Lira Burgija, pushimet e nxehta në Ibiza të prezantueses me të fejuarin
Panorama Plus e Dielë, 19 Gusht, 2012 | 16:11 pm
Ajo ishte prezantuesja që jemi mësuar ta shohim çdo ditë në “Pasdite në Top Channel”. Për një kohë të shkurtër ajo me simpatinë e saj bëri për vete audiencën, por edhe me një cilësi tjetër, modestinë e një prezentueseje. Përtej ”Pasdites”, Lira Burgija ka edhe një të kaluar si miss duke u zgjedhur kështu ”Miss Tirana”. Ka shumë pasione dhe ëndrra në sirtar. ”Isha në ditët e fundit të punës në ‘Top News’, para se të shkoja me pushimet e verës kur drejtori artistik në “Top Channel”, Bujar Kokonozi, më propozoi të bëja një provë si pjesë e një audicioni që po zhvillohej për përzgjedhjen e moderatores së re të “Pasdites”. Fillimisht mendova është një sipërmarrje e vështirë, por sot dua ta falënderoj shumë që më besoi atëherë kur unë vetë nuk e mendoja. Dy ditë pas audicionit më lajmëruan që isha përzgjedhur për të moderuar. U gëzova shumë, por në të njëjtën kohë i thashë vetes, pjesa më e vështirë nis tani. Ah po, m’u desh të anuloja edhe pushimet, (qesh)”, kështu e ka rrëfyer pranimin si prezantuese. ”Gjithmonë kam qenë e mendimit se bukuria humbet çdo vlerë në momentin kur personi lë për të dëshiruar sa i përket përmbajtjes apo formimit. Kurorën mirë që ma kujtove ti se e kisha harruar”, ka thënë Lira, e cila mes karrierës dhe dashurisë do të zgjidhte familjen. Bukuroshja Burgija ka edhe ëndrra të tjera, si psh një eksperiencë akademike jashtë vendit. Në çdo profesion ka raste kur njerëzit lodhen dhe vjen një moment kur duhet pak pushim. Në lidhje me këtë fakt, Lira shprehet: ”Muajin e parë lodhesha më shumë sepse ishte fillimi dhe si çdo fillim ka qenë i vështirë.
Ka raste kur e them akoma, por pasi emisioni shkon mirë harron çdo tension apo stres që mund të kesh pasur para se të hyje në transmetim direkt”, thotë ajo. Këto ditë Lira po bën pushime me të fejuarin e saj në plazhet e nxehta të Ibizës, vetëm pak ditë pasi e prezantoi atë publikisht në një pub të Tiranës ku paparaci ynë kishte pasur rastin t’i fotografojë. Nga fotot që Lira i kishte postuar në facebook, shihet se çifti po kalon ditë të mrekullueshme së bashku. E pyetur në një nga intervistat e saj se a do kishte ndryshuar diçka në jetë, Lira përgjigjet: ”Jeta që bëj më pëlqen, por duke qenë njeri që kërkon shumë, sigurisht që mund të gjej plot gjëra për të ndryshuar. Do më pëlqente të udhëtoja më shumë. Puna më ka privuar shpesh nga lëvizjet jashtë Shqipërisë, sepse do të doja të kisha më shumë kohë në dispozicion për të vizituar qytete apo vende të reja. I kushtoj rëndësi pamjes së jashtme, por nuk bëj pjesë tek ata persona maniakë pas orëve të gjata në qendrat estetike. Më pëlqen të jem sa më natyrale dhe e thjeshtë”.


























