Panorama Sport
Gazeta Panorama zgjedhje 2013
Home » Opinion » Krokodhuca dhe Hardili

Krokodhuca dhe Hardili

EDMOND TUPJA Në shumëshëmbulloren komunë, buzë detit, të një qarku të rëndësishëm të vendit tonë, komunë të cilën, këtej e tutje, do ta quajmë Hipzbrit (Hypzdryp, në të folmen e rrethit përkatës), qysh prej fillimeve të demokracisë, kryetari ndërrohet çdo katër vjet si rezultat demokratik i zgjedhjeve vendore po aq demokratike: një herë blu dhe një herë rozë, nga vjen vetë emri i komunës, pra, Hipzbrit, siç sapo e shkruam, sepse kur njëri hipën në postin e kryekomunarit, zë vendin e atij që zbret prej andej. Për hir të këtij emri, rinia e komunës ka zgjedhur Hip-Hopin si himn komunal të sajin; rrjedhimisht, kush shkon për herë të parë atje, buzë detit, dhe shfaq hapur prirje hiphopiane, bëhet fshatar nderi i komunës në fjalë dhe nuk mund të mos vërejë se sa mirë e bukur materializohet atje parimi i rotacionit në krye të pushtetit vendor. Sigurisht, që jo çdo gjë ecën si në vaj apo si në gjalpë, sepse, helbete, probleme ka dhe, me t’u zgjidhur një numër syresh, veç kur ia behin ca të tjera, por, prej disa vitesh, më saktësisht, qysh nga viti 1997, kur deti nxori në breg një krokodil gjysmë të ngordhur, të cilin fëmijët e morën për një hardhucë gjigante, dikush, një shakaxhi i prapë, i vuri nofkën “krokodil” kryekomunarit të atëhershëm (rozë apo blu, pak rëndësi ka), sepse, sipas gojëve të këqija (që flasin përherë prapa shpine), ai po tregohej modestisht i pangopur me babëzinë e tij për t’u pasuruar në kurriz të fondeve publike apo edhe të bashkëfshatarëve të tij. I njëjti shakaxhi, për të mos bërë të pakënaqur, kandidatit të krahut tjetër politik, që nuk u zgjodh kryekomunar, i vuri nofkën “hardhucë”, kafshëz nga e njëjta familje si krokodili, ajo e zvarranikëve. Pas katër vitesh, si rezultat demokratik i zgjedhjeve vendore po aq demokratike, kryekomunar u zgjodh kandidati i opozitës (blu apo rozë, pak rëndësi ka), i cili, për të mos mbetur prapa paraardhësit të tij, nisi, edhe ai, nën shembullin e këtij, të tregohej modestisht i pangopur me babëzinë e vet për t’u pasuruar në kurriz të fondeve publike apo edhe të bashkëfshatarëve të tij. Për pasojë, i erdhi atij radha të mbante nofkën “krokodil”, kurse paraardhësit i ra për pjesë nofka “hardhucë”. Gjithsesi, meqë çdo katër vjet ata ndërronin vendet, pra, edhe nofkat, njerëzit zunë t’u ngatërrojnë atyre pikërisht nofkat e bëmat, nderet që bënin dhe pengesat që nxirrnin; për një fjalë goje, nisën të lindin armiqësira në komunë, pati kushërinj e krushq që këtu prisheshin, këtu pajtoheshin dhe kjo rrëmujë do të kishte vazhduar gjatë sikur shakaxhiu në fjalë të mos propozonte, gjithnjë me të njëjtin humor, një zgjidhje që, pas një kuvendi fshatçe, u miratua nga të gjithë me konsensus hip-hopian. Kështu, shkronjat e nofkave “krokodil” e “hardhucë” u shkartisën dhe, nga kjo shkartisje, u krijuan dy të reja që iu vunë në mënyrë përfundimtare të dy rivalëve: njëri u quajt “Krokodhucë” dhe tjetri “Hardil”, gjithnjë, përherë e vazhdimisht nga familja e zvarranikëve. Që nga ky çast fatlum, punët venë si jo më mirë në shumëshëmbulloren komunë me emrin demokratik Hipzbrit: në krye të komunës një herë hipën Krokodhuca dhe një herë Hardili, tamam hipzbrit, si emri i komunës, pra, një rotacion i rregullt, i ndershëm, madje edhe humoristik. Humoristik deri në derdhje lotësh! Oh, nuk po bëj asnjë aluzion dashakeq për lotët e krokodilit apo për marifetin e hardhucës që të lë bishtin në dorë për të shpëtuar kokën! As mos e mendoni një gjë të tillë, qofshi rozë apo blu, qofshi miq e simpatizantë të Krokodhucës apo të Hardilit! Unë kam shumë respekt për të dy, pavarësisht se nuk kam ndër mend të bëhem fshatar nderi i komunës së Hipzbritit, buzë detit, jo për gjë, por jam shumë alergjik ndaj lotëve të krododilit dhe bishtit të hardhucës, sidomos kur ta lë në dorë e ti mbetesh me gisht (apo bisht?) në gojë, siç thonë gojët e këqija, të cilat më kujtojnë Oscar Wilde-in që thoshte: “Është e habitshme sesi njerëzit, në ditët tona, flasin pas shpine dhe thonë gjëra që janë tmerrësisht të vërteta”.

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori


Lexoni Gazeta Panorama ne formatin PDF »»KLIKO KETU

1 Koment per “Krokodhuca dhe Hardili”

  1. je gjeni o tupe por nuk e di a do ta kuptojne edhe ata qe nuk kane qef rrotacionin.Sigurisht qe emri i komunes prap te mos ndryshoje ose per njerin te behet moszbrit kurse per tjetrin s hipidot. Ai qe do te behet udhheqs i vertete le ta marre tupen keshilltar se s do te jete i humbur

Beni nje Koment


6 + = 13

Gazeta Panorama zgjedhje 2009
Social Network


Abissnet
Gazeta Panorama Alexa toolbar

VIDEO



Showbiz

Lifestyle

Teknologji

Kuriozitete

© 2013 Gazeta Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept