Sot nata finale e festës, ambasadorët: Të mahnitur nga atmosfera
Kuriozitete e Dielë, 19 Gusht, 2012 | 14:08 pmKorça është shndërruar për katër net me radhë epiqendra e Shqipërisë. Edhe mbrëmë, birra “Korça” ka qenë më e preferuara për mijëra qytetarë dhe turistë, të cilët e kaluan natën duke festuar. “Edhe një tjetër!”.
Kjo shprehje dëgjohej gjithandej pranë stendave të birrës “Korça”, nga të rinj të organizuar nga rrethe të ndryshme të vendit, por kryesisht nga Tirana. Ata kanë zgjedhur Korçën për të kaluar pesë net të pushimeve të tyre, për të qenë pjesë e festës së madhe të birrës. “Kemi ardhur nga Tirana një grup miqsh. Kaluam disa ditë të pushimeve tona në bregdet, ndërsa 5 ditë të tjera vendosëm t’i kalojmë në festën e “Birra Korça”. Kishim dëgjuar nga miqtë tanë për festën dhe tashmë e konfirmuam vetë se këtu qenka një mrekulli. Kemi pirë birra pafund gjatë katër netëve dhe ju premtojmë se do të jemi pjesë e kësaj feste të mrekullueshme çdo vit”, kështu u shpreh një i ri i ardhur nga kryeqyteti. Ai shoqërohej nga grupi i miqve të tij, djem e vajza, të cilët kthenin gotat një pas një të birrës “Korça”.
Edhe në këtë mbrëmje nuk munguan përfaqësuesit diplomatikë, ambasadori bullgar Dimitar Arnaudov dhe ai slloven, Bojan Bertoncejl. “Është vërtet interesante. Të bën të kërcesh, edhe pse duhet t’i rezistosh tundimit. Pasi mora ftesën nga Bashkia, e pranova menjëherë, pasi kjo festë është shumë e njohur dhe është mënyra më e mirë për t’u argëtuar në fundjavë. Birra “Korça” është mjaft cilësore, nuk dehesh, por feston. Është vërtet, me plot gojën, më e mira dhe them se ia ka rritur vlerat këtij qyteti”, u shpreh ambasadori bullgar, Arnaudov. Mjaft i entuziazmuar për festën ishte edhe ambasadori slloven. “Kur mora ftesën për t’u bërë pjesë e kësaj feste nuk kam menduar se do të kishte përmasa të tilla. Mund të them se jam i habitur nga pjesëmarrja, por edhe nga atmosfera. Jam i impresionuar nga kjo festë, nga mënyra e organizimit, por më tepër nga birra që po pi. Ka një shije vërtet të mirë dhe cilësi të lartë. Është hera e parë që unë vij në këtë festë, por do të lumturohesha nëse vitin e ardhshëm do të më vinte serish një ftesë. Do të vija me kënaqësi”, u shpreh Bertoncejl.
KORÇE/ DHORLEJA DEMKOLLI





























