paqartë. Klubi nuk tërhiqet nga vendimet e tij, në një kohë që edhe vetë trajneri e ka thënë hapur se do të rinovojë vetëm nëse do t’i plotësohen kushtet. Spanjolli nuk pranon të pësojë ulje të pagës në rast se nuk fitohet titulli, por veç kësaj klauzole ka kërkuar edhe disa kushte të tjera, të nevojshme për qëndrimin e tij në Shqipëri. Prej gati dy javësh, ai është pa makinë. I është premtuar se do t’i vihet në dispozicion një e tillë, gjë që në fakt ende nuk ka ndodhur. Prej kohësh ai vjen e ikën nga stërvitja i shoqëruar prej lojtarëve, në pamundësi të një automjeti privat. Një fakt të tillë ai e ka pohuar edhe vetë për mediat, kur u pyet nëse do ta shihte apo jo ndeshjen miqësore mes Flamurtarit dhe Seviljes, e cila luhej më 9 shtator. “Me shumë dëshirë, por kjo varet nga punët dhe nëse do të kem makinë”. Megjithatë nuk është kjo ajo që e shqetëson më shumë teknikun, por fakti që edhe para ndeshjes me Tomorin ai nuk nënshkroi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online.
Moderatori
Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU